Poezi nga Rudina Muharremi Beja
Pengu im
M’ u duk sikur humba diellin çmendurak,
kur humba shtëpinë që pata në atdhe,
hënën që përherë më vështronte nga larg
dhe dëshirën për t’u kthyer prapë atje.
Mërzitur, bëj gati dhe një herë valixhet
pengut të mbetur, trishtimit si kujtim
dhe zhytem sërish mjegullës së reve
psherëtimash, lamtumirën t’i le vendit tim.
Më kumbojnë ende zëra në kujtesë
rënkimi i erës, angushtimi i mbledhur
përqafimi i nënës, i të afërmve gjithashtu,
dhe lotët, kaherë, vetmive derdhur.
Më kot mërzitem kur veten pyes,
ku do të vete kur të kthehem pas?!
Kudo do të gjej të ëmblën dashuri
atë të përjetshmen që rritet veç atje…
Dhe heshtur vrapoj përmes shëllunga resh
magjisë së netëve varur në muzg
lëndinave të mekura zgjuar në pranverë,
për të mbërritur shenjtërisë në më të thellin shpirt!
Sinkron
Akrepat shtyjnë kohën trokut të lehtë
unë, emocionet radhis në një frazë
Natyra, pamjet i zhvendos beftë,
era oborrit përkund një kolovajzë.
Përreth meje, parfume të kulluara
Qetësi e bekuar që kaherë më mbështjell…
fjala e mirë, mbillet si farë me shpresë
që bashkë me lulet në pranverë të çelë
Shkallët
Unë nuk mund t’i kapërdij të djeshmet, pa zbritur më parë nëpër ato shkallë,
thërrimet pa ua mbledhur të gjitha melankolive,
notat të tëra melodive,
dhimbjet pa i bërë edhe një herë gërshet,
pa u arratisur edhe një herë heshtjeve të bekuara,
rebusit të mijëra labirinteve,
e thepajave të lodhura darovitjes së reve
që me vete, sjellin përherë rrufe…
Më pas mund të ngjitem shkallëve të shpirtit,
të fluturoj sërish lartësive,
atje ku korbat dot nuk venë
qiejve të kaltër,
dhe me fije shprese në sqep, e me të sotmet,
mbi pemën e së ardhmes të ndërtoj folenë…
Nganjëherë
Ndoshta ti je një mendim i parrëfyer
apo një regëtimë që trazon
kur troket dritares vetmitare
mbrëmjeve të ftohta
Nganjëherë më ngjan me një zbulim të ri
ardhur karvanëve që shkojnë,
e nganjëherë si një diell i fshehur
mjegullave që verbojnë…
Nganjëherë zbret me hapin e ngadaltë
qytetit rënë në letargji
ndërsa nganjëherë vjen si një mungesë
që asgjë s’është tjetër veçse prani..