Poezi nga Merita Paparisto

 
Poezi nga Merita Paparisto
 
 
Një
(haiku)
 
Mbolla një zambak të kuq
Në një plis dhimbje
Mbi të lotoi reja.
 
 
Vaji i Demetres* per Persephonen**
 
Lotët e degëve, o jete, për ty
i ngjeva me ngjyra
pikëza pikuan,
qilimin e ikjes tënde shtruan.
O dëshperimi im, çdo gjelberim mbaroftë ,
me zënë e erës kuistë kuja ime
çdo gjë e thaftë dhe e zhveshtë mbi dhê,
që të të shosh dhe të të gjej. Ku je?
 
Fytyrë’ e diellit
u shndrroftë në gojë të madhe
me dhëmbët mashtrues të ceberit
çdo gjë që ndriçoftë,
e gënjeftë, e kafshoftë…
O dritë ku je?
 
Kërkova qiell e dhê, pyje lumej,
male e fusha çdo skutë e terr,
gjeth’ a gëmushë…
mallkuar qoftë çdo fije jetë,
kur jeta ime nuk është më,
në akull toka u mbuloftë,
u lidhtë u ngriftë, u përcëlloftë
e ftohta ditët le t’i brejë,
ashtu si brenga bren një shpirt
pishtari i Hekates*** përcëlloftë,
çdo degë peme a fije bari
jeta shteroftë mbi këtë botë,
nëse e vogla ime nuk sheh dritë
vaji i thatësirës dhe i zisë,
tokën shkretoftë
qiejt pushtoftë,
deri në fron’ të Zeusit arriftë.
 
O bijëz, që egër të rrëmbeu,
qënia e zezë e dhimbjes dhe territ,
në cilën palë të dheut të shpuri?
Me kokrrat e lëngshme të shegës,
si të gënjeu?
 
Shegë e kuqe, frut lëkurë- tharë
si zemra ime copëtuar e çarë.
Në një shtjellë dhimbje,
malli dhe zemërimi,
moj bijëzë , jam shndërruar,
uragan që than
e udhën hap për urinë dhe vdekjen thatësirën..
Oh, kjo mungesa jote tek mua,
vrau çdo gjë të mbetur gjallë
dhe nuk do di vallë,
a do rilindem kur të të shoh?
 
Po unë e ndjej që ti je diku, o bijë,
se mbi mallkimin tim vure trupin tënd,
o pjesë e trupit tim.
Farat me vete mbarte dhe mbarse
çdo rrënjë të gjallë,
kur pranë tyre nën dhê kalove.
Shoh si u frynë barqet e vegjël të sytheve
dhe aty je ti;
tre muaj zgjati kjo barrë, tre muaj të vrantë,
udhës tënde për në terr të zi
ti nëndheun gjallërove,
O Perëndi e mbarsjes, lindjes, jetës…!
 
Me ç’etje të pangopur
zot’ i nën dheut****
u vërsul mbi ty
si mund të dashurojë mbarsjen lindjen,
dritën ai mbret dhe zot i vdekjes?
As dashuria e përdhuntë
forcën e jetës nuk ta fiku,
e errët ndjenja e rrëmbyesit,
por shpirtit nuk ia shoi bardhësinë.
 
Të pres, o dritë, të ngjitesh për tek unë, eja!
Dielli do të të mbushë me jetë e
ti jetë dheut do i japësh,
do çelë dhe lulëzojë
çdo gjë e gjallë për ty ,
o ajri im, kur ti të jesh me mua
frymë do i jap tokës dhe të mbjellave .
Eja, bijëzë e dashur festime do shtroj për ty në Eleusis*****
dhe bashkë do i mësojmë njerëzve artin e përjetësisë,
kufirin mes dashurisë, jetës, dhimbjes dhe tmerrit… dritës dhe territ.
 
*Mitologjia Greke – Perendeshe e drithrave dhe gjithe te mbjellave
** Mitologjia Greke – E bija e Demetre dhe Zeusit. Perendeshe e pranveres, dhe fertilitetit dhe me pas rrembimit nga Hades, perendeshe e nendheut gjithashtu.
*** Mitologjia Greke – Perendeshe e udhekryqeve, shtrigave dhe magjive barnave te helmeta
**** Hades – Mitologjia Greke – Perendi e nendheut
***** Eleusis – Mitologjia Greke – Fshat ku kryheshin Festime rituale teper misterioze dy here ne vit kur Persephone takonte te emen Demeter.
 
 
Anipse…
 
Pluhni i krahve t’flutrave
vazhdon me ranë…ranë… ranë…
n’lug
anipse ato kanë shtegtue
vite t’shkueme pa kthim.
 
Pemt’ e rralla presin
t’prekunit e mollzave me u përkul.
Janë t’vakta dit’t e ndriçueme
nga rrkajë e zezë e korbit t’Poes…
e muzg’ i amël t’rren… rren… rren
se i dit’ shtegtaret kanë m’u kthye.
 
 
Do përplasemi?
 
Qytezë brënda kështjellës
e ndërtuar me kube
nga fëmijëria…
me udhëza të ngushta,
shtëpi me avlli e dyer druri,
dritare me qepena…
në krye të rrugës,
kënga misterioze e muezinit…
 
labirinthet janë të pjerrët dhe dinakë…
do përplasemi?
 
Do përplasemi një ditë, si zaret me ngjyra
në lojën e fëmijërisë, veç për një çast
për tu shtyrë më pas në drejtime të kundërta…
Zaret e vegjël të hedhur nga duart e imta
të fëmijëve, që jemi vetë ne.
 
Do përplasemi?
 
Vetëm për një çast
se çast është lumturia…fije drite…
çdo gjë që zgjat më shumë se aq,
humbet në labirinthin pa dalje
të pyetjeve që kurrë nuk kanë përgjigje…
 
Dhe drita është zjarr si të gjithë zjarret
me destinin të shuhet një ditë…
Vetëm lumejtë rrjedhin përjetë
lumenjte që fillojnë të rrëmbyer
dhe shtrohen e hapen në deltë.
 
Hajd’ përplasemi pra…. Vetëm për një çast.
Si zaret e qelqtë me ngjyra…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s