REFLEKSIONE NGA ZHVILLIMI I VEPRIMTARISË ATDHETARE PËR SKËNDERBEUN

SKENDERBEU

GJERGJ  KASTRIOTI  ( SKËNDERBEU)

REFLEKSIONE NGA ZHVILLIMI I VEPRIMTARISË  ATDHETARE PËR SKËNDERBEUN

turi

nga ARTUR VREKAJ, WORCESTER, MA (SHBA)

 

Programimi i veprimtarive me temë kombëtare

Është domethënës programimi dhe përkushtimi për të organizuar një veprimtari atdhetare përkujtimore në Amerikë, sidomos për figura shqiptare që e kalojnë përmasën kombëtare kur bie fjala për Gjergj Kastrioti Skënderbeun.Ne, anëtarët e shoqatës “KOMBI” në Worcester, Massachusetts kemi tashmë më shumë përvojë nga organizimi i Simpoziumit për 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit (2008), i festimit të 100-vjetorit të lindjes së Nëne Terezës (2010), i festimit të Pavarësisë së Kosovës (2011) apo edhe së fundi nga festimi me madhështi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë (2012). Pra, është përmbushje e misionit tonë atdhetar, por edhe bazë e programit tonë të Identitetit Kombëtar. Aq më tepër që, festimet apo përkujtimi i përvjetorëve historikë për ngjarje dhe figura të shquara janë një domosdoshmëri për ta mbajtur gjallë edhe veprimtarinë tonë, shoqatën Atdhetare Kulturore “KOMBI” dhe dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe për kombin amerikan.

Vlerësimi dhe bashkëpunimi me njerëz të letërsisë, artit dhe shkencës.


Në veprimtari të tilla për simbole kombëtare shqiptare siç është Gjergj Kastrioti Skënderbeu audienca, diaspora, shqiptarët në Ballkan apo edhe komuniteti shqiptar i Amerikës është më i ndjeshëm për informacionin e ri që përcjellin simpoziumet. Dhe informacionin më të studjuar, më të qëmtuar s’ka kush ta sjellë tjetër përvecse historianët, shkrimtarët, poetët dhe gazetarët e mirëfilltë.

Për fatin tonë, në Amerikën e Veriut (nga Hartford,CT , Worcester, MA e deri në Boston,MA (zona e Anglisw së Re) banojnë disa njerëz të letrave shqipe si : Aristotel Mici, autor i librave “Prejardhja e emrit shqiptar” dhe “Himni i Flamurit” ku është përfshirë edhe trajtesa “Shtegtimi i armëve të Skënderbeut”. Është Rozi Theohari, autore e librit “Jehona Skënnderbeg-jane” dhe një aktiviste e palodhur për Identitetin Kombëtar shqiptar në shtetin e Massachusetts.

Është Raimonda Moisiu, autore e disa librave dhe artikujve ku bie në sy edhe përkushtimi i saj për të pasqyruar punën e aktivistëve të çështjes kombëtare siç është libri i saj me 61 Intervista me figura veprimtarësh shqiptarë të Diasporës. Është Lediana Stillo, poete dhe përkthyese, Skifter Këllici shkrimtar, Fuat Memeli poet dhe gazetar, Rita Saliu poete, Rezarta Reso përkthyese, Vasil Rrakaj skulptor, Dhimitër Cika ikonograf, Ardian Murraj gazetar dhe dokumentarist e disa të tjerë.
Në këtë zonë banojnë njerëz të shkencës si PhD Maksim Ilirjani, (njohës i historisë shqiptare), PhD Petrit Skënde, akademik dhe fizikan i njohur si dhe PhD Peter Christopher, profesor i WPI si dhe një nga matematicienet më të shkëlqyer që ka sot Amerika, që megjithëmend i meritojnë gradat shkencore për kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare dhe amerikane, në universitetet amerikane si dhe në komunitetin shqiptar të Massachusetts.
Janë me dhjetëra shqiptarë me grada shkencore master dhe profesor doktor në fushën e mjekësisë si PhD Denis Kola, Dr. Gani Abazi, kimisti i talentuar Mikel Sharrëxhi , Rolanda Dhimitri, kimiste gjithashtu dhe shumë të tjerë në disa fusha të shkencave ekzakte dhe shoqërore. Ka profesorë shqiptarë që japin mësim si Meri Treska, fizikane në MIT apo në Harvard University, Vesel Kucuku dhe Tomi Stefani në Quinsigamond College etj. Dhe kjo s’është pak. Ne po tregojme vëmendje për të vlerësuar kontributin e tyre, sepse na nderojnë me nivelin e arritjeve dhe përfaqësimin e tyre në kompanitë dhe audiencat e kolegjeve amerikane.

Përbashkimi si nevojë e ditës…
Me këtë ne shqiptarët e Amerikës që jetojmë në Massachusetts nënkuptojmë sensibilizimin, ndërgjegjësimin dhe edukimin e brezit mw të ri me vlerat botërore dhe kombëtare të historisë së shqiptarëve. Nënkuptojmë përcjelljen tek brezat e rinj dhe shoqatat shqiptare në Amerikë se vetëm të bashkuar mund të bëjmë më shumë për Identitetin Kombëtar dhe komunitetin shqiptar, pse jo dhe për çështjen Kombëtare në tërësi. Nënkuptojmë gjithashtu edhe gjithëpërfshirjen e të gjithë brezave të shqiptaro-amerikanëve që janë ose aktive në programet e Identitetit Kombëtar të Komunitetit shqiptar. Nënkuptojmë edhe bashkimin e vërtetë të njerëzve veprues që janë busulla e veprimtarisë atdhetare në cdo qytet amerikan ku banojnë shqiptarë, sidomos në Worcester dhe Boston të Massachusetts, në Harftford dhe Waterbury të Konektikat apo edhe në Nju Jork. Po me këtë fjalë”përbashkim” nënkuptojmë edhe një riprogramim të punës së shoqatave apo dhe institucioneve fetare shqiptare për të bashkëvepruar për një përfaqësim sa më dinjitoz në komunitet. Sepse ne kemi kombin si mision mbi gjithcka. Ndaj edhe suksesi ynë për veprimtari masive me cilësi nuk ka munguar.
Përbashkimi i shqiptarëve të Amerikës është nevojë e ditës, është kërkesë e kohës edhe për faktin, sepse vërehet një situatë gjumi, një në vendnumëro e mbuluar me lavdinë e brezit të fillimshekullit të kaluar. Ende s’ka një vizion të ri për Ardhmërinë dhe Identitetin Kombëtar, një strategji më saktë për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Por ajo që është më e rëndësishmja, përbashkimi po merr konturet e tij kur vërtet bëhen veprimtari me cilësi siç ishte simpoziumi për Skënderbeun i organizuar në Worcester si askund në Diasporë apo edhe në Shqipëri apo Kosovë.

Ne shqiptaro-amerikanët e ardhur pas 1990-ës në Amerikë përcjellim një mesazh të fortë edhe tek shqiptarët e lindur këtu në Amerikë para ardhjes sonë, por edhe tek shqiptarët në tërësi, sepse kur ka përkushtim për programin e Identitetit Kombëtar ka edhe sukses. Dhe ne harrojmë gjithë vështirësitë e kësaj pune vullnetare që na dalin përpara, sepse dimë të organizojmë e t`i paraprijmë suksesit me botime periodike, me libra dhe artikuj, me dokumentarë dhe ekpsozita, me simpoziume, me ligjërata të shkruara dhe këtu në Amerikë, me pasqyrim në kohë e me cilësi për gjithë shqiptarët e Amerikës dhe Kanadasë, me një njoftim në vazhdimësi për programin tonë edhe me rrjetet sociale apo faqet e internetit, http://www.kombiusa.org, në Facebook apo me takime të drejtpërdrejta me shqiptarët, me bashkëveprim të ndërsjelltë me liderë aktivë të çështjes Kombëtare Shqiptare.

Bashkëpunimi midis organizatave shqiptare është baza e suksesit
Nuk është hera e parë që Shoqata “KOMBI” e Worcester, Massachusetts bashkëpunon e programon veprimtari të tilla përbashkuese me organizata të tjera shqiptare në shtetin Massachusetts apo dhe më gjerë në shtetet e zonës së Anglisë së Re.

Ne organizuam Javën e Kosovës në vitin 2011 për Pavarësinë e Kosovës në tre qytete, Springfield, Worcester dhe Boston për 4 ditë rresht bashkë edhe me shoqatën Kosova të Boston dhe hodhëm kështu hapin e parë drejt bashkimit të programeve dhe ideve por edhe të njerëzve.

Ndaj edhe duam ta bëjmë sa me real Ribashkimin. Ndaj, ne këmbëngulim shumë për të risjellë në skenë thirrjen e një Kuvendi Mbarëkombëtar në Amerikë për ta mishëruar këtë Vizion për Programe të mirëfillta të Gjuhës Shqipe dhe Qendra Kulturore në cdo qytet amerikan me shumicë shqiptare! Dhe jemi në rrugë të mbarë! Edhe në NewYork ka organizata që na mbështesin për programin e Identitetit Kombëtar që zbatojmë ne.

Kështu, vërtet ne e organizuam simpoziumin me organizatën më të fuqishme shqiptaro-amerikane, LQSHA e New York që lobon në Uashington për Cështjen Kombëtare për 24 vjet, por programuam e zhvilluam këtë veprimtari edhe me pjesëmarrje përfaqësi të shoqatave si më poshtë: Shoqata e Shkrimtarëve, New York; e studentëve shqiptarë të Universitetit të Konektikat; e Kosovës në Boston; e MassBesa në Boston, e Bletës (Dardha) në Boston dhe aktivistë të komuniteteve shqiptare në Rod Ajlend, Hartford dhe New York. Ndaj edhe programi dhe informacioni që përcolli kjo veprimtari ishte i qëmtuar me kujdes dhe i larmishëm për nga temat që u shtjelluan për të plotësuar figurën e Skënderbeut në të gjitha drejtimet, sepse u njoftuan të gjithë pa dallim, të gjithë shqiptaro-amerikanët që kanë punuar e janë ende në vijën e parë kur bie fjala për festimin apo përkujtimin e ngjarjeve të tilla madhore me temë kombëtare. Plus, ne nxjerrim mësime nga cdo veprimtari, ne përfitojmë nga shkëmbimi i përvojës me Bordet Drejtuese a me këdo që është i hapur të diskutojë e të ndihmojë me ide që cojnë në përmbushjen e misionit tonë atdhetar.

Tjetër. Ndikon shumë edhe prezantimi i punës së shoqatave shqiptare, pavarësisht se ato veprojnë në qytete të ndryshme sic është zona gjashtë shtetëshe e Anglisë së Re në Amerikën e Veriut. Pra, ne e shohim ardhmërinë të sukseshme edhe për arsye se po punojmë për të që sot, duke afruar dhe brezin e ri, duke i promovuar ata që me të vërtetë kanë dhunti për tu perkushtuar më shumë për punën atdhetare. Dhe ne dimë ta bëjmë këtë. Ne kemi studentë të shkëlqyer si Josian Golemi, Astela Hoxhallari, Enxhi Qatipi etj të angazhuar me Shoqatën KOMBI. Dhe po synojmë te zgjerojme grupin e studentëve. Shqiptarët e Massachusetts janë të kthjellët se duhet të ribashkohemi dhe ne duam ta shohim sa më afër lidhjen Worcester-Boston-Hartford-Waterbury jo vetëm për hir të gjeografisë por edhe për hir të misioneve tona që janë njëlloj: Trashëgimi e Identitetit Kombëtar! Ndaj edhe i bëjmë programet më të kordinuara.

Historia çerekshekullore e DioGuardit
Joseph Diouardi u shkrua përfundimisht në historinë e kombit shqiptar si misionar i shqiptarisë në periudhën e fundfillimshekujve 20-të dhe 21. Ai është për ne shqiptarët një nga figurat madhore të lëvizjes kombëtare për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës dhe për më shumë të drejta njerëzore të shqiptarëve në Kosovën Lindore, Mal të Zi, dhe Maqedoni. Ish-kongresmeni amerikan me origjinë arbëreshe u përball me Milloshevicin për të dënuar dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe genocidin serb për spastrimin etnik të territoreve të banuar nga shqiptarët në Ballkan në territorin e Ish-Jugosllavisë.

Aktiviteti diplomatik e patriotik i DioGuardit në Amerikë, Europë dhe në Australi tregon për një udhëheqje largpamëse dhe për gjithëpërfshirjen e shqiptarëve në çështjen Kombëtare Shqiptare. Ndaj ai edhe sot është krah nesh për më shumë ndërgjegjësim e përkushtim për çështjen kombëtare.
Kështu, organizimi i veprimtarise përkujtimore per Skënderbeun nga Shoqata “KOMBI” e Worcester,MA bashkë me organizatën më të fuqishme lobiste në Uashington për çështjen Shqiptare për më shumë se 20 vjet e sidomos me referues Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloeys DioGuardi i dha një dimension kuptimplotë përbashkimit të vlerave edhe të shqiptarëve të letrave shqipe këtu në Amerikën e Veriut, sidomos në New England dhe New York. Kush më mirë se DioGuardi mund të rrëfeje historinë e Skënderbeut në Kongresin Amerikan dhe në qytetet amerikane ku ka shumicë shqiptare apo edhe para audiencave universitare? Sepse ai është trashëgues e përçues i vlerave të vërteta kombëtare edhe për arsye të rrënjëve të tij arbëreshe që lidhen pikërisht me Skënderbeun.

Dhe natyrshëm, Uashingtoni e besoi DioGuardin për Kosovën. Sepse kongresmenët amerikanë të udhëhequr e këshilluar nga DioGuardi panë me sytë e tyre në Prishtinë dhe Beograd ç`po ngjiste në Kosovë në fillimvitet e 1990-ës!
Jospeph DioGuardi është ambasadori i vërtetë i shqiptarëve të Ballkanit në Amerikë, që prej vitit 1986. Eshtë me rrënjë arbëreshe nga fshati Greci, vendbanim i ushtarëve të Skënderbeut nga rrjedh edhe familja e tij. Pra, ka një histori trashëguese të Identitetit edhe pse gërshetohen tek familja e tij tre kombësi: amerikane, shqiptare(arbëreshe) dhe italiane.

Nuk ka një figurë tjetër pas Nolit dhe Konicës në Amerikë, në periudhën shekullore 1912-2012 përvec DioGuardit që ka një angazhim total politik, diplomatik, atdhetar, humanitar dhe bashkëveprues me Presidentët Amerikanë , Kongresin Amerikan, Senatin Amerikan, liderët shqiptarë të Ballkanit apo dhe me aktivistë të Diasporës Shqiptare në botë. Edhe pse Diaspora shqiptare në Amerikë është e paqartë për një ribashkim të ri, DioGuardi ka ditur të udhëheqë me largpamësinë e tij për ta promovuar Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen Shqiptare në tërësi.
“Sikur të mos këmbëngulnim për Kosovën më 1992, kur edhe hartuam Rezolutën për Pavarësinë e Kosovës, zor se do të bëhej Kosova e Lirë dhe e Pavarur kaq shpejt”,- thotë me siguri DioGuardi. Lum kombi dhe Kosova për DioGuardin!

Rezoluta për Skënderbeun – dokument historik


Udhëheqësit e Lidhjes Shqiptaro-Amerikane Ish-Kongresmani DioGuardi dhe Zonja DioGuardi, një analiste e zonja për çështjen Shqiptare kanë formuluar Rezolutën për Skënderbeun, që u votua në Kongresin Amerikan në kuadrin e 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Ajo është një dokument i rrallë me vlera historike për këtë figurë shqiptare kaq të studjuar, vlerësuar e përkujtuar si strateg ushtarak që në moshë të re, si mburojë e Krishtërimit edhe pse me ushtri vullnetare e të pakët në numër, si diplomat që zotëronte disa gjuhë të huaja, si udhëheqës e inspirues për bashkimin e shqiptarëve dhe të Botës Kristiane, si kampion i qëndresës për Liri e Pavarësi të shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane.
Risjellja e kësaj rezolute në anglisht, në simpozium e përcjelle nga një studente aktive në punën atdhetare sic është Krisela Karaja me shoqatën e studentëve shqiptare të Universitetit të Konektikat është edhe një mundësi më shumë për të promovuar figurën e Skënderbeut tek amerikanët, por edhe për ta bërë më shumë të njohur tek brezi i ri i shqiptarëve që kanë lindur në Amerikë në këto dy shekuj. Por duke patur mes nesh DioGuardët, hartuesit origjinalë të Rezolutës është edhe një natyrshmëri shqiptare për t`i falenderuar për këtë punë kaq vizionare për ne shqiptarët e Amerikës por edhe për shqiptarët në tërësi si komb i lashtë, sepse ne identifikojmë me këtë figurë kombin, flamurin dhe Shqipërinë.

Një dhuratë speciale për miqtë e shqiptarisë
Mikja e shqiptarëve të Amerikës, shkrimtarja dhe poetja Rozi Theohari nga Dardha e Korcës, kur i telefonova t`i jepja lajmin e organizimit të një veprimtarie përkujtimore për Skënderbeun në kuadrin e 545- vjetorit të vdekje (1468-2013) , në Worcester, MA-SHBA u gëzua si gjithmonë kur mëson ndodhira të tilla që na mbajnë gjallë këtu në Amerikë për të mos harruar nga kemi ardhur.Pasi mësoi programin e simpoziumit që do të bëhej më 26 Janar 2013 ishte e natyrshme të më tregonte se ka një dhuratë të vecantë për çiftin DioGuardi!

Ajo për mua është shqiptarja e Amerikës që dhuron lulen përmetare Barbarosa ! Dhe na sjell në mendje qytetin simbol të luleve -Përmetin. E mbaj mend në takimin për nder të themelimit të Kishës së Shën Gjergjit në Boston,MA-SHBA nga Noli në mars, në vitin 2009 kur i dhuroi lulen Barbarosa priftit me origjinë shqiptare At Artur Liolin,pasardhësit të Nolit. Dhe të gjithë u mahnitën dhe e duartrokitën për dhuratën me një histori tashmë përmbi njëqindvjecare. Një lule të tillë, zonja Rozi ja dhuroi edhe Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga në Boston, më 2012, në vitin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

… 26 Janar 2013. Libraria Qendrore Worcester, Massachusetts,SHBA. Simpoziumi për Skënderbeun i organizuar nga Shoqata “KOMBI” dhe Lidhja Qytetare e DioGuardit kishte marrë udhë. E morën fjalën ish-Kongresmani DioGuardi dhe Shirley Cloeys DioGuardi, këshilltare për Ballkanin, një nga ligjërueset më të zjarrta për çështjen Kombëtare Shqiptare në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Dhe me radhë ligjëruan shkrimtarë dhe poetë nga New York, (përmbi tre orë e gjysëm me makinë nga vendi ku u zhvillua veprimtaria); nga Hartford i shtetit Konektikat , nga shteti Rode Ajlend, nga Boston i Massachusetts .I erdhi radha të përshëndeste shkrimtarja dhe poetja Rozi Theohari, njëra nga aktivistet e mirënjohura në Massachusetts për gjallërinë dhe bukurinë e fjalës së saj. Ajo u paraqit në podium me librin e saj “Jehona Skenderbeg-jane” dhe pikërisht edhe me dhuratën speciale: Lulen Barbarosa. Dhe si një fisnike, si një mërgimtare kur përfundoi fjalën e saj, ajo i dhuroi ciftit DioGuardi, Joseph dhe Shirley lulen e ardhur përmbi njëqind vjet nga Përmeti, të kultivuar në Amerikë nga një familje shqiptare së bashku me librin “Jehona Skënderbeg-jane”.
Salla u elektrizua ! Sa domethënëse kjo dhuratë për një grua, shkrimtare dhe poete! Po sa u mrekulluan DioGuardët kur mësuan për historinë e lules Barbarosa që edhe pse mbi 100 vjet në Amerikë ajo thirrej po Barbarosa dhe ka për mbiemër vendlindjen Përmeti. Ky ishte dhe casti më pikant, më kuptimplotë i dhurimit sipas traditës shqiptare të njerëzve të letrave shqipe: libra dhe lule! Mërgojnë e trashëgohen shqiptarët, librat shqip, simbolet kombëtare dhe…lulet shqiptare!
Sa bukur! Na le një kujtim të bukur zonja Rozi! Të urojmë mbarësi e shëndet për fjalëurtën tënde që e ke shqipëruar në Amerikë, që ta trashëgojmë traditën e bukur të letërsisë shqipe brez pas brezi.

Promovimi i librit “Rrethimi i Shkodrës” në anglisht i autorit David Hosaflook Është i pari promovim në Amerikë dhe i dyti një javë më pas veprimtarisë në Muzeun Historik Kombëtar. Jo vetëm që është një mundësi më shumë për ta lexuar e mësuar për qëndresën dhe shpirtin luftarak të shqiptarëve edhe 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, por edhe është një mesazh i qartë se kur qëndron për dicka të drejtë sic është Liria dhe Pavarësia suksesi është i padiskutueshëm! Dhe fakti është që Kalaja e Rozafës nuk u muar me luftë nga Turqit. Këto dy rrethime dramë më 1474 dhe 1478 janë një frymëzim i pashembullt për kineastët amerikanë dhe shqiptarë për të projektuar një film në Hollivood për një nga ngjarjet më të mëdha të shekullit të pesëmbëdhjetë në Europë ku sillet në detaje dyluftimi i një ushtrie vullnetare shqiptare shumë të vogël në numër, gati sa një gjysmë divizioni kryengritësish në njërën anë me turqit e Perandorisë Osmane që kishin një armatë disa qindra mijëshe të armatosur, me topat më moderne të kohës, me gjylet disa qindra kilogramëshe, që nuk arritën dot të shkatërrojnë bedenat e kalasë së Rozafës.

Cfarë kuptojmë me fjalën Calabria?

DioGuardi shpjegoi edhe prejardhjen e provincës në Itali me emrin Calabria. Cala = Kal+a(bria); abria= a(r)bria ose Kalaja e Arbrit! Sepse arbëreshët e Italisë janë shqiptarët e qytet-kalave shqiptare.

Mesazhi i punës atdhetare
Të punojmë së bashku! ” Gur-gur bëhet mur”! Ky është mesazhi që përcjellim ne në Worcester në radioprogramin Ora Shqiptare e drejtuar nga Andrea dhe Rebeca Tanaca, http://www.wcuw.org cdo të shtunë nga ora 2 deri në 4 pasdite me orën e Shqipërisë si dhe në takimet e drejtëpërdrejta me njerëzit apo edhe në veprimtaritë tona atdhetare e kulturore. Ne vërejmë edhe në Worcester, MA, se ka grupe në qytet apo individë që duan ta përdorin komunitetin shqiptaro-amerikan për influencë dhe interesa personale, por jo për t`i kthyer gjallërinë e duhur për Identitetin Kombëtar. Këtu në Amerikë flasin për Nolin, por kur u themi hapur për ta nderuar me një shtatore as që u bie në mend! As kudo. Dhe bëjnë e be e rrufe për Nolin! Noli i bëri bashkë shqiptarët dhe ndihmoi Shqipërinë ,por ende nuk e ka marrë nderimin që i takon as në Shqipëri as në Amerikë.
Prandaj, shoqata KOMBI u bën një pasqyrim më real vlerave kombëtare, kur themi se këtu në Worcester,MA njëqind e një vjet më parë erdhi Noli dhe Konica e përndezën Bashkimin e madh të shqiptarëve të Amerikës. Këtu këndoi zotin në shqip At Stath Melani, dëshmor i kombit shqiptar apo prej Worcester,MA u nisën djemtë e Bandës Kombëtare që ngritën Shqipërinë më këmbë më 1920 me këngën e Thoma Nasit Vlora-Vlora!

Ne shqiptarët jemi komuniteti i vetëm nç Worcester si edhe në tërë SHBA nga më të vjetrit që s’kemi një qendër kulture të mirëfilltë! Dhe ndaj u kërkojmë kujtdo që ka dëshirë e dashuri për kombin dhe Shqipërinë : Ejani të bashkohemi , ta bëjmë dhe Qendrën Shqiptare të Kulturës në cdo qytet amerikan me shumicë shqiptare që t`i rikthejmë dinjitetin Identitetit tonë kombëtar akoma edhe më shumë!
Që ti mbajmë të gjalla rrënjët tona kombëtare me më shumë veprimtari atdhetare, që të mos harrojmë nga kemi ardhur!

ARTUR VREKAJ, Worcester, MA-SHBA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s