RRENË E VËRTETË BIOGRAFIKE, NË VARGJE PROZAIKE… / Poezi nga Shazim Mehmeti

 
Poezi nga Shazim Mehmeti
 
 
RRENË E VËRTETË BIOGRAFIKE, NË VARGJE PROZAIKE…
 
Më parë se dritën,
më parë se fytyrën e nënës,
më parë se erëgjirin e saj,
erën e fosforit njoha!
 
Vetëm Zoti
dhe gratë e zamanit
mund ta kuptojnë
pse e them këtë!
 
Kush s’beson le të besojë!
Kush beson le të besojë më tej!
 
Qysh katër vjeçar
vdisja pas shkrepsash kokëfosfore.
Shtëpinë rrëmoja duke kërkuar sosh.
 
Fëmijë po,
por zjarr i tëri isha.
 
Gjashtë vjeç
dogja shtëpinë e tim ati.
Për pak nuk e dogja
edhe katundin.
 
Nevriku im at
që s’e duronte jetën pa kulm mbi kokë,
mërgoi larg
nën strehën e jetës prej hamalli.
(Kuptohet, pas fitimesh
për një kulm mbi kokë.)
 
Që isha qindpërqind mëngjërosh
askush s’e dinte.
 
Më parë se ime ëmë,
këtë e zbuloi
bluarësja mekanike e kallëzve n’oborr,
që m’i rrënoi, m’i gjakosi
pesë gishtat ëndërrorë
të të majtës dorë.
 
S’kish gjë që ma prishte
këtë poetikë fëmijërore.
 
As shpullat,
as thuprat e nxehta
të mësueses Mesale ndjesëpastë
s’ma mësuan dot shkrimin me të djathtën.
 
Gjashtë vjeç shkova n’shkollë.
 
Në saje të kësaj hunde fosforake
gjashtë vjeç e njoha shijen e dashurisë.
(te Lejlaja e vogël që kuqej,
dhe që edhe ajo mëngjeroshe ishte!)
 
Ishte
po ajo shije fosfori
po ajo dridhje flake n’erë.
 
Dymbëdhjetë vjeç
u marrosa përfare
pas këmbëve të mësueses së kimisë.
 
(Ndjesë pastë edhe ajo, e kuptoi,
e më dha një shuplakë fytyrës.
Më mbylli n’bodrum t’shkollës
e ma thithi gjuhën n’atë terr magjepsës,
deri n’pikë gjaku.
Ndjesë pastë, ndjesë pastë ajo!)
 
Dymbëdhjetë vjeç,
hipa dhe u rrëzova
nga rrethoja e stadiumit në Gocë Tivar.
Dorën e djathtë theva,
e me të majtën shpëtimtare,
vizatova si n’ëndërr,
Flamur me Shqiponjë
(ëndrrën e ndaluar e ëndërroj
sot e kësaj dite!)
 
Sa shumë lopë kam kullotur atë vit,
sa dajak kam ngrënë, magjupësh,
as vet s’e di.
 
Trembëdhjetë vjeç,
me Balon tim laranin
e ruanim bostanin n’arë.
Mbillnim shumë shalqinj asokohe.
(sheqerkat i provonim
vetëm bajram m’bajram!)
 
Tek tuk ndonjë vjershë lexoja.
Tek tuk, qiellit laraman,
sodisja ndonjë yllkë.
 
Mbaj mend, një natë,
sapo u teleis hëna mbi mal,
vajzën trembëdhjetë vjeçe të fqiut dashurova.
Për besë, as vet s’e di si u bë,
e e plagosa n’fundbark.
 
E, qava pafund,
e lot derdha.
Ajo qante, e qeshej njëkohësisht!
(Më parë se në shpirtin e djalit,
në shpirtin e vajzës futet zjarri.
Këtë proverb,
e thoshte hapur gjithandej, Fule kurvari!)
 
Në vitin shtatëdhjetë e ca, në Prishtinë,
u njoha me mik Jakupin nga Rugova,
dhe me lirinë e dozuar u njoha, natyrisht.
 
Aty këtu lexoja
nga ndonjë varg të Azem Shkrelit, ndjesëpastë-
malësor i hënëzuar edhe ai.
(Na e sugjëronte Profesor Burgu,
Sefedin Fetiu, alias.
Ndjesëpastë edhe Ai,
i përhënur që i përhënur qe!)
 
Tek tuk qosheve
dëgjoja ndonjë fjalë fshehtas për Demaçin.
Por, me ato xhame të thella syzash që mbante,
u njoha largas
në parkun e madh mbi Prishtinë.
 
Herët mëngjesesh,
për shëtitje Ai dilte.
E jetonte burgun edhe në liri.
Herët mëngjesesh dilnim edhe ne,
Heroin e Zemrës largas e adhuronim.
 
Në vreshtat mbi Tauk Bahçe,
një nate të çiltër
me shumë yje
e me hënën mbi Gërmi,
rastisi puna ta pëqafoj Zelanë.
 
Gjithë kohën frikën e gjakut kisha,
e gjak nuk rrodhi.
E m’talli e m’tha Zelaja:
Shihe, shihe budallanë!
 
Isha i ri, i padalë.
Ku dija unë se përgjkja ish mitike,
e ndodhte veç një herë në jetë të Çupës.
(asokohe, kirurgjia vaginale qenkësh
në vetë virgjërinë e saj!)
 
Sevdaja qe ajo që më dogji për pak ujë.
Por, hakun ia mora pesëmbëdhjetë vjet më pas.
Mbi kalanë e Shkupit, në pikë dite,
e çova te burimi, e ujë s’i dhashë,
e me motrën e saj më të re
fjeta në sy drite
e në sy të saj.
 
Në vitin tetëdhjetë,
e dashurova Dea-n e Lashtë t’Atdheut,
kur për s’pari hodha hapin në Shqipërinë Hermetike.
Aty i njoha edhe sytë dashamirës
të spiunëve të buzëqeshur.
(Në Prishtinë spiunët tjetër buzëqeshje kishin!)
 
Në një dhomë të vogël të Hotel Tiranës,
fshehtas syshë,
fshehtas dritës,
përgjaka një miken time nga Gjakova.
(Me gjasë, konjak skenderbeg
kishim pirë mbi masën!)
 
S’ta bëj hallall, më tha,
ma ke përgjakur dehjen!
(Natyrisht, ky qe vargu që më bëri
gjithë jetën ta dua prozën në poezi.
Ky qe vargu që më bëri të besoj
në të ardhmen poetike t’asaj dhe timen.)
 
Në vitet tetëdhjetë e ca,
si inxhinier i diplomuar e bëja vozitësin.
(më duket, do ju rrëfej
një mesele dhembjeje për këtë.)
 
Asokohe shteti njerkë ç’nuk bënte me ne!
Na detyronte ta harrojmë dashurinë
për Atdheun e Munguar!
Më shumë se ç’duhej
na bënte të vuajmë për bukën e gojës.
Për bukën e gojës
na bënte të flejmë nën qiell t’hapur,
banaqeve të Lubjanës, si pazarxhinj nomadë.
 
Kam sharë shumë në gazeta e libra.
Aq shumë kam sharë nga tetëdhjetë e nënta e këtej.
(kuptohet, ishte kohë
kur s’ishte rrezik të shitesh patriot,
kombëtar, e ku di çka…)
 
Ndjenjash u sëmura më nëntëdhjetë e nëntën,
kur i dëbuan nga shtëpitë
vëllezërit tanë n’Kosovë.
 
Po këtë vit e ripashë Lizën e kujtesës,
që me anglishten e saj perfekte,
në Qafë Morinë i deklaronte CNN-it:
Në Kosovë populli im vritet, dëbohet,
nga gjaksori shteti serb!
 
Nuk di si shpëtova të sëmurem nervash,
duke e parë Ekzodin e Gjakut tim Përrallor,
por që vdiqa frymueshëm,
këtë topi nuk e luan.
 
Që në këtë çast ju rrëfej nga Tejana,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që rivdes e ribëhem përditë sipër ndjenjash,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që erën e fosforit
sot e kësaj dite e kam në hundë,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që ndeza dhe fika një zjarr,
atje diku te Këmba e Atdheut,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që më pëlqen akoma
të vetëndizem bukurisht,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që më pëlqen ta mbaj të gjallë
fëmijën brenda meje,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që më vdiset
duke jetuar fëmijërisht,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që më jetohet
duke vdekur mrekullisht,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që jam mik i vjetër i fosforit
dhe do mbetem përjetësisht,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Që jam i vdekur gjallërisht,
që jam i gjallë vdekurisht,
edhe këtë topi nuk e luan.
 
Oh!
Gjithë çka mund të luajë topi në këtë çast,
është vetëm ky varg:
Nuk jam prozaik
sa mund t’ju dukem!!!…
 
(Marrë nga libri me poezi “Rrëfime nga Anëtejana”)
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s