Poezi nga Rudina Muharremi Beja  

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Dhimbje e përshpirtshme
 
Bie shi mbi varrin tënd At’
mbi germat që vetë t’i shkrova
dhe mbi lulet që nëna paska mbjellë
e mbi ato, që vetë t’i solla…
 
Rrëshkasin bulëzat mbi portretin tënd
e mua dy lot më zbresin trishtimit
vizatojnë shënjtërinë e shpirtit që më dhemb
teksa mëngjesi zbeh udhët e rënkimit.
 
Ndonjëherë më mungon aq shumë
balli, fytyra që flet me hieroglife…
sytë që më flasin përmes një vështrimi
malli i beftë, një dhimbje e përshpirtshme.
 
 
Grua!
 
Grua,
Merr me vete pak prej të shkuarës
aq sa shpirti yt i lirë të fluturojë
të kapërcejë pragun e dëshirave të heshtura,
valsit të erërave kudo nëpër qiell,
pa shqetësimin drithërues të së sotmes
pa ankthin e të nesërmes
veç rend ashtu si madhështi
sinfonisë së pranverave të tua,
të përjetshmes,
që jetën para teje përkul!
 
 
Eja Pranverë
 
Eja Pranverë,
eja me hapin tënd të ngadaltë
e me sytë prej drite,
udhës së pikëlluar të heshtjeve
pas një dimri që qiellin zbrazi
e tashmë kafshon ditët e fundit.
 
Eja bashkë me lulet çele buzëqeshjen time,
e parvazet e shpirtit
mbështillmi me kristalin e agimeve,
eja, kam shumë për të të thënë…
 
Mbi mua do të vizatosh një tjetër qark,
por s’të mbaj mëri,
kohën s’e ndalim dot
 
Mezi pres të flas me zogjtë e marsit për trishtimin e yjeve,
ata e kuptojnë gjuhën time
hungërimën e thellë të heshtjeve,
e unë, cicërimat e tyre.
 
Dua të flas dhe me dallëndyshet
që mallin mbartin mbi flatra nostalgjie
tek kthehen sërish në vendlindje
me kujtimet në sqep të vjeshtës së fundit
Po edhe me mimozat që qajnë
e luledelet me magjinë e tyre
pemët që këmbët ngulin thellë në dhé
e çelin sythe të pafajshme
dhe trëndafilët e vesuar që fshehin gjembat
e hedhin rrënjët tokës së mirë,
ëndrrat për t’i endur rrezes së vagëlluar.
 
 
***
 
Agonia e fshehtë,
kohën vret me zare t’ fildishta
e me fije shpresash të brishta.
Symbyllur ul grilën e mbrëmjes,
botën lë jashtë…
 
Radhojnë ndjesitë nën dritën e hënës.
Udhëtojnë sinopseve me sekuenca të trishta,
statujave, me buzëqeshje mermeri
dhe pak oshtimë deti brenda!
 
 
***
 
Sa afër apokalpsit kontinenti!
Buzëmbrëmjeve të fillim marsit
luhet loja më e ndyrë me maska!
Gjithçka syve tanë venitet.
Zbrazin klithmat psherëtimash pulëbardhat.
Trishtim mbjellin duar të padukshme.
 
Nga katet e sipërme,
avioatorë e robotë marrin urdhëra.
Rrokin armët e qëllojnë mbi paqen
teksa unë,
mbush orët e vrara që s’kanë mbarim…
 
 
Katastrofë
 
Lë pas qelqet e bardha të aeroporteve
dhe pistat ku avionë zhvendosen ngadalë,
ku tek tuk ndonjë lule lind nga plasaritjet
e përpiqet të sjellë pranverë…
tek pret e përcjellë mysafirët e radhës
që si me magji,
përhumben hapësirave.
 
Sot qenka kaq e vështirë të udhëtoj mbi shpinën e reve,
qiejve që mbartin të fshehtën e madhe
e të mos pushtohem nga një zemërim i brendshëm
kur mendoj luftën,
fitimi i së cilës
është po aq katastrofike sa dhe humbja.
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s