” NDËRGJEGJE NË PESHOJË ” Përmbledhje nga libri me titull: “Burrëri e Lagur” / Poezi nga Mehmet BISLIMI

 

 

 

NDËRGJEGJE NË PESHOJË

Përmbledhje nga libri me titull: “Burrëri e Lagur”

 

Poezi nga Mehmet BISLIMI

 

 

 

 

 

Uniteti

 

gjyshja ime ndjesë pastë

me dorën e saj të lehtë

nga shtëllunga e leshit

fijet i lidhte në unitet

 

njerëzit e kohës moderne

si grykësit që zihen për një presh

unitetin e kohës së vonuar

prapë e bënë lesh

 

leshi e lëmshi u ngatërruan

në fushat e gjera të interesit

o gjyshe ime e ndjerë a dëgjon

se ç’u dhje ndër vete

uniteti ynë

prej leshit

 

 

 

 

 

Dikur

 

rojat viheshin tek kullat

nga mali

kur zbrisnin burrat

 

vdisnin për atdhe

burrat

dikur

 

vdesin atdheun

burrat

sot

 

mashkull e burrë

nuk ishte njëjtë

as atëherë

as sot

as kurrë

 

 

 

 

 

Bythë e kusisë

 

nuk ndenjen duarkryq intelektualët

sfidë serioze i bënë Serbisë

me vizionin filozofik të avancuar

rrahën me shkop bythën e kusisë

 

bythë e kusisë rënë nga ndryshku

lënë në mezhdë me një anë

ai shpiku strategji të re

të artit luftarak në Ballkan

 

rrethi i kusisë po krekoset

me bythën që boja po i del

eh sikur të realizohej kjo filozofi

do konkurronte çmimin Nobel

 

 

 

 

 

Sintezë fatale

 

rrugë mora

për ta takuar njeriun

panjerëzinë dhe qenërinë

takova

shkrirë në bashkëdyzim

në analizë nuk u futa dot

të panjerëzishmit

sinteza keq i kishte ngërthyer

ishin bërë

t’i qashë me lot

 

 

 

 

 

Ka burra

 

ka burra

që as para plumbit

nuk e hanë fjalën e dhënë

 

ka burra

që lumi nuk i lanë

si qentë fjalën hanë

 

ka burra

që gënjejnë shoqi- shojnë

për dallim nga qentë

ata nuk lehin

edhe kur të tjerët i shkelmojnë

ka burra

e burra

 

 

 

 

 

Kopshtarët e atdheut

 

kopshte me fjalë ndërtuan

pallate mbi shtatin e atdheut

ulur këmbëkryq mbi postaqinë e iriqit

burrat e politikës

për hir të elektoratit

prapanicën po sakrifikojnë

 

qëndron e patundur

bythë e larë në gjak

me postaqinë e iriqit

urojmë

elektorati të merr hak

 

ati ynë pat thënë

të ngrohet hamami me pordhë

o burra

të pastrohemi se u bëmë horr

 

 

 

 

 

Koalicioni

 

që kur bota mban mend

ujku me qengjin

pula me dhelprën

miqësi nuk kanë zënë

 

atëherë

mbi kë do të bjerë rrufeja

o arkitektë të dredhive të liga

ju nuk jeni

Pasha Sinan

 

fantazi perfide e dredharakëve

me foshnjen e pafajshme në gji

mashtruesit

këtë vit

bënë në prapahije kumbaritë

thellë në gjoks fshehur

pabesitë

 

 

 

 

 

Bijtë e kotësisë

 

po t’i shikosh

nga pamja e jashtme

të duken

sikur secili me vete bartë

në gji

nga një copë histori

 

dilemë për pak çaste

kafeneve të qytetit

vrasje e butë me çaj e duhan

dënim absurd

pajtim me shëmtitë

me temat politike vrasin kohën

tërë kohën meditojnë

as gjë nga jeta

nuk kërkojnë

 

 

 

 

 

Dikur dhe tani

 

dikur

kur lumin kalonin të ligjtë

dihej

atkinë ta shanin

 

tani kur lumin kalojnë

atkinë

më nuk ta shalojnë

kohë moderne e avancuar

tani

t’ëmë ta lodrojnë

 

 

 

 

 

Rrugëtim

 

gjatë rrugëtimit

diçka u këput në mes

të paralajmëruar për defektin kohor

të shoqërisë kryeneçe

kush parashikoi ngritjen e bajrakut

e nuk parashikoi prishjet

mes bajraktarëve

 

ata nuk gjeti kompromis me ndreqjet

plagët e hershme nuk u shëruan

fatkeqësitë kujdestare

në pusinë e ligësisë qëndruan

 

tani

merreni e mbani në gji

rrotën tuaj

që ju la në mes të rrugës

të zhgënjyer

 

kjo nuk ishte karrocë me histori

si ajo e Ismail Qemalit

ju merr lumi karrocën edhe ju

mbajeni mirë në mend

se historia nuk ua bën brenda saj kot

as edhe një prapanicë vend

 

 

 

 

 

Moshë adoleshence

 

ai

nuk e kishte menduar kurrë

se zgjedhjet e çastit dallojnë

aq katërçipërisht

nga ato të perspektivës

 

në intimitet po ta them

ai bëri koalicionin e zhgënjimit

një fund të tillë s’e kishte menduar

as në moshën e adoleshencës

 

tani më

në këtë moshë të thyer

lojërat e fëmijërisë i hynë në qejf

si të thuash

iu bënë ves

nga ati

të mos të zbres

 

 

 

 

 

Pritje

 

kjo kohë e lazdruar

shumëllojshmërinë e pritjes ta ofron

përtej hijeve te tejdukshmërisë

si të vjen për së mbari

ulur a në këmbë

në luadhe mbi bari

në radhë

në zyrë

në trotuar

pritje shtrirë

i plogësht nën jorgan

pritje fytyrëvrarë

ngazëllyer e hijerëndë

pritje fytyrëshëmtuar e dhëmbërënë

dehur e tymosur me çaj e duhan

pritje

 

të gjithë ata që presin

janë të vonuar

si të vonuar në jetë

në dyert e mbyllura të botës

trokasim kot

trokasim me vonesë

tash e sa vjet

të vonuarit kush i pret

më thoni

se më luajtën mend e kresë

 

 

 

 

 

Kundërshtarë

 

sa mirë të tillë që jemi

ligj i përsosur i natyrës nuk gaboi

të njëjtë nuk na bëri

mrekullisht

në udhëkryqet e jetës

nuk na ngatërroi

 

në rrugëtime

në mendime

në veprime

të ndryshëm

ju në rrugën tuaj

ne në rrugën tonë

sa mirë që nuk jemi

të gjithë

njësoj

 

 

 

 

 

Si gjithmonë

 

dirigjent

orkestër që dështoi para akordimit

tingujt e çakorduar

fatkeqësisht

nuk nxorën melodinë e shumë pritur

çfarë peripecish kakofonie

mes tingujsh ulëritës

këtë konfliktualitet notash

kush e dirigjon

 

të dirigjosh një orkestër

do duhej të ishe

të paktën Maestro

e klasën e parë të notave

nuk e kalove dot

maestro i melodisë

pa nota

maestro kot

 

 

 

 

 

Larje duarsh

 

llogarit shpenzimet miku im

blije një sapun në të mjafton

unë do kujdesem për larjen tënde

sot do ta nënshkruajmë moratoriumin

mbi orën e vdekjes

se i erdhi fundi lojës disfatiste

me ujin e ftoftë të burimit

larje duarsh nga qëllimi final

rrëshqitje në kohë

me duar të palara

sa afër burimit

sa larg pastërtisë

 

 

 

 

 

Të dehur

 

“heronjtë” e ditëve tona

esëll nuk i takuam dot

nga tavernë e kafenesë së qytetit

hurbin e kafesë shijojnë

raki e mish të skuqur

politikën ndërkombëtare analizojnë

lamë e shtruar

koqen e qejfit bëjnë

namin e zi po lënë

 

të dehurit e ditëve tona

“për atdhe”

nga mallëngjimi

dehur e përmallë

në tryezën e pistë shtruar

të paskrupullt

së bashku faqezi e hileqarë

dehur e bërë përrallë

për kolltukun e butë

namin e zi po lënë

 

 

 

 

 

Gënjeshtar

 

prapë

gënjeve shokët e idealit

në rrugët e rrëpira të faqes së malit

faqe nxirë

fjalë ngrënës e i paburrë

i vetëm po

me shokë jo

më kurrë

 

 

 

 

 

Pa dashje

 

ia këputa telin çiftelisë

pa dashje

nuk ia mësova notat melodisë

kurrë

e melodinë e desha aq shumë

djalli ta marrë

 

për ty më kënga

nuk do këndohet

as vaj s’do bëj kush

vrave këngën me dorën tënde

në rrugët e harrimit

makthi që po rritet

miqtë të thanë

kujdes këngën se vritet

 

 

 

 

 

Parandjenjë

 

armiqtë nuk po na shajnë sa duhet

miqtë po na lavdërojnë

më shumë se ç’duhet

 

si me të pabesë

se ç’po më gërryen një ndjenjë

një ndjenjë ogurzezë

 

 

 

 

 

Ironi e verdhë

 

vargu im

eja të ikim larg

 

zilia mes vargjeve

ka rënë

vargjet mes vete pezëm kanë zënë

smirëzia në garë

ikim

se u bëmë përrallë

 

mes njerëzve urrejtja

futur kaq thellë

enigmë e pashpjegueshme

ironi e verdhë

ikim

 

 

 

 

 

Zhgënjim

 

zhgënjehemi kur

miqtë në baltë na lënë

pa pandehur

dilemat paraqiten

cilët janë miqtë e vërtetë

e cilët

miq na hiqen

 

Me keqardhje

 

dikur

mendimet i kishim të njëjta

për njeri tjetrin

kishim nevojë

 

përditë po largohesh

vërtetë më vjen keq

jo edhe aq për ty

sa

për mangësinë që nuk t’u heq

 

 

 

 

 

Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare

 

prapë dikush do të vritet

do të përgjaket dikush

prapë dikush do të zgërdhihet

do të përjargët dikush

 

kambanat për mortin

nuk do të pushojnë

dikë do ta shajmë me breshëri

me breshëri

dikë do ta nderojmë

 

rrugë të gjata janë këto

kanë nisur e nuk sosen

bashkimin e atdheut

kërkojnë

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s