Përshtypje leximi në lidhje me librin e tregimeve “Lavirja në pentagramin tim”, të Valdet Avdiut; “Faik Konica”, Pri. 2010

TREGIME PËR DASHURITË E ÇASTET

(Përshtypje leximi në lidhje me librin e tregimeve “Lavirja në pentagramin tim” , të Valdet Avdiut; “Faik Konica”, Pri. 2010)

ali berisha

         Ali R. Berisha

Lexova këto ditë librin me tregime të Valdet Avdiut, Lavirja në pentagramin tim, dhe vërtetë më la përshtypje të thella. Bëjmë fjalë për një vepër me tregime dhe proza të shkurtëra në të cilat autori, duke mos dalur jashtë botës erotike dhe për të dëshmuar se “gjatë tërë jetës të mos krijoja as edhe një të vetmin armik, përsa i përket botës sime…” fq. 7. – autori deri në fund i këndon (ngjashëm me poetët) dashurisë, duke e përmbyllur “është e vetmja robëri drejt së cilës unë shkoj me dëshirë…” /146.

Derisa lexoja rrëfime e histori dashurie në tregimet e gjata dhe derisa ndesha proza që përfundojnë vetëm me një fjali të vetme, hasa kënaqësi të rralla. Këto rrëfime dashurie, kryesisht të asaj dashursë së afërme, ku ndjehet dihama e qiftit, do t’i quaja me një emër – tërësi simbolesh dashurie, shprehje kjo, që i përgjigjet këtij libri.

Ky shekull yni i ndryshimeve të mëdha e ka shpënë qytetarin, kësodore edhe shkrimtarin e lexuesin deri shumë afër, ama cik më cik me vendin ku luhet kryefjala e dashurisë. Duket, fillimisht, pak si e tepërt paraqitja e disa skenave erotike, por nuk është ashtu, sepse po vijnë shekujt kur do të zhduken “turpësitë” e botës së marrëdhënieve femër-mashkull. (Tregimi “Gruaja ime lavire”) Kështu prandaj pajtohemi me këto “shkrimësi” të këtij autori dhe me “arsyen e vërtetë të mosikjes nga vendi i fsheur i femrës, që end pelhurën e magjisë … për të shprehur dëshirën e ndezur të pritjes” (fq.44) prandaj tregimet rrefehen lirshëm e pa ngurrime. Heroi i tregimeve (në veten e parë) që ndërron femrat për të mbetur “gjithmonë një djalosh i marrë dhe kalorës i mirë.” /59.e gjenë dashurinë edhe aty ku ajo është shumë e fshehtë. Ato nuk i kundërshtojnë, sepse heroi është i lindur për dashuri dhe shumë i shkathtë ne gjeturi për “zonja të kohëve të ëmbla” /62. Zonjat e këtyre prozave nuk janë si ato që dijnë dhe kanë dëshirë t’u krijojnë vuajtje meshkujve. Në prozat e librit “Lavirja në pentagramin tim” nuk ka lot dashurie, nuk ka vuajtje, nuk ka as raste për të dhënë shpirtin për dashuri. Nuk ka dashuri nga larg – letra, mesazhe, telefona prandaj as ëndrra. Një tufë tregimesh të gatshme për t’iu servirur lexuesit dhe për të krijuar tek ai përshtypje të këndshme e atmosphere të hareshme. Dashuria ndërron siç ndërrojnë faqet e një libri, apo skenat e një filmi (Vallëzimi në ballkon). Ndonëse kemi përpara proza, që në rrethana të sotme flasin edhe për dashuriçka jo siç jemi mësuar t’i lexojmë, e aq më pak për rrethanat tona, ato mbushin faqet e një libri që lë përshtypje tek lexuesit e të gjitha moshave, gjinive, shtresave duke dhuruar një lexim magjik e krijime letrar me vlera të thukta letraroartistike e moderne me vlera rrëfimore. E autori Avdiu e thotë jo pa qëllim për t’i ndihmuar anës vlerore të librit “:bota nuk shkëlqen vetëm nga dielli, ajo shkëlqen edhe më shumë nga dashuria” /129. Dhe nëse kjo dashuri nuk kapet në çast, atë “do ta gllabërojë koha” /131 do të ikën si fluska sapuni e humbësit të saj, s’i mbete gjë tjetër pos të vuajë nga fati i pafatshëm ose nga pendimi pse nuk qe më i gjendshëm.

Dashuria është minierë xehesh shumë të çmuara dashurie, fushë me lule natyrore, që mbijnë vetëm për dashuri. Kështu diçka mund të thuhet për tregimet, për të cilat po shkruajmë. Një botë moderne, me mjedise të përshtatshme për dashuri, lojëra moderne të dashurisë – pa ngurrime, pa çaste pritjesh të gjata “jo po vonohet, jo s’do të vijë, pse më mashtroi” e të ngjashme. Dashuri potente, plot afsh natyror, të mirëpritura e të mirëpërcjella. Nuk ka përse të ruhet dashuria për më vonë, ose për një çast të përshtatshëm e as të ruhet për një më të zgjedhur, sepse çdo dashuri lind në një moment dhe në atë moment duhet të shijohet. Nëse çasti dashuror i tejnxehur lihet për një kohë a vend më të përshtatshëm dhe ftohet, prandaj nuk duhet lëshuar rastin e parë – ky është mesazhi i këtyre tregimeve. Nëse ndjenjat erotike “ndezin motorat e tyre” përse kërkohet të gjurmohet se cili a cila është ai apo ajo që pret të hudhet në përqafim – a është i martuar, a ka fëmijë, a e bën dashurinë për interes, a i tregon dikujt për këtë që po e bëjmë…, është ky mesazhi tjetër i këtyre tregimeve, që i përngjet faqes arkaike të dashurisë, të cilës rrugë autori nuk i bie. Njeriu është burim i pashtershëm i dashurisë dhe dëshirat i zgjohen pandërprerë. Përse, dhe me ç’arsye do t’i zinej për të madhe gruas nëse në çastet e ekstazës thërret: “-Eja i dashur … më bëj të lumtur …!” /12. Emerentia, Liza, Gresa, Himena, Elisabeta, Eva, janë emrat e femrave, nga të cilat e me të cilat autori rrefehet “unë isha pushtuar nga etja e mishit tënd, që më përbinte të tërin, në një tundim prej thyerjes së shtatit…” /77.

Tregimet e librit lavirja në pentagramin tim flasin në dëftoren e prezentit. Rrëfime të tejkuptuara (transparente) në ajrime të hapta, që janë krijime enkas për të prekur telat e zemrës, në pentagramin e melodive erotike, që simbolizon gjendjen e akteve të dashurisë sipas pentagramitetit të ekstazës. Të gjitha dashuritë këtu, janë të mira, të gjitha gratë janë të bukura sepse u përgjigjen pozotovosht sfidimeve të ofruara, janë grishëse, tunduese, sëmbuese.. Autori ka pikëpërshkrim vetëm femrën, bukuritë e saj, afshin, tërheqësinë, seksin. Mashkulli, në këto tregime, pothuajse është i tejkaluar. Janë këngë erotike në prozë të kënduara vetëm me zanore, pas tinguj të fortë (bashkëtingëllore).

Historitë e imagjinuara ose të përjetuara të një prozatori arrijnë tek ne përmes veprës së shkruar. Aty gëlon bota e dashurisë, imazhet dhe dëshira për të qenë sa më seksi. Këto tregimi shfaqen nga brendia e shpirtit me tërë bagazhin artistik. Një ngjarje e rrëfyer në një krijim letrar krijon tjetër përshtypje dhe tjetër kuptim nga ajo që e shohim apo e dëgjojmë gjallazi.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s