Poezi nga Fejzi Murati
ÇASTE MAGJIKE
Oh sa magji kur fluturojnë pëllumbat dashuruar
e jeta na thërret me dritat dhe ylberët e saj,
kur luajnë gjithë elegancë delfinët mes dallgëve,
kur na deh aroma flladitëse e luleve në maj,
kur valët lozanjare puthin ëmbël brigjet,
kur pulbrdhat shkruajnë mbi det e nën qiell poezi,
kur nusja me të bardha hedh pas shpine tufën e fatit,
kur qarjet e bebes lajmërojnë:
Ka lindur një fëmijë.
EMRI YT…
Shkruaj emrin tënd mbi rërën e lagur
deti dërgon valët dhe e fshin me xhelozi,
po unë nuk dorëzohem,
e rishkruaj
dhe deti e fshin përsëri e përsëri..
Të dy luajmë me emrin tënd të bukur
dhe unë dhe ai.
Nuk u zemërohem valëve lozanjare,
ato llastohet pas emrit tënd, si femijë
emri yt është bërë pjesë e zemrës sime
po valëzat nuk kanë se si ta dijnë.
Në mbrëmje e rishkruaj emrin tënd
mbi retë e përskuqura gjatë perëndimit.
Por eeeeh!
Nuk më lenë rehat pulbardhat xheloze,
e rrëmbejnë me sqep gjatë fluturimit.
Natën më shfaqesh si sirenë e dalë nga deti
për t’më ardhur reale me diellin, ndaj agimit.
AJKUNA DHE TROJET
U thinje, Ajkunë,
U thinje!
Klithma jote: “T’u shkimtë drita ty o mori hanë!”
tundi themelet e bjeshkëve
shekuj me rradhë.
Malet ulnën kryet me nderim për dhimbjen tënde!
Dielli nuk ngrohu më si më parë.
Atje,
mbi varrin e Omerit poshtë një rrapi në Jutbinë,
zanat vajtojnë së bashku me ty
me kujen-vaj e vajin pa fund e pa cak.
Klithma jote
furtunë mbi shekujt, për Omerët e këtij trualli
të larë më lotë dhe gjak.
Tre mijë vjet pas teje,
vajtoi dhe Hekuba trimin Hektor atje në Trojën e largët,
rënë nën shpatën e Akilit
në duelin më të madh të historisë.
Edhe trojet e Trojës, si trojet tona,
u dogjën nën flakë.
u mbuluan prej zisë.
Shekujt udhëtojnë pa kthyer kryet pas, Ajkunë!
Por vaji yt,
është thikë për kohërat, gjer në eshtër!
Ajkunat e reja të kësaj toke martire,
vajtojnë për vrasje,
pabesi,
krime e genjeshtër…
Krime që s’po ndalen as dje as sot…
Dhe malet ulin kryet
dhe bjeshkët dherdhin lot!
U thinje, Ajkunë,
u thinje!
Vaji yt na ndjek pas ndër vite!