Vëshgim bazues reflektiv në lindjen e “Antologjisë së poetëve italianë”
nga Sinan Vaka
Jam i sigurt, se çdo përkthyes e ka të qartë që vjershërimi qëndron në një formë të organizuar të ligjëratës dhe kjo e fundit nga ajo çfarë komunikon, ndërsa poezia është një kualitet i kësaj ligjerate në tërësinë e saj(formë dhe brendi), një rezultat kulturor brenda potencialit artistik të autorit.
Pikërisht, kjo parantezë rikujton për vështirësinë e madhe në riprodhimin ne përkthim të lëndës ekspresive që derivon prej metrikës origjinale. E gjitha kjo do të thotë se, duhet para së gjithash, studim analitik i strukturës poetike dhe gjetja me efikasitet e instrumentave me të cilat mund te realizohet përkthimi. Pra, kthehet domosdoshmëri mësimi i gjithëhershëm se vlera e parë e kësaj pune ngelet filologjikja, besnikëria ndaj tekstit. Në veprat me vargje të rimuara është shumë e mundshme që një mbiemër i caktuar futet në ndërthurrje prej poetit, shpesh për arsye ritmiko-metri-ke ose per rimë. Duke e hequr, lexuesi nuk privohet aspak, për sa përmban kuptimi origjinal i tekstit dhe në mjaft raste mund të përftohet përkthim i hijshëm.
Edhe në vëzhgimin tim reflektiv, në hyrje të antologjisë, kam nënvizuar me forcë se, barasvleftëshmëritë leksikore e kuptimore të përshtatura me specifikat e gjuhës shqipe, hulumutimet e figurave retorike e stilistikore, lojërat analogjike, dritëhijet brenda thellësive të vargëzimit, që venë në dukje harmoninë dhe tingujt, të mbajnë në ankth.
Duke vërejtur me kujdes atë çfarë citova me lart, pashmangëshmërisht mendimi pikëzohet në opsionin e qartë se në dualizmin ligjëratë – poezi, ngelet kjo e fundit, pra poezia objekti që paracakton frutin letrar; tek e fundit sekreti i njohjes së gjuhës së autorit, patjetër që është ai universi mbi të cilin qëndrojnë tejkqyrësit në vëzhgim. Përsëri lind pyetja:” Sa është e mundur t’i qendrohet besnik origjinalit?”
Le ta rikthejme pyetjen në materializim konkret.
Struktura e gjuhës, forma, gjinia është krejtësisht e dallueshme dhe spe cifike te autorët e seleksionuar të një antologjie, për arsye të kronologjizimit të rrymave, shkollave dhe, për më tepër të stileve, që ngërthejnë në vetvete. Janë epoka historike, që kërkojnë kujdes në tendenciozitetin e tyre filozofik dhe mentalitetin kohor. Përpos kësaj, dukuritë e veçanta që karakterizojnë penën e një Pascoli apo Montaleje, në rastin tim konkret, nuk mund të jenë kafshata që lehtësisht mund të kapërcehen; qëndron mbi gjithçka primare sensibilizimi për të mos abuzuar me të pacënueshmen.
Ky këshillim është i natyrshëm, sepse përfshin impenjimin absolut dhe të pakeqkuptueshëm.Mjeshtëria e përkthimit, pa dyshim frymëzohet nga pasionet më të thella teknike, ta krahasojmë me piktorin, që riprodhon të njëjtat tema dhe sentimente. Rezultati është një kthim i koloreve dhe i atmosferës, një reduktim i largësisë midis origjinalit dhe kopjes, e përkthyer më saktë, një shqetësim në venën poetike të autorit përkthyes. Fisnikëria e formave, magjepsja e ndijimeve të holla, pikëllimi muzikal, ngjizja e një botë tërheqëse deri në mashtrim simpatish, kërkojnë pashmangshmërisht periudhën e vet reflektive, njohjen e vlerës intelektuale dhe erudicionale të vetvetes e, mbi të gjitha, një edukacion letrar tradicional dhe modern“.
Poezia ka shpeshherë privilegjin e perceptimit të nuancave edhe më të skajshme të shpirtit human; përkthimi mundësinë e zgjidhjes së këtij rebusi letrar dhe transmetimin emocional nga një popull te tjetri.