Kalendari poetik: Ferida Duraković 18 prill 1957 / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Ferida Duraković
 
Kalendari poetik: Ferida Duraković 18 prill 1957
 
E njoha para tre vitesh poeten bosnjake Ferida Durakoviq. Duke kërkuar në wikipedia, meqë datën 18 prill e kisha të bardhë në kalendarin poetik, hasa në emrin e poetes nga Sarajeva.
Në vitin 1980 diplomoi për filozofi në Sarajevë dhe ka botuar disa libra për të rritur dhe fëmijë. Ka marrë disa çmime, mes të tjerash Found for Free Expression USA më 1993 dhe Vasyl Stus Freedom-to-Write Award më 1999. Është poete e mrekullueshme, që godet fort; sjell këtë poezi nga poetja Ferida, një nga krijimet e fundit të saj duke i uruar dhe 65 vjetorin e lindjes:
 
 
RRËFEMË PËR LUFTËN (PRIČAJ MI O RATU)
 
Rrëfemë për luftën, gjysh
atëhere kur shkove të kositje barin
dhe u kosite vetë nga një breshëri
që të këputi e të hodhi mbi bar.
 
Thuamë në kundërmonte pranverë lëndina
që të mbeti në sytë e hapur
në mbeti atje njomur nga dashuria
sepse buzë livadhit pe
tët shoqe shtatzanë me barkun te goja
që të thirri: Eja shpejt, më filluan të prerat!
 
Dhe ti kujtove se i the:
Ja, erdha! Shko shpejt në shtrat
ika vrap të sjell maminë!
 
Por më duhet të shtrihem një çast
sa të marr veten pak
nga kjo dhëmbje në gjoks
i paskam duart me gjak
i kujt të jetë vallë ky gjak?
 
Rrëfemë për luftën, ati im
atë çka yt atë s’mundi të na rrëfejë
dhe ushtritë e të fuqishmëve luftojnë sërish
për çka, me çka dhe në shërbim të kujt, për ç’qëllim?
 
Rrëfemë çka di, ati im
për katër motrat e mia të uritura, nënën vejushë
një bukuroshe tridhjetë vjeçe:
katër zoçka dhe nëna klloçë e uritur
buzë livadhit duke të thirrur: Kthehu tek ne!
Kemi uri! Jemi vetëm!
Mos shko! Një breshëri do të të kositë edhe ty
dhe do të të hedhë mbi bar pa shpirt!
 
Rrëfemë për luftën, moj nënë
Për mjerimin e të varfërve
për revolen e tankun prej plastike
që për ditëlindje u dhuron mbesave, nipërve
për pesë fije kashte në vorbullën e botës
që fshiu pesë jetët e tua.
 
Rrëfemë për luftën, nënë fatzezë
djemtë, vajzat
që i quan “bijtë e mi” me dhëmshuri
që i kositi një breshëri
dhe i plandosi mbi lëndinë.
 
Rrëfemë për luftën, moj nënë motër,
para se të përmendem e lebetitur
duke klithur buzë lëndinës:
Eja shpejt, më filluan të prerat! Ndihmë!
 
 
maks
 
© shqipëroi Maksim Rakipaj
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s