Tomas Tranströmer
Kalendari poetik: Tomas Tranströmer (1931-2015)
U lind më 15 prill 1931 Tomas Tranströmer, ishte shkrimtar, poet dhe përkthyes suedez, shumë i nderuar në vendin e tij, fitues i çmimit të Këshillit Nordik për Letërsinë në vitin 1990, fitues në Mbrëmjet Poetike të Strugës (si Neruda, Edoardo Sanguineti dhe Eugenio Montale) etj., dhe fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 2011. Ja përzgjedhja ime sot:
NËNTOR NË ISH RDGJ*
Syri i qiklopit të plotfuqishëm mjegullohet
dhe bari struket e dridhet nën pluhurin e qymyrit.
Të nxirë dhe të mavijosur nga ëndrrat e natës
hipim në trenin
që ndalon dhe ngroh vezët
në çdo stacion.
Mezi dëgjohet tingëllimi i kovave të këmbanave të kishës
duke marrë ujë.
Dhe kolla kryeneçe e dikujt
sikur qorton të gjithë dhe gjithçka.
Një idhull i gurtë lëviz buzët:
është qyteti.
I sunduar nga keqkuptime të forta
mes atyre që mbajnë radhën te kasapët
mekanikë, oficerë detarë
keqkuptime të forta, akademike!
Sa më dhëmbin sytë!
Lexojnë nën dritën e zbehtë
të llampave që ndriçojnë si xixëllonjat.
Nëntori dhuron karamele graniti.
E paparishikueshme!
Si historia e botës që gajaset në vendin e gabuar.
Por ne mbajmë vesh zhurmën
e kovave të këmbanave të kishës që mbushin ujë
çdo të mërkurë
-vërtet është e mërkurë?-
edhe kaq është tepër për të dielat tona!
shënim: RDGJ* (DDR) – ish Republika Demokratike Gjermane, ose Gjermania lindore komuniste para shëmbjes së murit të Berlinit.

© shqipëroi Maksim Rakipaj