KAQ E BRISHTË TË JETË HËNA?! / Fragment i shkëputur nga novela”NATË ME SHI” të librit “ZHGËNJIMI ” me autor Kristaq Turtulli

 
Fragment i shkëputur nga novela”NATË ME SHI” të librit “ZHGËNJIMI ” me autor Kristaq Turtulli
 
 
KAQ E BRISHTË TË JETË HËNA?!
 
Desdemona qëndroi e heshtur nën shkallinë, dukej shumë e trishtuar. Mbështillte dhe çmbështillte cepin e fustanit dhe, pa vështruar nga unë më tha:
– Ne jemi fëmijë budallenj.
– Budallenj?!
-Ëhë, dhe fatkeqë…
Sytë e saj ishin rrëmbushur nga lotët.
Më zuri për dore, doçka e saj e vogël e butë digjej. S’lëviza. Dridhej dhe digjej si furrë. Dëgjuam që shkallët u shkundën prej hapave të shpejtë dhe të rëndë. U hap me forcë deriçka e vogël e nën shkallëve ku na kishin rasur mëmat tona dhe një grua ezmere, fytyrëgjerë zgjati kryet brenda. Ishte e ëma e Desdemonës. Ajo kish gjoks të madh dhe fustan të shkalafitur. Sisët e bollshme i vareshin pothuajse jashtë, zë prerë urdhëroi:
-Desdemona dil shpejt.
– Mami im është me nerva,- mërmëriti e frikësuar Desdemona, nuk i ktheu përgjigje e as lëvizi prej vendit, por erdhi dhe u ngjesh pas meje. Si një zogth pushbardhë përvëlonte e tëra.
-Kam frikë, – mërmëriti.
-Desdemona! Më dëgjove çfarë të thashë! Dil!
– Nuk dua të shkoj atje, ku më çon mamaja. Dua të ri këtu, me ty,- më pëshpëriti zë dredhur. Buza i dridhej:- Të lutem mos më lër. Mamaja më shan, më bërtet dhe atje ku shkoj është tmerr…
Qëndroja gjunjë mbledhur, pa folur. Gruaja shfryu me zhurmë dhe e inatosur e tërhoqi Desdemonen me forcë prej stofullës. Vajza rënkoi nga dhembja. Kundërshtoi. U gërvisht në krah nga një gozhdë, klithi. Gruaja diç i tha, fytyra e saj ish e shtrembëruar prej nervozizmit dhe sisët e varura, të dala mbi fustani e hapur, u tundën, u shkundën si sisë lope. Vajza s’bëzante. Gruaja e kërcënoi: -Po nuk më dëgjove do të ndëshkoj.
-Jo… o…o…o,- ia bëri Desdemona dhe kundërshtoi me kokëfortësi. Pa ditur çfarë të bënte, u mblodh, vuri gjunjët në dysheme dhe vari kryet përdhe. Vështroi gjithë trishtim nga foleja ku isha strukur unë dhe shkundi kokën në shenjë dëshpërimi e klithi:
– Mos më ço atje, të lutem, ka burra të ligj që më mundojnë…
E ëma iu gërmuq:
-Pse mua nuk më mundojnë burrat hë?! Hajt lëviz prej vendit. Nuk kam krahë të ngre peshë.
-S’dua të shkoj atje,- këmbënguli Desdemona:- Të gjithë janë të ligj, më ndukin, më trazojnë, më mundojnë.
Gruaja gjoksmadhe u tërbua. Përplasi këmbën me inat në dysheme. Taka e hollë e këpucës u ngul si gozhdë në plasën ndarëse midis dy dërrasave të dyshemesë. E shkuli këpucën me inat dhe ulëriti:
-Nuk do të shkosh hë!? Ta tregoj unë si të shkosh atje, – dhe nisi ta shqepte të bijën pa mëshirë me shuplaka.
Unë ndjeva dhembshuri për Desdemonën. Mu bë shumë e afërt. Isha gati të dilja dhe ti thosha gruas sisë jashtë, të mos e godiste me shuplaka. Përse duhet të bëjmë atë që nuk na pëlqen. Përse jemi kaq të vegjël e të pafuqishëm, të na rrahin dhe ndëshkojnë për hiç mos gjë? Por nuk lëviza prej vendit. Nuk guxova. Koka e Desdemonës ngeli e kthyer prapa. Sytë e saj vështronin me lutje për ndihmë nën shkallën, ku isha unë, fëmijë i dobët, i pambrojtur si ajo…
Ato ikën, mbeta vetëm. Vonë erdhi nëna dhe ajo çuditërisht e nervozuar. Më tërhoqi me vrull pas krahut duke mërmëritur dhe sharë me vete. Këpucët me taka e pengonin, ecte shtrembër. I shkuli prej këmbeve me inat, eci zbathur dhe mërmëriti:
-Botë e poshtër…
Po të kisha kundërshtuar ndoshta dhe unë do rrahesha prej mamasë.
Nata ishte me mjegull dhe hënë nuk kish.
Kaq e brishtë të jetë hëna, sa humbet sakaq prej shiut dhe mjegullës?! Po ne fëmijët…?!
 
 
kristaq
 
Kristaq Turtulli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s