Poezi nga Josif Gegprifti
Pas erës do shkoj…
Me muzgun po rri në vetmi,
Mërzitur, i brengosur e pa fat,
s’do shkruaj më poezi,
si i marrë do bredh rrugëve përnatë.
Pas erës do shkoj kur të fryjë,
me shiun do luaj kur të bjerë,
për hënën, diellin, tokën e yjet,
le të shkruajnë poetë të tjerë.
Do ndihem i qetë e i rinuar,
do dehem çdo natë me verë,
me kitarë do këndoj papushuar,
dhe mërzitjen s’do ta ndjej asnjëherë.
Në çdo ëndërr, njësoj!
Mbrëmë,
më erdhe në ëndërr!
Në një lëndinë
të lulëzuar
shëtisje si engjëll!
Pranë teje,
ishim unë dhe pranvera…
të tre, me moshën e rinisë!
…sa çudi,
gjithmonë në ëndrra,
takohemi të rinj….!
Ata ikën…
Ata
I ngjitën shkallët
Dhe arritën
Majën e Piramidës,
Por u larguan nga njerëzit,
S’kishim mundësi
Të takonin duart,
Të shkelnin në tokën që i rriti.
Ata
Arritën majën,
Por humbën dashurinë
Harruan varfërinë,
Kujtonin se prej qiellit vinin.
Ata,
Eh, ata ikën,
Por të tjerë erdhën,
Si dhëmbzat e një rrote
Të baltuar nga e njëjta baltë.