Poezi nga Mirela Papuçiu

 
Poezi nga Mirela Papuçiu
 
 
KA NGA ATO DITË
 
E ke blerë edhe ti, njëherë, një orë dore më shumë.
E mban në sirtar bashkë me të tjerat
qëkur kuptove se kohën e masin duart e dashura
që davarisin humbjet e prajta prej ballit.
 
Ke pasur ditë kur me gjithë aritmetikën që di
nuk ia dole të derdhësh në bankë ca minuta
që ia vlejnë të mbahen mend.
Amnezinë e merrje pēr paqe,
buzëqeshjet i rrokullisje në fundin e një jete tjetër
Dite me lista punësh të kryera por qiejsh të rrëzuar
 
Ke pasur edhe ditë kur ke dashur.
Ke dashur e s’ i ka hyrë në punë kujt,
përveç teje…
 
 
FUND I HAPUR
 
Dita cigare e pathithur që shkon në fund
Hiri i saj në gishta me kujton se pakogjë
mund te fshihet pas rrathëve të tymit.
Në teatrin lëvizës të syve pa rol harresa
por kjo është një shfaqje e jetës
e regjia, kuptohet, ka preferenca.
 
Nata, bisht i pafikur kujtimesh
më grish t’ i marr dorën errësirës
si nje nënoleje që e nderojmë nga frika
dy a tri orë arratisje për t’ u shplodhur nga detyra
Si spektatore e një fundi të pambyllur
 
Nuk di, a fola qartë apo përçartja
është e vetmja hënë e ca të vërtetave.
 
 
GENOCID
 
Zare që përsillen në vend të syve
Drita vërtitet pa rrugëdalje
Njerëz e objekte mbeten pa trajta
Ah, zare të verbër që mbjellin zarare
në tokat ku fëmijët mbijnë si drithëra të mirë.
 
Nëntoka bujarja e përjetshme
Mblodhi në katër cepat rënkimet
e nënave e të fëmijëve dhe i mbolli
I ujiti me lëngun e kuq si u shtrydh
mirë e mirë
Lulëkuqet në ara përndizen mbi kërcenj
si kujtesa në gjakun e Kosovës.
 
Ata që mbajnë në duar bajoneta
ndoshta kurrë nuk dëgjuan përralla
Ndaj, drita u vjen si nuset e një nate
në shtratin e Shahryarit
Atij që, më pas, Sheherazadja ia shkuli
zemrën e ia vuri në sy.
 
 
JETOJ ME IKJET
 
Përditë më troket në derë ikja
Drojshëm, por pa harruar
Ta shtrëngojë mes dhëmbësh
Dridhjen e buzës
Ndërsa lexon vendimin
E pakthyeshëm.
 
Përdite më troket në derë ikja
Kjo e keqe e dashur
Që më mëson të dua
Atë që është, atëhere kur është
Të mos e lë të bëhet ikje
Ta dua aq fort saqë dhe kur të ikë
Të mos ikë dot prej meje.
 
Përditë më troket në derë ikja
Si një shans për të mbajtur ç’ mund.
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s