Nezir Prokshi
Nezir Prokshi u lind në Fortesë (ish Vërbofc) të Drenicës, komuna e Drenasit,më 15.10.1945. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë. Studioi, pa shkëputje nga puna, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Është veteran i UÇK – së, Zana Operative e Drenicës, Batalioni i Dytë, Brigada 114,Stafi i emergjences “Fehmi Lladrovci”.
Shkruan poezi e prozë. Merret edhe me publicistikë dhe me mbledhjen e folklorit burimor në Drenicë dhe vise të tjera të Kosovës. Botoi në të gjitha revistat e kohës në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipri.
Që nga Nëntori i vitit 1990, kur u instaluan organet e dhunshme në komunë e deri në përfundimin e luftës ishte i papunë.
Nga opusi në fushën e letërsisë ka botuar vëllime me poezi:
1. “Kohë Idhnake”(1987), Rilindja
2. ”Shi me diell” ,Rilindja (1997)
3. “Mbijetesa e njerëzve të Drenicës në rrethim”(2000),në formë fejtoni në Rilindje në vitin 2000.
4. ”Mbijetesa e popullit të Drenicës në rrethim – ditar lufte, Radio Kosova e Lirë, 2007

5.”Sheshi i Shpëtimit” poezi SHB Radio Kosova e Lirë, 2007
6. “Lulet e Kosovës”, poezi për fëmijë, SHB Faik Konica, Prishtinë 2009
7.” Qiejt Ilirianë” Botues LSHK -së, Prishtinë, 2011
8.”Me Flamur në Zemër”;Prishtina Press, 2011
9. “Mbretëria e ëndrrave” 2012, në gjuhën rumune
nga Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të
Rumanisë ne Bukuresht.
10. “Gjysh – a ka dielli sy”, vjersha për fëmijë, PrishtinaPress, 2012.
11. “Baca Dinë – Dritë e shtigjeve të djemve të Lirisë( monografi),2013, Shoqata e të Burgosurve Politik e Kosovës
Është i përfshirë në antologjinë letrare “ZJARR I PASHUAR” të letrarit dhe studiuesit Baki Ymeri në shqip e rumanisht, botuar në Bukuresht, 2012, në Albumin Artistik “BEKIMI NË BEKIMIN”, Prishtinapress, 2012,ne Revisten Letrare, numer special e “Fjale e Vale” POETET PER MITROVICEN, 2013 etj. Eshte fitues i disa shperblimeve e cmimeve letrare.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Jeton në Drenas e Prishtinë.
Poezi nga Nezir Prokshi
QERSHIA E PRERË
Në lagjen e doktorve
Banonim me prindër
E dy vëllazër
Në një shtëpi
Me fasadë bojë dielli
Thanë
Nga ishujt e çakejve
Erdhen barbaret
Më të madhën pemë n’oborr
E prenë një ditë vjeshte
Mbjell vite më parë
Nga babai im dhe usta Iliri
Tri degë të trasha
Sa beli i ustait
Kanë derdhur
Lot dhe dyllë
Në këtë vend thoshin
Do ngritët
Një hambar nga Malet
E Isa Boletinit
Qershia me degët e shtrira
Dhe degëzimet e trasha
Bukuri e sakatosur
S’bënte hije më
Lule as frute të ëmbla
Në lagjen e doktorve
Do kthehemi së shpejti
Me prindër e vëllezër
Me mallin e këngën bashkë
ËNDËRR E TRISHTË
Mbretëria e ëndrrave
Shpeshherë me rrëmben
Tek puthiten
Në stinët e vetëtimave
Retë me maja bjeshke
Stërkalë e Ibrit
Që shpërthen nga shkëmbi
Rrëshqet një tatëpjete
Nga Boletini,
Isaj i mërrolur
Thërret Shotë Galicën
Me trimat e Azemin
Mehmet Delin, Tahirin
Bacë Ademin
Për një dasmë tjetër
Në Mitrovicë
Pas sa dekadash
Në stinën e përflakur
Një soj bushtre
Lakuriq nate pjell
Poshtë Urës luhatet
Një Re tekanjoze
E trembur fërfërin
Valëve të trazuara
Ura me sy catall
Lëviz qerpikët
Një ane me diell
Një ane me hije
Në qiell përpëlitje
Vetëtimë
Që bien si rrebesh
Mbi lumë
Një herë engjëll
Njëmijë herë djall
O Zot
Sa trishtuese
Diç që rrjedh
Nga plagët
Ku lavdi I thuret vdekjes
ISHUJT E ÇAKAJVE
Ditë e Natë
Në veri të Mitrovicës
Djaljtë vallëzojnë
Me Lakuriqët e natës
Hapi saj i çalë
Ulërimë në tymnajë
E plagosur në tradhti
Nga miku i mikut
Të mikut
Jugu dhe Veri
Llafosin me valët
E venitura të Ibrit
Nën gjuhët e flakës
Blerimi i saj
Mbi tymtarët antikë
Metamorfozë e demonëve
Egër dhunuar
Ibri dhe kalaja
Ende rënkojnë
Evropa i ndjek
Më veshë të shurdhër
Lumi djersin
Vaj e lot mbi rrjedhë
Qerthujve të mijve
Do tretën një ditë
B a r b a r ë t
Tej ishullit të çakajve
Po prapë atje bilbili
Përgjatë rrjedhës
Në Kulla të bardha
Do bëjë fole me këngë në gushë
REKUIEM PËR LIRINË
Ti ëndërr shtegtari nëpër mote
Ç’gëzim i solle Atdheut
Dhe neve na dhurove botën?
Erdhe si një magji fjalësh
Duke mbledhur ylbere e vetëtima,
Ti mbretëreshë e tropeve,
Më the t’i hedh në harresë
Retë e varrosura në arkëmort.
Harroje, më the, barbarinë
Humbe çëlësin e portës së të këqijave
Ndërtoje edhe me thërmija rëre
Piramidën e gjërave të bukura,
E pastaj intuita, gjuha e mendja
Të fshijnë gjithë gjenetikën e kujtesës,
Ç’të duhet kujtesa
Në botën e zhytur në ligësi!
Qesh, më thanë, edhe kur s’më qeshej
I zymtë të bëhem, o Zot
Edhe kur më vallëzohej,
Të gjitha për një gjumë kujtese.
Më thanë të ndryshoj vetveten
Të bëhem ai që s’jam shkurt e shqip.
Më thanë të fal
Çka të fal , kujt t’i fal,
Atyre që më dogjën, më poqën gjallë!
Dhe më detyruan të rrej
Në emër të një paqeje,
Të jem ai që s’jam
Për hir të një lirie të cunguar,
Po Liria është liri ose
Erë robërie i vjen.
Me thanë se liria e mbikëqyrur
Kërkon kujdesin tim,
Po, çfarë bëra tash e dy mijë vjet?
Më thanë të ruhem nga tështitja
Edhe kur ha, edhe kur pi
Bebëzat të nguliten në përbashkësi.
Veshët të mos përgjojnë kthesat e papritura
As rrëfime për luftën.
Gojës t’i vë kapak,
Kujtesës s’i duhen evokimet
Për luftën, dhunimet, përdhunimet!
Ç’të bëhet me mua, o Zot
Të dehem pafundësisht në këtë lumturi
Të loz si muzikë e ëmbël bari
Apo të krihem si një meteor
Në universin e fjalës?
AI FUNDPRILLI I TRISHTË
Një ëndërr e ligë me zgjoi atë ditë
Nuk bëra dush dhe flokët i lashë
T‘’i krehë era.
Nuk ktheva kokën as djathtas, as majtas
Udhës vrapova
Pashë qiellin plumb.
Kafen e mëngjesit s‘e piva me miqtë
S‘ di si me zuri kllapia kur sytë i kisha hapur,
S‘ di si më lagu shiu e shi nuk binte.
Vetëm një këngë të moçme dëgjoja
E dija përmendsh qëmoti.
Asnjë fjalë nuk fola për tmerret
E barbarëve një ditë më parë,
As për vetminë në turmë
Gëk nuk bëra.
Mendjen s‘e vrava për Ritën, Tosin, Lulin
Vetëm për Shifin kisha mall
Ai tani ishte në male,
Ato lulonin kuq, kuq , kuq !
Njëherë më pat pytur ç‘ka matanë fjalës
Matanë mbretërisë së tejdukshme të qiellit?
Ishte fundprilli në Fortesë
Mëngjese të trishta në Fushë- Mollë.
Nuk shkrova asnjë varg, as një resht
Vetëm në një të grisur fletë shënova:
“Dje masakër në Poklek, mbi 50 të vrarë
Me ta edhe miku Y.E.”
Ahiii, vëlla i shtrenjtë,
“N’plagë të hapur do të më pikojë katrani…!”
Iliadën e Odiseun i ka ditur përmendsh
Në teatër shumë herë ka qarë me lot
Dhe nuk i rashë rrotull për ta kapërcyer lumin,
Lumin Drenicë që në fundprilli është plot
I sertë, idhnak e tekanjoz….
Lumin që përditë mplaket, bëhet thinjosh,
Po kapërceva si djalë i ri matanë
Oh zot , kërceva si kalë i trembur!
EMERIN NUK IA DI
Emri nuk më kujtohet
Vetëm aromën ia ndiej
Shtatin që përdridhej lugjeve
Sytë që i shndritnin errësirës
Hapin që lëshonte lehtë
Gërshetin lëshuar shpinës.
Besomni, emri nuk më kujtohet
Ajo bartte mbi shpinë bjeshkën
Zërin, mallin, vajin e plagët,
Plagët ishin të gjakosura
Gjëma kumbonte shtatë lugjeve.
Dukej se s’merrte frymë,
Por hapin e kish të madh
Tatëpjetat kalonte vetëtimë.
Ajo udhëtonte se duhej udhëtuar
Ecte me shpirt të plagosur
Se i plagosur ishte atdheu.
Ajo heshtte kur duhej heshtur
Këndonte kur duhej kënduar
Kishte pak fjalë e shumë mall
Se fjalët nuk dëbonin barbarët.
Kur lypsej bëhej flakë e zjarr
Dru e gurë kthente në hi
Vetëtimat e merrnin në gji,
Besomni, emrin nuk ia di.
MELODI FYELLI
Kur mbështetesh në gurë mermeri
Të rrëmben një mall i hershëm
Nëpër bokërrina e maja
Me cicërimë zogjsh e blegërimë dhensh
Një këngë baritore me fyell,
Po fyelli tash hesht
Binte pranë oxhakut të shëpisë
Kur e dogjën barbarët.
Atëherë u dogjën edhe çerdhet
Flatrat e cicërimat,
Mbetën vetëm degët e djegura.
Ata kthehen verave ndonjëherë
Gërmadhave të shtëpisë
Dëgjojnë rënkimet
Dhe fëshfërimën e pemëve.
Ai më shikon në sy i gurëzuar
Më duket së më pëshpërit
I gëzuar që po e këqyr
Dhe pi një gotë lëng
Nga Fushë- Molla.
Pastaj herë i mërrolur, herë buzagaz
Ikën diku matanë larg
Matanë bokërrinave e hijeve
Pas një melodie fyelli.
PESË KËSHILLAT E BABAIT
Mos ec udhës dytësore
Kur bien daullet n’katund
Se mund të të qëllojë
Ndonjë fishek qorr.
Së keqes mos i bëj konak
Ajo s’vjen dot fillikat.
Në mot të mjegullt
Mos merr udhë
Ngjan shpesh
Besnikëria humb.
Qentë e oborrit
Mos i mëso të lehin
Udhës së madhe
Se t’i vrasin
E shkojnë si qeni në rrush.
GONXHE BOJAGJIU – NENË TEREZA
Mori udhë një vjeshte vonë
Kohë e trembur nga djall i Zi
Kaloi dete Oqeane
Bëri qerdhe në Indi.
Fluturimthi në sy bote
Se ndal vapë,shtërngatë, veriu
Se i thonë një çupëzë shqipëtare
Ë shenjta Gonxhe Bojagjiu.
Shaloj dete Oqeane
Përmbi re e vetëtimë
Në emisione Engjëllore
Bëri qërdhe në çdo stinë.
Në misione Ëngjellore
Lajmëtare e ndritshme e dashurisë
Hyri në botën e të varfërve
N’mision paqeje të njerëzisë
La Kongjellat e Kuvendet
Një ditë vjeshte në Loretos
Për të hyrë në botën e t’varfërve
Në Kalkutë Ajo u vendos.
I përkëdheli ua lau plagët
Fëmijëve të mbetur në mjerim
Sa ua ngrohu shpirt e zemer
Me troha buke e përqafim.
Mendje ndritur shtat imcake
Merrte dritë nga e Lumja Zojë
N’rrugë të Kalkutës në mes t’varëfrve
U bë Yll, shpresë e rojë
Dhe kështu botën përqafoj
Me përkdhelje e dashuri
Sofra e saj në çdo shtëpi
Solli gaz e s\ la uri.
N’LUGINË TË VALBONËS
Luginës së Valbonës
Ajri freskon qiellin
Ndjej aromën tënde
Si kënga Bilbilin
Si agun si diellin
Kur i shoh brezaret
Rrjedhen e Valbonës
Ndjej n’blerim bjeshke
Tingujt e këmbonës
Kur i shoh valëzimet
T’lumit që rrjedh qetë
Zgjoj me puthje peshqit
Në udhtim plot shëndet
Zhvishu e zgjoje valën
Lë të bie n’çerpik
Sterkallë maje lisave
Lartësive po ik
Laje shtatin, belit
Lë të prek gërsheti
Lartë atje në Lisa
Sikur gjemim deti
Shkrihem në përkëdhelje
Faqe, buzë e bel
T’kuqe si mollë bahçje
Gjoksin kur e çelë
Lum lumi Valbonë
Kush ia hijeshon ritën
Lum kush I puth buzët
Që qelën më dritën
VERË S’KISH PASË ATE MOT
( Sipas gjyshës,ndejsë past)
Ni muj e tre dite e tri netë
Kish pa ra borë e madhe
E ishin pa mshel udhtë, kjamet
Për matan bjeshke
E kish pa ra shi sigjim
E kish pa ra shi
E kish pa ra shi
Thue se ra havaja n’tokë
Tovona veri kish pa frye
Pa u nal dy ditë e ni natë
Bora bjeshkve e fushave
Dhe ujë lumejve lugjeve e prockave
Ish pa ba akull si xham vizllimë
Strehve te shtepive
Plemeve te yshymit t’gjave
Gardhishteve të oborrit
T’thurura kunor
Qiri, akulli deri në tokë
Si kristale te lëshuara
N’Shpellë t’Gadimës
E s’ish pa nal bora
As pas tre mujve
E kish pa frye ni frymë
Juga jo, jo juga more
S’di ç’dreq emen kish
E ishin frye projet
E ishin rrit lumejt
Bardhë prej ujtë ishin ba
Fusha, ara të bukes, livadhet
E kish pa nxe dielli si n’verë
Po verë s’kish pas atë mot.
KËNGË ELEGJIAKE
Me gishtin e madh të kambës
Pata nxa n’thue
Ni cung kulumrie matan shtekut
N’Arë të Elezit
Udhës me shkue n’bjeshkë
Me pre vishkuj për me vnu sanën
N’mullar
E me ia lëshuar lëmeztë
Rreth e rreth
Ajo me pat këqyrë
Unë shkojsha të dajt n’ Strovc
Ajo tue mush ujë në Krue te Etheve
Edhe unë e pata këqyrë rrept
Sdi a ma bani me sy
Me dorë po
Dhe shkoi vera, vjeshta erdhi
Me tana t’mirat e Zotit
Edhe ni her e pashë
N’arë të livadheve
Tue mbledh fasul
Edhe unë me drapen
korrsha kollamoq
S’di a ma bani me dorë
Unë po
Ni tufë kallamoqi
Iu ngjit në flokun bojë kafe n’shpin
Dredha – dredha
U shkue ni kohë e gjatë e se kam pa
33 vjet s’a mahi
BALLADË PËR HEROIN
( … Isa Boletinit)
S’ka rendesi a e panë
Kur kaloi Grykën e Llapushnikut
Këlcyren matan Fushë Mollën
Tashmë Ai kish ditë
Që shndriste errësirën
Përflakje, mugëtirë, ethe zjarre
Pak kush n’Perandori
Ia ndinte vajn Atdheut
Lakuriqet e Natës endëshin
Midis të gjallëve
A brehet bre mishi i të rënëve
Ata u zgjuan një çast
Hije e flakë rreth varreve
Ofshamet mbyteshin soll dhembje
Përjetsia i merr Fatëlumet
Të gjallëve
Një Zot e dij në ç’kohë
Do t’u hiqet zemërimi




































Leave a Reply