Poezi nga Zaide Noka
Fjala
Pa të
Do t’isha memece
E mbetur në heshtje
E zhytur në zbrazëti…
Pa të
S’mund të shpreh kurrsesi
Romancën e dashurisë…
Pa të
S’mund të përshkruaj
Bukurinë e pyllit
Apo trishtimin e dashurisë së humbur
Të sa e sa gjetheve në vjeshtë…
Pa fjalën
S’kam si të shpreh
Bukurinë trupore të pemës
Që thith dashurinë e fshehtë
Në thellësi të tokës
Dhe sjell
Të hirshmin frut…
Pa të
S’mund t’i jap frymë
Dashurisë sime
Brenda mallit,lojës,trishtimit….
Pa të
S’kam si të shpreh
Pamjen engjëllore
Të foshnjës me lëkurë të butë
Të qarat dhe të qeshurat
Brenda një kohe rekord ..
Si mund te shpreh pa fjalën
Trandjet e shpirtit
Në harmoninë e notave muzikore?
Në fundin e mbramë
Si mund te shpreh trazimin tim?
Thërrimet e mendimeve
Të derdhura aty-këtu
I mbledh me kujdes
Të ushqej fjalët
Që të mos mbeten
Në gjysmë të vargut…
Ndjesi prindërore
(Tim bir, Ermalit)
Alfabeti fëminor
Duhet të bëhej njësh
Qarje
Thyerje lodrash mes fëmijëve…
Gjithfarë cicërimash…
Ermali i vogël
I fuqishëm prej gjysmës së emrit (mal)
Përpunoi të parin alfabet fëminor
Asimilim e ndërrim shkronjash
Si fillim në emrin e tij
Më pas germat u shndërruan :
R-l
Xh-x
Ll-l
Z-x
Dhe u shqiptuan kthjelltas fjalët:
Elmal
Zemël
Yl
Xog
Xan…
Ç’tingëllimë
Zhurmë gjethesh
Cicërima zogjsh…
Bashtingëllorja l
Zotëroi fjalën
E fjala prej l
Mbretëroi për një çast…
Xhelozojnë fëmijët
Secili të ketë alfabetin e tij
Të papërsëritshmin
Të shkrirë në kohë…
Shkëputur nga libri”Mall i padukshëm”