Poezi nga Vasil Çuklla
Kënga e haresës
Motmot më ke dashur,
mban mend?
Vërsnike pranverës,
erë e trëndelinës
Gjithë lulet e Majit,
si kurora e vesës
Përmbi flokë të rrijnë,
zë i gjeraqinës!…
Këngë tretur,
haruar,
honesh të haresës!
Ato sy të shkruar,
mesqiellit të ballit
Ndrinin, si ndrinë diejt,
e nata s’do hënë.
Vetulla gajtan,
ujdhesë gurëzallit.
Buzët kafshojnë ëmbël,
atë fjalë, pathënë…
Këngë tretur,
haruar,
honeve të mallit!
Ajo gush pëllumbi,
ky gjoks i arrirë
Marrur m’a kanë mëndjen,
më bënë ujem
Si gurin, ngadalë,
pikëuji ka grrirë
Më grryen, më shqyen,
kujt hallin t’i them?!
Këngë tretur,
haruar,
motmotesh e ngrirë!
Rozafa
Murajës murosur. Gurkështjellës e tretur
Gjinxjerrë, e paturp. Bonjakun kon. Jetën
Helmuar helmtrishtit. Mosfrymimit e fjetur
Rozafë qafështerg. Mes miteve mbetur
Heshtisë ulërritëse fjalosesh, e heshtur!
Nuk kam tjetër dhuratë
Merre!
T’a kam falur!
Për ty e zbrita,
hënën
në gjithnatë.
Të mund,
t’ju ngrohë,
vagëllt,
në pëqi.
Të të ndrijë
neteve,
mendimin
e zvargët…
Të vesh arit,
lotin,
tek lag,
synë e zi
Merre,
sa terrnatën,
agu
s’e ka zbardhur!
Të lutem,
pranoje!
Nuk kam tjetër,
dhuratë!
Do të nisesha,
t’ju zbres,
yllin më të largët.
Mijëra,
vite dritë…
Po kë të le,
aty?
Jam thinjur,
je thinjur.
Nuk di
në do të kthehem…
Nuk di,
dhe po u ktheva,
të gjej…
përsëri?!…
Vendosa,
qiellin tonë,
t’a përzgjedhim,
të zbrazët!
Në të,
planet të vetëm
të jemi,
unë edhe Ti.
Nuk di,
përse qiejt,
më dehin dhe dehem!
Ndoshta,
ke pak faj…
Ke faj
edhe Ti!
Se s’më mësove,
kurrë,
të di,
si rrohet vetëm…
Se s’më mësove,
kurrë,
çfarë do të thotë, vetmi!
Sikur, i dëgjoj
Heshtni!…
Për nder të turpit tonë,
tani mos flisni!
Lotët, që prej syve na hepojnë,
janë kallpë!
Sikundër kallpe është tmerrbritma jonë
si zë, qenësh brashnjarë, kur kuisin.
Ngujuar gurmazesh, ndukur hundësh nën hallkë,
se ligjërojnë “këmbët” dhe na thonë, prisni!…
Ne…
Unë edhe ju,
tok e vramë!
Ne, q’u rropatëm,
t’a sillnim të bukur.
Krahëshkruar,
të brishtë, porsi flutur…
diellit, një ditë në të perënduar
Ne,
që dhe malet, mbi supe i mbamë!
Po, po!
Ne.
Unë edhe ju.
Tok e vramë!
Ne,
q’u munduam të vinte
e virgjër, si vet virgjëria
Ne,
që s’u trandëm nga krismat, buçimat
e shkrepash na u thinj djalëria.
Po, po.
Ne.
Unë edhe ju.
Tok e vramë!
E lamë
mes duarsh të përshpirtet,
të vdesë,
si vdes me turp, paburrëria.
Kujt i duhet tashmë,
kjo kuje e vranë,
kur heshtëm njëzëri?!
Kujt i duhen tashmë, jargët tona,
lotët tanë,
kur gjaku i martirëve,
ulërrin tek flamuri?!
Liria s’u vetvra!
Ne e vramë,
me mallkim-heshtjen tonë,
nën zë burri!