ALO? / Tregim nga Drita Lushi

images.jpdrita

Tregim nga Drita Lushi

 

 

 

ALO?
“Alo?”-vazhdoi ai, pasi s’po merrte përgjigje.
“Alo…!”
“Alo…!”
“Alo”- ja e tij, tashmë ishte jo me ton pyetës, nëse Ajo ishte a s’ishte më matanë telit të fonit, por ngulmuese, dëshiruese, zhgënjyese, dëshpëruese. Të gjitha tonet e intonacionet e zërit përziheshin ne atë “Alo”, që s’po merrte përgjigje.
“Shit!”- mërmëriti ai .
Por nuk shau askënd, e aq më shumë atë, po mbase shau veten, momentin, gjendjen në të cilën ndodhej.
Kohët e fundit i kishte ecur jo mirë, e ai pavarësisht tipit të qetë, e lehtësisë me të cilën i merrte gjërat, përsëri s’mund të ishte amorf në këtë situatë.
Në punë, shefja, një grua mbi pesëdhjetë vjeçe që mbase i mungonin shumë gjëra, mundohej të “mbushte” këtë mungesë, duke nxjerrë mllefet ndaj vartësve.
Ai ishte tip i hapur, i butë i qeshur, dhe e dinte mirë se ç’donte një grua.
Një kompliment, një buzëqeshje, në afrim karrigeje, një lëshim vendi apo radhë, e ta shihje sikur të ishte më e bukura përqark.
Ndoshta ishte burri që bënte komplimentet më të bukura në botë, e kishte fantazinë më të çmendur, aq sa, ata që e njihnin prej kohësh, e quanin “të luajtur” me shaka.
Nuk ia kurseu as shefes komplimentet, kur vonohej pak në punë, ose e dinte që e tepronte në ndonjë gjë.
Por ajo kish qëlluar nga ato, që s’hante “pykë”, siç shprehej ai popullorçe, dhe madje ditën e fundit i tha: “Ju në vend të zemrës keni një pykë hekuri”, kur ajo i urdhëroi largimin nga puna.
E kjo ndodhi, në periudhën kur mendoi se po ndryshonte jetën e tij.
Ditët e tij ishin të thjeshta e të lirshme si vetë ai…

***

Një të diel, vendosi të shkojë në një qendër tregtare, thjesht të shtynte orët. Mori pak para me vete, le që, dhe të donte të merrte shumë, ato po pak ishin gjithmonë.
Ndërsa shëtiste nëpër dyqane me sy, as vetë nuk e kuptoi se si u fut në një dyqan bizhush.
Ai s’kishte mbajtur kurrë, as orë, as byzylykë apo varëse.
I dukej sikur i rëndonin dhe këmbët e duart e veta, e jo më të mbante dhe bizhura.
Ishte i lirë, e donte të ndihej i lirë. Jo i lirë nga njerëzit, nga bota, por nga “xhingla-minglat”, siç shprehej ai në fjalorin popullor.
“Mirëdita, urdhëroni me çfarë mund t’ju ndihmoj?” – iu drejtua një zë vajze, thjeshtë e pa ngulm.
Zëri i saj, i krijoi ndjesinë se nuk ishte nga ato “të ngjiturat” që ndeshim rëndom dyqaneve, që të ndjekin madje dhe vështrimin, e janë gati të zhveshin e të veshin, vetëm që ti të blesh rrobat që ato shesin.
E prandaj u qetësua, se ato s’i duronte dot.
Ai ndërkohë, mendonte se sa kot i harxhonin njerëzit paratë për xhingla, ndërkohë që ishin aq të pavlefshme, sepse s’të ndryshonin pamje, por veçse të rëndonin duart, qafën apo gishtin.
Vetëm pasi dëgjoi zërin e saj, ai ktheu kokën nga ajo, dhe ndeshi në dy sy drenushe. Ky ishte epiteti i pare që i erdhi ndërmend sapo ndeshi në vështrim me të.
“Po ja, do blija një orë”- i tha ai, ashtu kot.
Ajo e drejtoi për tek orët, dhe po i tregonte marka te ndryshme.
Por shpejt e kuptoi, se ai se kish fare mendjen tek orët.
“Si e ke emrin?” i tha një çast ai?
“Jeta”- iu përgjigj ajo.
“Jeta ime…”tha ai, e ajo e vështroi e habitur.
“Jeta ime” – vazhdoi ai përsëri, por kësaj radhe shtoi: “Jeta ime, ka qenë pa orë deri më sot”
Vajza mori frymë e lehtësuar.
“Po si jeni orientuar me kohën?”- vazhdoi ajo .
“Po ja, dal dhe shoh diellin dhe hijen time. Kur është kohë e vrenjtur ose shi pres diellin të dalë. Natën ma tregojnë yjet orën, e unë vazhdoj fle”
Vajza qeshi çiltër.
Ndërsa ai serioz i tha:”Po e lë, do ta ble orën, herën tjetër”
Vajtjet e tij shpeshta tek dyqani për orën dhe Jetën, ia ndryshuan ritmin dhe ditët.
Ai bisedonte me të, e bisedat e tyre kishin marrë formën e një flirti të dyanshëm, që dukej se po rridhte në një vijë që të çonte tek dashuria.
Ndonjëherë fjalët, tingujt, mënyra e të folurit, të parit në sy, në bebëza, mënyra si depërton fjala në timpanin tonë, ngjyrat që ajo merr, si e shpalosim në koshiencën dhe imagjinatën tonë, ka më shumë rëndësi sesa dhjetëra përkëdhelje apo puthje.
Në fund të fundit këto, janë një “finale” që ndodh, vetëm nëse “shesh beteja” e fjalëve dhe dialogimit është në fitore, në vetëdijen, e nënvetëdijen tonë.
Ai që gjithë jetën kishte qenë aq i hapur, ai që dukej sikur i rëndonin gjymtyrët e hapat ishin aq të shkujdesur, si ditët e jeta e tij, ai që preferonte të mos mbante asgjë për vete, po t’ia jepte dhe monedhën e fundit, lypësit pa gjymtyrë në lagje, ai që dukej aq i çmendur në fantazinë e tij e që, si mungonin e si kursente kurrë fjalët e mira në adresë të njerëzve, pikërisht iu shfaq një gjendje e re dhe e bukur që quhej Jeta.
Ai s’i kishte marrë kurrë seriozisht, ditët, e shihte me sy ironik çdo gjë që ndodhte.
Nuk numëronte as dite, as javë, as muaj as vite.
Ndoshta, ky ishte një ndryshim që ai po e ndiente, por mbi të gjitha po e pëlqente.
Kjo qe koha, kur shefja i dha dhe largimin nga puna.
S’ishte e thënë që Zoti të ishte në anën e tij ndonjëherë, e megjithatë ai e donte. Ai s’mund të urrente askënd.
E ai, nuk u duk më nga qendra tregtare, sepse nuk donte ti mërziste ata sy drenushe, e në fund të fundit, egoja e tij prej mashkulli e kish të vështirë t’ia thoshte asaj këtë lajm.
E kështu, telefonatave të Jetes, ai nuk iu përgjigj për disa ditë.
Por pasi i kaloi ajo duzinë mendimesh të zymta, ditët sikur ia terën trishtimin dhe ai, vendosi t’i telefonojë, duke kuptuar se ajo, qe si një lindje dielli për të.
A mund të rrijë njeriu në terr?
E kështu, e mori dhe i tha arsyen se përse nuk u që përgjigjur telefonatave, e duke bërë shaka me të, ashtu siç bënte ngaherë, ndjeu që papritur telefoni iu mbyll, e atij i mbeti në ajër ajo “Alo!”.
“Alo, Alo!
Por vetëm heshtje.
Në këtë lëmsh pa krye mendimesh, e “zgjoi” zilja e celularit, e kur pa qe ish Jeta, iu duk sikur doli nga një letargji e thellë, e papritur mori kontakt me botën.
Qeshi, e filloi të fliste me duar e këmbë.
“Alo?”- ai.
“Alo?”-ajo
“U mërzite nga lajmi që të dhashë, prandaj ma mbylle?”- vazhdoi ai me një frymë.
“Po”- i tha ajo.
“Prandaj tani, dua të hakmerrem ndaj teje, që s’ma the më parë. Tani hakmarrja do të jetë më e madhe”-vazhdoi ajo.
“Hakmarrjet e tua janë prej drenushe, s’i kam frikë”- tha shpejt e shpejt ai.
“S’e beson?”- pyeti ajo.
“Jo”- u dëgjua zëri i tij.
“Atëherë hape derën”- I tha me ton gati urdhërues ajo.
“Pse?”, pyeti me dyshim ai.
“Sepse jam pas saj. Jam pas derës së apartamentit tënd”- I tha e vendosur ajo.
Ai me celular në dorë, hapi derën me një ndjenjë habie e gëzimi së bashku, dhe vërtet, pas saj u shfaq Ajo me celular në vesh.
“Ti”- fliste ajo ende në telefon, megjithçse ishin një prag larg njëri- tjetrit, “duhet të ma kishe thënë në kohë, të më ishe përgjigjur në kohë në telefon, sepse unë jam koha, që tani të ndaloj, të mbyll në shtëpi e s’të lë të kalosh pragun e vështrimit!
“ Unë atë dua”- tha ai duke qeshur e ende në celular, ndonëse ishin një vështrim larg, nga sho-shoqi.
Dukej sikur e kishin më të lehtë të thoshin ç’kishin për të thënë në celular, sesa pa to. Zërin dhe fjalët i dëgjonin dyfish tashmë.
Vetëm frymëmarrja po njehsohej.
“Alo”-ja, ishte më e pakuptimtë se kurrë.
Pip. .
Pip…
Pi……p.

1907901_862320447141390_5055789071283074351_n

 

@ Drita Lushi,2013.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s