Poezi nga Ledia Dushi
Grueja ankth
Sonte
ka shi,
erna
emnash
t’ngatërruem.
N’nji dhomë
muresh t’përflakuna:
fundi i nji feste,
nuse pecash
nëpër tokë…
Grueja ankth
t’puth n’nerva…
lumnueshëm
sjell ciklonin
ndër duar…
Kam me vdekë
e përgjumun
n’përrallën
e të tjerëve.
Dhomë
Dielli e Dimni
janë
gja e dhomës,
trupi im
kacavarë n’mur…
Ndjesitë
kanë kapërdi
Pranverë.
Asgjaja
hidhet n’shtrat
tue ia marrë menden
hijeve…
Më shkon gjaku
plot
me fantazma
engjëjsh
që ecin…
Tërbueshëm
ndjej
si shpendët
tingëllojnë
prej druni…
Due veç
nji fjalë
me i thanë
Shpirtit
se e ndjej.
Ndryshue
Asht
tue ardhë koha
me na pa
me hijen e lirimit
mbështjellë…
Jam qenie…
dua gjanat
që nuk kam…
Asgja
s’asht
ma afër,
ma larg
se Toka…
Ia kam dhanë
frutat
krymbave,
zambakët
larvave…
Ndoshta
m’asht shformue
zemra…
( e unë s’e di)
Ujë i gjelbër
Kur t’rritim
kam me kenë
e Vogël…
Uji i gjelbër
bari ma i ambël
n’botë,
ledina
e peshqve
që ecin…
N’qiell
asgja
s’asht e imja,
as n’tokë;
n’kry ndjej
zhurmën e kingjave
n’gur,
ngjyrat
e ngjituna
n’fruta t’syve.