Mbrëmja poetike tiranase
Nga Bardhyl Selim
Një mbrëmje poetike në emër të jubileut, 400-vjetorit të themelimit të Tiranës si qytet. “Nderi i Kombit” Reshat Arbana, “Mjeshtri i Madh” Ndriçim Xhepa, aktori i Teatrit Kombëtar Xhemil Tagani, prima soprano e Teatrit të Operës dhe Baletit Eva Golemi, profesorja e asocuar në Universitetin e Arteve Silvana Skënderi, aktorja e re Linda Jarani dhe emra të tjerë të njohur të kulturës tiranase janë mbledhur të gjithë bashkë për të interpretuar poezi tiranase që datojnë 300 vite më parë. “Mbrëmja poetike tiranase”, një ide dhe realizim nga Alba Kepi është zhvilluar vetëm pak ditë më parë në piano-barin e pjacës në qendër të kryeqytetit. Ky event i organizuar edhe nga Shoqata Tirana ishte një hulumtim historik në poezinë tiranase gjatë tre shekujve të fundit. Në një bisedë me organizatoren e këtij eventi, Alba Kepin, dikur lektore në Muzeun e Tiranës, ndërsa tani gazetare në Itali, “Shekulli” ju përcjell artistët që nderuan këtë mbrëmje. Alba Kepi, kthehet në Tiranë për këtë event dhe për të na shpjeguar më tej një mbrëmje ndryshe nga të tjerat.
Si shkoi mbrëmja?
“Mbrëmja e poezisë tiranase” u bazua në krijimtarinë e poetëve autoktonë nga shekulli i tetëmbëdhjetë e deri në ditët tona. Është e para e këtij lloji e organizuar në Tiranë dhe kjo si një nismë në kuadër të 400-vjetorit të themelimit të qytetit të Tiranës. Organizimi i kësaj mbrëmjeje poetike përkon me veprimtaritë e shumta që ka në plan për të organizuar shoqata e tiranasve në këtë vit jubilar të 400-vjetorit të themelimit të këtij qyteti.
Poezia ishte kryefjala e kësaj mbrëmjeje?
Kryefjala e kësaj mbrëmjeje ishte poezia, por në intervale të ndryshme kishte edhe këngë lirike dhe pjesë instrumentale.
Si lindi kjo ide?
Prej kohësh më kishte ngelur në mendje thënia e një burri të mençur tiranas. Kjo ka ndodhur shumë vite më parë, kur unë sapo kisha kryer studimet e larta dhe punoja lektore në Muzeun e Tiranës”. Me ëmbëlsinë e dialektit tirons ai më tha: “Mbaj mend këtë që po të them, Tirona osht nji “minierë” e pafund gurësh të çmuar. Sa mo thellë të futesh e sa mo shumë të gërmosh mrena saj, aq mo shumë figura të shqueme atdhetarësh, personalitetesh, shkrimtarësh, artistësh e njerëz me vlera të pashoqe do të gjesh”. Ky postulat i atij burri të mençur më ka shoqëruar ndër vite gjatë gjithë punës dhe krijimtarisë time si historiane, etnografe, publiciste e gazetare. Madje, do të doja të theksoja se, deri më tani gjithçka më tha ai atë ditë është vërtetuar katërçipërisht, gjë që më ka kushtëzuar të mos rresht së kërkuari sa më në thellësi të kësaj “miniere”. Dhe në pafundësinë e këtyre gurëve të çmuar unë zgjodha poezitë që erdhën të interpretuar nga aktorë të njohur shqiptarë.
Luela Myftari dhe Ndriçim Xhepa
A janë këto poezi të njohura?
Poezitë e para tiranase për vetë kushtet e kohës janë shkruar edhe në gjuhë të tjera, por edhe në gjuhën amtare me alfabete të ndryshëm. Shumë prej tyre i gjejmë të skalitura nëpër pllaka godinash, urash, gurë varresh, disa janë recituar e kënduar në raste tubimesh e dasmash derisa shumë prej tyre i gjejmë të botuara në shtypin letrar, por edhe në plot vëllime. Kështu që, mund të them se shumë prej tyre janë të njohura.
Nga poezitë e 300 viteve më parë në ato të sotmet
Ishin poezi që na vinin nga thellësitë e shekujve. Por, edhe pse janë krijuar afro 300 vjet më parë, edhe pse janë kushtëzuar nga koha kur janë shkruar, ku nuk mund t’i shmangeshin karakterit fetar, ato kanë mbetur të freskëta, autentike e shumë prej tyre madje tingëllojnë ende aktuale. Poezitë janë interpretuar nga aktorë të mëdhenj të skenës sonë, si Reshat Arbana e Ndriçim Xhepa. Fillimisht, filluam me poezi të hershme, që i mungon edhe autori, apo janë shkruar me pseudonime, për të mbërritur më tej, në fund me poezitë që shkruhen sot nga tiranasit.
Poezitë e shekullit të 18-të, aktuale edhe sot
Tre poezi të shkruara në të folmen tiranase në shekullin e 18-të rrëfejnë korrupsionin, mallin dhe karrierën që mbetet njëlloj edhe në Tiranën e sotme
Bëhet fjalë për një trashëgimi tejet të pasur, e cila e ka zanafillën nga koha e Bargjinasve, që në atë periudhë sundonin qytetin. Ishte koha e humanistëve të parë si: Budi, Bogdani, Matrenga etj., për të vijuar me poetët e Rilindjes Kombëtare, të kohës së Pavarësisë e deri në ditët tona ku kemi plot poetë që shkruajnë me shumë dëshirë e vijojnë të botojnë me sukses. Poezia e parë e interpretuar në këtë mbrëmje poetike përbëhet nga vetëm katër vargje. Daton të jetë shkruar rreth vitit 1780 nga një autor i panjohur, të cilin tiranasit kanë vendosur që ta quajnë “Anonimi i Tiranës”. Ishte një vjershë e shkurtër titulluar “Vëllait”, e ndjerë dhe në të cilën autori shpreh dashurinë për të vëllanë, që prej vitesh dergjet në kurbet. Edhe poezia e dytë e interpretuar mendohet që t’i përkasë po kësaj periudhe, pasi edhe kjo është e nënshkruar me pseudonim. Ishte koha e anonimatit dhe koha kur shkruheshin poezi për klerikët. Poezia e dytë që vjen nga po ky shekull ka në qendër veprimtarinë e Sheh Rexhepi, një klerik bektashian me shumë influencë dhe reputacion në Tiranë nga viti 1720 e deri në 1790. Por më e bukura ndër poezitë e shekullit të tetëmbëdhjetë që erdhi në këtë mbrëmje poetike ishte ajo e Lisonit.
Nën titullin “Të hollat”, pra paratë, Lisoni edhe ky pseudonim, prek një problem shumë serioz dhe shumë aktual edhe sot, atë të ryshfetit dhe të korrupsionit. “Qofsha e gabuar, por askush nga poetët dhe krijuesit tanë të shquar nuk e ka prekur aq herët këtë gangrenë, që po e dëmton edhe sot shoqërinë tonë. E pas kësaj, ne të gjithë nuk kemi përse të mos krenohemi, që këtë gjë e ka bërë afro 300 vjet më parë një tiranas”, tregon Alba Kepi për këtë poezi. Një tjetër poezi e shkruar me pseudonim, por pas të cilit fshihet mësuesi dhe kleriku i njohur Haxhi Ymer Kashari është një lutje. Me këtë poezi merr fund edhe periudha e anonimatit dhe pseudonimeve në letërsinë tiranase. Haxhiu Ymer Kashari, një nga të parët e familjes Kashari, pinjollët e së cilës vijojnë ta kenë përqendrimin në Rrugën e Dibrës në Tiranë ka qenë edhe udhërrëfyesi edhe mësuesi i humistes së parë shqiptare Dervishe Hatixhe Skënderit. Ky autor që vjen me pseudonimin Suziu ka bërë shumë edhe për botimet tiranase. Nipi i tij Qazimi në vitet ’30 të shekullit të kaluar ndërtoi në Tiranë shtypshkronjën “Tirana”, ku u shtypën shumë vepra të letërsisë botërore dhe të autorëve tiranas. Vjersha me titull “Lotët e gjinofqarve”, pra lutja e interpretuar në këtë mbrëmje poetike është shkruar në 1797 dhe ka një frymë fetare që diktohej nga rrethanat e asaj kohe.
Poezia
Lisoni – Të hollat
Njeriu në botë nuk gjen shokë, pa të holla, Shoku shokun s’e përshnet pa leverdi, pa të holla, E i gjo, qi nuk i lypset asnjeri nuk ta jep. Ene mretnitë s’të emnojnë për asgjë, pa të holla. Men’ja nuk ma merrte, por kështu unë e kuptova. Asnji punë nuk mund të kryhet në ktë botë, pa të holla Kështu e gjeta na kjo botë. O njeri, kur të kalosh, Kuran për ty s’të këndon as hoxha te vorri, pa të holla O Lison përveç Zotit, asnjeriut mos iu lut Ç’ti kërkosh mëshiruesit, do t’i falë, pa të holla.
Bastari, bejtexhiu më i njohur i Tiranës
Ramë Hyka (Bastari) në Tiranë ka punuar si punëtor krahu, si bahçexhi, krijoi familje, u martua me një vajzë tiranase nga familja e Kollçijve dhe bëri dy djem, Zenelin dhe Rexhepin. Ramë Bastari ishte një besimtar i devotshëm, kështu dëshironte të ishte edhe djali, Zeneli, të cilin e dërgoi në mejtep. Zeneli ishte një djalë i zgjuar dhe pasi kreu mësimet fillestare në mejtep menjëherë i vazhdoj mësimet e mesme në medrese, kurse djali i dytë mbeti punëtor krahu. Zenel Bastari, edhe pse e kreu medresenë në Tiranë, e veshi uniformën e hoxhës, por kurrë nuk e kreu misionin, nuk e ushtroi detyrën për të cilën kishte mësuar, studiuar! Për të jetuar, Zenel Bastari thurte, qepte, qëndiste, sumbulla për ferexhe e xhamadanë…
Këtë zanat e ushtronte sa për të jetuar, por Zenel Bastari që në vegjëli kishte shfaqur një aftësi, mençuri, mjeshtëri për të thurur bejte. Bejtet e tij, që ishin plot frymëzim dhe me porosi, qarkullonin jo vetëm në Tiranë, por filluan të përhapen kudo nëpër Shqipëri. Krijimtaria e tij si bejtexhi ka prekur tema të ndryshme, jo vetëm fetare-shpirtërore, por edhe shoqërore. Ai shkruante thjeshtë, në gjuhën e popullit, të cilin e dispononte e frymëzonte. Në vargjet e tij kritikonte jo vetë sundimtarët, por edhe fetarët… Poeti bejtexhi, Zenel Bastari, me vargjet e tij me mjeshtri “pikturon” mjerimin e kohës, si një mjeshtër i vërtetë i satirës, me vargjet e tij lufton kundër veseve, luftonte kundër errësirës. Krijimtaria e Zenel Bastrait është njohur ndër tiranasit e vjetër.
Ata i përdornin bejtet e tij në gëzimet, në zijafetet, por edhe në hidhërimet. Bejtet e tij kanë gjetur vend nëpër ahengjet e shtëpive të vjetra të Tiranës së dikurshme. Emri i tij përmendet edhe ndër ata krijues humoristë, që kanë pasur talent të padiskutueshëm. Fakti, që këto krijime edhe sot gjejnë vend tregojnë forcën e talentit të Zenel Bastarit. Botimet për këtë figurë, sipas të dhënave që ka ruajtur poeti Ibrahim Hasnaj, janë në vitet 1961, Buletini i Shkencave Shoqërore, Tiranë. Në vitin 1972, revista “Nëntori’ me autor Zyber Bakiun. Bihiku: Histoire de la Littérature Albanaise. Tiranë: 8 Nëntori, 1980. Robert Elsie: Historik të letërsisë shqiptare. Pejë: Dukagjini. 1997. Zenel Bastari humori therës i Tiranës, Dita 2002. Botimi i vitit 2003, me autor Ibrahim Hasnaj, nga Shtëpia Argeta LMB,Tiranë.






























Leave a Reply