Poezi nga Rudina Muharremi Beja

 
Poezi nga Rudina Muharremi Beja
 
 
Vetëm një herë
 
Vetëm një herë ta ndieva ngrohtësinë
rrahjet e zemrës e lotin kristal,
vetëm një herë ta ndjeva mirësinë
kurrë më parë, kurrë më pas.
 
Vetëm një herë qëndrova mbështjellë
krahëve të tu, të hollë e të bardhë,
vetëm njëherë u ndieva e vockël
përqafimit të gjatë e të pafjalë…
 
 
 
Nuk je
 
Sa herë një hap hedh
apo horizontet kur shpalosin ylberë
mendimet më grryejnë
faqen një lot e gërvish kaherë.
Mezi pres të të tregoj,
…por kujtohem se nuk je as këtë herë…
 
 
 
Ditë e humbur
 
Dielli zbret me një mijë vezullime
e struket pas kreshtës së një tjetër mali,
mbrëmjes më gjen sërish këtu
pritjes së gjatë,
tek ruaj kështjellën e shpirtit
veten duke ushqyer me grimca heshtjeje.
 
 
Forcë e pabesueshme!
 
Këto rreze të ngrohta
më tepër se për një ditë unike
bëhen psherëtima e më flasin
për një ditë të humbur
që s’ka për t’u kthyer më kurrë…
 
 
 
***
 
Dritaret zvogëlohen, sa herë më robërojnë dilemat,
dhimbjet pa ngjyra kur më brejnë
ulem në një teh të humnerës time
kohës ku humbas butësinë e zemrës
dhe rrek forcën e fundit të frymëve.
 
Sa të lartë muret, që më ndajnë nga vetja!
 
 
 
Orfe
 
Orfe
Ndiehen ende tingujt e lirës që të fali Apollo
e që muzat të mësuan si t’i biesh,
dëgjohen këngët që qajnë
ujërave plot zhurmë,
tek zbresin rrëmbyer për t’u përhumbur fyellit
e me sytë e brishtë sjell pranverat.
 
Orfe
Prekja e magjishme e atyre gishtërinjve
fijeve shtuar nga duart e tua
për të krijuar magjinë e melodive
e të fjalëve shndërruar më pas në këngë,
që të mahnisje të gjitha krijesat përqark
e muzat që përcillnin korin e stinëve
teksa frymën, derdhje në vargje
e symbyllur këndoje për Euridikën.
 
Orfe
Ti s’mund ta dije se sfondeve matanë
fati do të rrokullisej kundër
dhe se kafshimi i helmët fshehur barit të gjatë
atë do ta humbiste,
e se një qyqe
që atëherë do këndonte përditë
qenien për të ta mbushur me mungesë
trishtimit vizatuar përgjithmonë në shpirt.
 
Orfe
dashuria jote s’u venit për asnjë çast
e guxove të zbrisnje deri portave të Hadit
territ të mijëvjeçarëve,
me dëshpërimin e një brenge që brente,
përmes klithjes së shpirtit
e lotit, që s’dinte të ndalte.
 
Orfe
Dhimbja jote do t’i shkrinte edhe akullnajat më të thella
do të zbuste tërë gurëzimin e zemrave
do të ndizte sërish shpresën e shpirtrave,
që të ceknin përsëri ato dyert memece
për të udhëtuar drejt një pranvere
që tretet mjegullave e agimeve.
 
Orfe
Me lirën tënde do ta bindje edhe Hadin
për madhështinë e asaj ndjenje,
që pranoi të ta kthejë Euridikën
së bashku për të prekur ngrohtësinë e rrezeve,
zërave të ndritshëm,
për të kënduar sërish meloditë e zemrave
larg hijeve,
 
…, sikur gjer në fundin e ditëve
ndezur tek mbaje kandilin e shpirtit!
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s