Théodore de Banville
Kalendari poetik: Théodore de Banville (1823-1891)
Më 14 mars, 199 vite më parë, në familjen e një oficeri marine, u lind Théodore de Banville, që do të bëhej poet dhe shkrimtar i shquar. Gjatë kohës që studionte për Drejtësi në Paris lidhi miqësi me Théophile Gautier me të cilin bashkëpunoi në disa revista pariziene. Vepra e de Banville pati ndikim të fuqishëm mbi poetë si Charles Baudelaire, Stéphane Mallarmé dhe Arthur Rimbaud. I mbiquajtur “poet i lumturisë”, shkroi për dashurinë dhe bukurinë femërore.
TË DASHUROHEMI DHE FLEMË
(Aimons-nous et dormons)
Të bëjmë dashuri dhe flemë
Pa çarë kryet për të tjerë!
As për dallgë deti, as për erën,
Deri sa duhemi vërtet
Do ta ulësh kokën leshverdhë,
Sepse m’e fortë dashuria
Se vdekja dhe Perëndia!
Edhe vetë dielli do të shuhej
Jotja bardhësi m’e dlirë të shquhej.
Era, që pemët mund të rrëzojë
Nuk do të ketë mundësi
Flokët e tu t’i shpupurisë,
Ti kryet i fsheh në krahët e mi
Fytyrën e ngjesh pas gjoksit tim!
Dhe deri sa zemrat, të dyja
Të gëzojnë nga lumturia
Dhe çdo pikë loti, zambak,
Do të bëhet pak nga pak
Kur buzët me afsh t’i puthitim
Dhe Vdekjen me puthje ta cfilitim!

© shqipëroi Maksim Rakipaj