Kalendari poetik: Zydi Morava (1946-2010) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Kalendari poetik: Zydi Morava (1946-2010)
 
Në rubrikën time të përditëshme “kalendari poetik”, postoj shqipërime të miat prej poetëve të huaj që kanë datëlindjen në ditën përkatëse. Sot, në ditën e verës, sjell një poezi prej mikut tim të paharruar të burgjeve, shkrimtarit dhe lirikut të madh Zydi Morava. Të mbaj mend Zyd, kur u ktheve nga vizita në Pragë. Ç’vit qe? ’92, 93? Pate intervistuar presidentin çek Vaclav Havel në zyrën e tij. Nuk harroj kur më tregoje fjalët e Havelit: “Më vjen zor të them kam qënë i burgosur politik para një të burgosuri politik shqiptar…ç’të të them, ju keni qënë heronj!”
Sa kujtime kam me ty, Zyd…u takuam pas burgut, unë punoja minator në Gërdec, ti kositës bari dhe kujdestar kuajsh. Pimë bashkë në Durrës ditën që ngordhi enver haleja. Sa shpresa kishim…
Është dita e lindjes së tij sot dhe Dita e Verës. Do të mbushje 76 sot, i paharruari Zyd, që mbete përgjithmonë mik dhe vëlla për mua.
Ja një tufë me lirika prej Tij:
 
 
PA TITULL
 
Trokita në dyer që s’mu hapën
dhe fola në veshë të shurdhër.
Bisedova me mendje të verbëra,
sy të verbër më rrëfyen udhën.
 
Veshja ime është telat me gjemba,
ma sfiliti me shpirt e me trup.
Jetoj një kohë të mbarsur fëlliqësirash
pasardhsit prej saj do të kenë turp.
 
 
VESHUR ME DIELL
 
Ah, këto flutura që shpupurisin diellin,
Me dhuruan ca dit’ fëminie…
 
Tek i ndiqja me sy,
Të pashë ty,
Veshur me diell bukurie.
 
Më mbuluan zambakët
 
 
SHELGU
 
Sa qenka plakur shelgu
Që dikur na fshehu
Nga syt’ e të tjerëve,
Sa qenka tharë!…
Shihemi ndër sy
Na vjen për të qarë…
 
 
FLETA E SHKUNDUR
 
Fleta e shkundur nga vjeshta,
Në rënie,
Me aq elegancë,
Më kujton ikjen tënde…
 
Ikje që zvarrë më merr,
O dritëz, si ishull në terr.
 
 
LARG E LARG
 
Dhe mbetmë larg e larg si për mëshirë,
e digjemi nga larg si dy kandilë,
e mekemi nga larg si dy bilbilë,
e thahemi nga larg si trëndafilë
ende pa filluar të çelen mirë
kur bryma bie mbi ta ndaj të gdhirë…
 
 
KA DITË
 
Ka ditë që s’i laj duart.
Në to nuhas her’ mbas here
aromën që mbet prej trupit tënd.
 
 
maks
 
Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s