Një leksion demokracie

Një leksion demokracie

 

gjergji m

                       nga  Gjergji  Kajana

Në Shqipëri është shpesh modë të kopjohet Italia. Lidhjet mes dy brigjeve të Adriatikut janë të vjetra gati sa vetë historia e dy vendeve. Për të mbetur në kohë jo të largëta, gjatë komunizmit, televizionet italiane ishin porta e komunikimit përmes së cilës depërtonte tek ne Perëndimi. Sot mijëra shqiptarë në Shqipëri flasin përkryer italishten e qindra mijëra jetojnë në Itali. Ndërshkëmbimet ekonomike janë shumë të larta (Italia është partneri ynë i parë tregtar), ashtu si edhe frekuentimet politike.

Fatmirësisht për ne, formalisht, vendi ynë vazhdon të rritet e nuk ndodhet në recesion ekonomik si Italia, megjithëse premtimet kryeministrore se në 2017-n mund të jemi një vend i zhvilluar meritojnë të jenë subjekt i denjë i një libri çudirash. Është më mirë për të gjithë ne që në Tiranë të shpejtojnë luftën ndaj korrupsionit e zgjidhjen e çështjes së pronave, dy pengesa për transformimin tonë në një vend më normal e më tërheqës për investimet e huaja direkte. Ekonomikisht Roma synon të ketë një rol hegjemon në tregjet ballkanike e Shqipëria do të përfitonte shumë në terma mirëqenieje ekonomike prej depërtimit të mëtejshëm të kapitaleve të pastra italiane.

Kopjojmë Italinë në art, kulturë, modë e sport por jo edhe aq në politikë. Mund të ngjajë paradoksale të pohosh se politika makinoze italiane mund të kthehet në një shembull për Shqipërinë por ne diçka mund ta mësojmë prej Romës në këtë drejtim. Në Itali demokracia është e gjallë. E tregoi këtë edhe gara e fundit elektorale (zgjedhjet “primarie”, një fjalë e papërkthyeshme në shqip) në gjirin e qendrës së majtë e që u mbyll me fitoren e sekretarit të PD-së Bersani ndaj kryebashkiakut fiorentin Renzi, që pranoi humbjen me shpirt olimpik. Bersani zotohet, nëse zgjidhet kryeministër pas zgjedhjeve, të bëjë të mundur dhënien automatike të shtetësisë italiane për bijtë e të huajve që lindin në Itali, një lajm pozitiv për joitalianët.

Cili është leksioni që mund të marrin politikanët tanë që hedhin syrin nga Roma prej garës në qendrën e majtë? Është fakti që ato u zhvilluan (për herë të katërt prej 2005-s) e përfshinë miliona qytetarë italianë. Ndryshe nga e djathta e hegjemonizuar gjatë prej Berluskonit, e majta italiane e ka konsoliduar këtë sistem demokratik zgjedhjeje që përfshin qytetarët. Partitë politike shqiptare kanë këtu material sa për të mbajtur fletore të tëra me shënime.

Në Shqipëri votojmë me një kadencë 4-vjeçare respektivisht për zgjedhjet parlamentare e ato lokale të pushtetit vendor. Prej ’91-shit kemi zhvilluar 7 palë zgjedhje parlamentare e 6 palë zgjedhje lokale, bashkë me dy referendume për Kushtetutën (1994, 1998). Historia e të gjitha zgjedhjeve është plot me parregullsi të të gjitha llojeve. Demokracia jonë e çuditshme, formalisht e ngritur mbi votën “e lirë” të qytetarëve shqiptarë, nuk i trajton këta qytetarë si politikisht të pjekur e të denjë për të zgjedhur më shpesh e kudo ku ndodhen. Politikanët shqiptarë nuk gjejnë konsensusin për një projektligj që do të mundësonte votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Disa herë është folur në mediat tona për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidentit të Republikës, një formulë demokratikisht më e pranueshme ndaj sistemit aktual të zgjedhjes (shumicë e thjeshte prej 71 votash parlamentare) që mundëson transformimin e kreut të shtetit në noterin e shumicës së radhës pasi nuk detyron palët politike të gjejnë konsensus. Së fundmi nuk është lejuar zhvillimi i një referendumi mbi çështjen kontroverse të importit te plehrave.

Politikanëve tanë madhorë nuk u pëlqen shumë përballja me elektoratin. Në 2007-tën ish-kryetari socialist Nano justifikoi përkrahjen e deputetëve të lidhur me të për presidentin Topi me “rrezikun” e zgjedhjeve të parakohshme që do të pengonin integrimin tonë evropian. Në krizën e gjatë post-elektorale të 2009-tës shumica aktuale nuk ka konsideruar për asnjë çast mundësinë e rizhvillimit të zgjedhjeve. Befas sivjet kryeministri aktual foli për mundësinë e një referendumi mbi imunitetin e zyrtarëve të lartë, para se ky propozim qeveritar të miratohej në parlament. Në gjirin e partive tona përshtypja që kihet është se kongreset legjitimojnë një kryetar e një kryesi të zgjedhur qysh para votimit prej delegatëve përmes kulisash pak të tejdukshme.

Vështirë se leksioni elektoratpërfshirës i garës në qendrën e majtë italiane do të bëjë pasues në Tiranën e partive të kulisave. Të gjithë shpresojmë që zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 të jenë më në fund të lira e të ndershme për të forcuar tek ne një shpirt demokratik. Qytetarët shqiptarë mund të kthehen në politikisht më aktive nëse mendimi i tyre kërkohet më shpesh. Ata meritojnë të jenë vërtet qytetarë e jo nënshtetas për të ndier gjënë publike edhe më të tyren. Një leksion në këtë drejtim sapo erdhi nga Italia.

GJERGJI KAJANA

4/12/2012

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s