Vështrim mbi librin “Kur rilind Feniksi”, të poetes Merita Selmanaj – Aliu / nga Zejnepe Alili-Rexhepi

 

Vështrim mbi librin “Kur rilind Feniksi”, të poetes Merita Selmanaj – Aliu

 

 

zejnepe

nga Zejnepe Alili-Rexhepi

 

Vëllimi poetik Kur rilind Feniksi i autores Merita Selmanaj – Aliu, trajton tema të një aktualiteti të brishtë, po aq sa kujtime e përjetime të trishta. Ajo shfaqet me një spektër të gjerë tematik, ku shpërthen burimi i frymëzimit poetik, merr hov dashuria për jetën, me po aq subtilitet sa liria e vendit. Në poezitë e këtij vëllimi, përjetimi paraqitet si një realizim artistik i arrirë që sendërton vargun me plotëninë e figurave domethënëse e të kapshme, si nga ideja që hedh, ashtu dhe mesazhi drejtuar lexuesit. Poezitë vijnë përmes formave të ndryshme të vargut, herë të rimuar e herë të lirë, por përmbajnë mesazhe të qarta.
Vëllimi është i ndarë në katër cikle tematike: “Pikëllimi i këngëtarëve”, “Testament”, “Kur rilind feniksi”, dhe “Metamorfoza”.
Secili prej cikleve ka një ngjeshje tematike që shpalos ide, përpjekje e lutje… nën vrojtimin e thellë e të vëmendshëm të poetes, për të vënë në pah sfidat e një periudhe prej disa dekadash, kohë kur i riu shqiptar reflekton gjakimin e tij për Kosovën e pavarur.
Në ciklin Pikëllimi i këngëtarëve (Sadness of singers), i cili përbëhet prej 36 poezish, ofrohen motive që kanë begati temash e ngjarjesh dhe janë të çliruara nga ndjesia e ndrydhjes, ku lehtë – lehtë palosen: kujtimet e ditëve studentore, dëshirat rinore, lutjet e shumta dhe ëndrrat e kahershme për jetë më shpresëdhënëse. Të gjitha këto sajohen me një forcë vjershërimi plot gjallëri, përjetime reale e origjinalitet. Pikëllimi i këngëtarit-poet pasqyron pengmallin derisa sa të vijë liria.
Në ciklin Testament (Testament), me 16 poezi, gjithashtu haset një laryshi temash, por më i trajtuar është motivi i vendlindjes, si kult i tokës që përshkon poetja në shumë poezi, të cilat tematikisht ndërvaren me njëra – tjetrën. Për të, është e pashmangshme ëndrra për liri, për një Kosovë të pavarur ku mbi gjakun e dëshmorëve do të mbinin lulbozhuret. Dashuria dhe malli, shpresa dhe trishtimi tipizojnë Loke-Kosovën në pritje të ditëve më të mira, ashtu siç del edhe porosia (testamenti): Në emrin e vajzës sime vetmia për voter / Në sytë e saj ngjyra e simes tokë…
Kur rilind feniksi (Wen reanimate phoenix), është një cikël ku janë vendosur 15 poezi, si imazhe të një jete të tjetërsuar. Aty, merr hov dashuria dhe ngrihet si feniks për t’i dhënë dritë jetës, për t’i dhënë krah lirisë. Feniksi, ai zog i heshtur, me madhështi dhe durim hyjnor ngrihet nga hiri dhe përpjek flatrat e dobësuara për fluturimin e fundit. Sakrifica është e madhe, por edhe fitorja shumë pranë…! Fluturimi i mundëson të shijojë hapësirën, lirinë e shumëndërruar, këtij feniksi, simbol i rilindjes pas shumë flijimesh… Feniksi është vetë Kosova.
Edhe vargjet: Mos i trembni engjujt kur andej kaloni,
Përkundni në djepa, këndojuni ninulla!
Ata sot janë Dhe për mua e për ty… duket se e sjellin më pranë aromën e kultit të tokës dhe qiellit hyjnor… Janë saga e të parëve tanë ndër shekuj.
Metamorfoza (Metamorphosis), është cikli i fundit i vëllimit poetik Kur rilind feniksi, ku përmes 17 poezish, poetja Merita Selmanaj – Aliu, parashtron shpesh pyetje e shtron dilema, për shumë çështje jetike dhe në të shumtën e rasteve, metamorfoza bëhet figurë bartëse e shumë vargjeve. E mundshmja në këtë vëllim poetik është ëndrra e bërë realitet, Kosova e ditëve tona, por metamorfozimi është i pashmangshëm, mbase këtu qëndron siguria, e ardhmja… Kjo është një temë e njohur në këtë nënqiell, ku njeriu metamorfizohet duke iu afruar një metonimie mumjesh, ku dinjiteti dhe vlera njerëzore tjetërsohet për të qenë peng i një paudhësie a fati të mbrapshtë. Poetja trishtohet nga ngjarje të këtilla, andaj gjen forcë për të shpërthyer në vargjet:
Nëse e i ke duart të lidhura e gjuhën të prerë
në fletën e bardhë unë do të shkruaj për ty!
Si vrojtuese e ngjarjeve të Kosovës që ravijëzuan fundshekullin XX, duke qenë bijë e atij Dheu, ajo frymëzohet për t’i lënë vend shpërthimit poetik, të akumuluar si nostalgji, dhembje e rebelim.
Përmbledhja poetike Kur rilind feniksi kumbon si një mesazh i rëndësishëm që buron, jo vetëm nga thellësia shpirtërore e një krijueseje, por nga realiteti i një kohe jo të largët, për Kosovën, për shqiptarët, me përmasat e një sfide njerëzore. Shpresojmë që Kur rilind feniksi të lërë gjurmë të rëndësishme në kohë dhe shënim mbamendjesh me vlerë për lexuesin e kohës dhe të ardhmen.

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s