Luigi Tenco
Kalendari poetik: Luigi Tenco (1938-1967)
U lind më 21 mars 1938 Luixhi Tenko, kantautor, aktor, poet, instrumentist dhe kompozitor i njohur italian. Do të mbushte 84 sot, këngëtari që vdiq pa mbushur 29. Ishin vitet kur në San Remo këngëtarët ishin burra dhe këngëtaret ishin femra. Vdekja e tij (vrasje apo vetvrasje), në një hotel në Sanremo gjatë festivalit të këngës italiane, mbetet ende e mbështjellë në mister; në vitin 2006 u tha se hipoteza e vetvrasjes është më pranë së vërtetës. Njihet mirë edhe tek ne nga dashamirët e muzikës italiane. Sjell këtë poezi nga kantautori fatkeq italian; është një këngë që duhet ta dëgjojnë të gjithë ushtarët para se të shkojnë në luftë të vrasin, ose të vriten me moshatarët e tyre:
BALLADA E DETARIT
Në mes të detit një detar
me anijen e tij dhe një top
është nisur për në betejë
kundër armikut që s’ka parë dhe s’e njeh
veç portretin e një gruaje ka me vete
dhe ndonjë letër me ëndrrat e tij nëpër dete.
Në mes të detit një detar,
dhe një armik për ta fundosur,
i thanë se armiku, aspak nuk është si ne,
as zemër nuk ka, nuk di as të flasë,
i thanë se në do ëndrrat t’i mbrojë,
me guxim armikun duhet ta luftojë.
Në mes të detit një detar,
armik’ i tij në fund të detit,
por diçka mbeti mbi valë,
shkon të shohë, ç’të jetë vallë:
ndonjë letër dhe portretin e një gruaje gjeti,
qenë ëndrrat e armikut që shkoi në fund të detit…

© shqipëroi Maksim Rakipaj