Poezi nga Myrteza Mara

 
Poezi nga Myrteza Mara
 
 
MOS KËRKONI NATËN
 
E keni kot,
mos kërkoni natën
në urtësinë e fjalëve të heshtjes,
çka se në tregun e çudirave
blejmë dhe shesim marrëzitë tona.
 
Nxirreni kujtesën
nga hambari i harrimit
dhe ruajuni nga gjuhëgjatët
se në vend të fjalëve latojnë thikat.
 
Diellin e mbollëm në pikën e djersës
pse në lumenjt e gjakut korrim errësirë?!
Po ndërtohen shumë ura të shembshme,
pa rrënjë, por ne dimë të qajmë bukur.
 
Në furrikun tuaj
jeni duke ngrohur klithmat e fitoreve
por kujdes,
nuk janë të gjitha vezë pëllumbi,
lisi i qyqes është afër…
 
Ju ruajtë Zoti!
Në urtësinë e këtyre fjalëve
mos u lodhni të kërkoni natën.
 
 
HORIZONTE TË RRËZUARA
 
Litarët e kambanave këputur, s’ka tinguj,
Erërat fishkëllejnë melodinë e ortekëve
Ajri dhe drita si heronj të lidhur
Në heshtje psallen himnet e vdekjeve.
 
Djajt vishen bukur, vezullim mëkati
Pikturojnë heroglifet e plagëve pa emër
Pikëpyetje të krrusura mbi eshtrat e fatit
Globin e goditën me shigjetë në zemër.
 
Nën strehë dëshpërimi pikon dhimbja,
Trualli gropëzohet nga plumbat e lotëve
Tkurrur toka, ka frikë nga lindja
Kërrcasin meridianët e të dy botëve.
 
Ret’e trishtimit në shtegun e humbëtirës,
Bravat e ndryshkura kuisin si shpellë
Gjëmojnë dinosaurët në oda të greminës
Dhe ajrin dhe dritën ngjyrosin me të zezë.
 
Klithmojnë malet ndër humnera varrosur
Legjenda të vrara mbi lisat pa rrënjë
Horizonte të rrëzuara, shpres’ e plagosur
Kjo botë invalide, pa gaz e pa këngë!
 
Kjo luftë e egër me front e prapavijë
Plumbat mbi njerëz si të jenë tabelë
E gjithë bota shndrruar në ushtri
Raketat dhe bombat paskan sot vlerë.
 
Veç shpresa djersinë të pastroj diellin
Kjo botë do të marrë sërish frymë
Qiejt do të mbushen me harqe ylberi
Me çmim të shjtrenjtë paguajmë lirinë.
 
Dashuria për jetën e vetmja armë,
Armë e fuqishme që mund vdekjen
Njerëz! Të mësojmë nga ky alarm
Ta njohim e ta duam më shumë veten.
 
 
BISEDË ME NJË YLL
 
O ylli pa emër!
Jam unë, anonimi,
me kujtesë të lodhur,
të lodhur kam dhe zemrën,
veç kënga më mban gjallë.
Mos e kurse dritën,
ndriço të lutem
në varfërin e rrudhur të netëve
dhe eja më ndihmo
të lirojmë të vdekurit nga vdekja!
 
Tani që fajësia fitoi pafajësinë
s’ka ç’duhet më e drejta,
as përtejjeta!
Vetëm ti ke mbetur,
shtegtar i vonuar
si piramidë e ndezur,
për të treguar rrugën
mos të shkelim mbi kufoma!
 
O yll, ndriço të lutem
mbi pasqyrën e shpirtrave tanë,
të paktën të njohim veten!
Kaq mëkatarë
nuk na pranon asnjë planet tjetër!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s