Vëshrim mbi poezinë e Diasporës / Nga Mimoza Rexhvelaj

 

10728510_787432617969127_2102372033_n

 

Vëshrim mbi poezinë e Diasporës

 

Nga Mimoza Rexhvelaj

 

 

Jemi në fund të kurorëzimit të një pune dy vjeçare studimore intensive. Porsi një fëmijë në hapat e parë me ndihmën dhe mbështetjen tuaj, arrita që të eci në një rrugë, që sinqerisht për mua ka qenë një ëndërr e largët, si mollë e ndaluar, duke parë rrethanat dhe të papriturat, që jeta na servir e na zënë në befasi. Këtu mora kurajon dhe forcën për të ecur para, për të shpresuar se e drejta për të realizuar ëndrrat është vetëm e jona dhe se me vullnet dhe këmbëngulje arrihet gjithçka.
Shumë herë jam thyer, zemëruar, përpjekur të jap më të mirën e mundshme, jo vetëm për të treguar veten, por kam vlerësuar përkushtimin e secilit nga ju.
Kam marrë kritika, jam vlerësuar, jam përmirsuar me ndihmën tuaj. Sot jam këtu për t’iu thënë: “Faliminderit“!

 

 

Mimoza Rexhvelaj

 

     Mimoza Rexhvelaj

 
Kur mora temën, mendova që të sjellë diçka të re në tempullin e dijes, të falem në altarin e vyer, ku vlerat shpalosen, dhe ku secili nga ne do të dëshironte të ishte një emër i skalitur.
Nga fusha e madhe e letrave të shpërndara nëpër diasporën e largët, zgjodha mes shumë aromave poetike, ato që për kohën mbartin vlera të veçanta, ku bota po i vlerëson, duke i ngritur në majat e vlerësimit, ndërsa në vendin e tyre ngelen të mbuluar nga pluhurat e kohës, të çmendur nga antivlerat, duke harruar vlerat e vërteta. Si një poete e re, mes kontakteve të mia dhe mbështetjes së kolegeve të mi, mora shumë vëllime poetike të botuara kohët e fundit dhe përzgjodha tre zëra, si përfaqsues të letërsisë shqipe nga shqiptarët që jetojnë e punojnë larg atdheut.
Ata i bashkon e kaluara e hidhur e diktaturës, persekutimi dhe mohimi i të drejtës për të thënë fjalën e lirë, por shpirti i poetit nuk mund të lidhet me zinxhirë. Një poeti, kur i mohohet fjala, ai është i dënuar me vdekje. Në rrethana e kushte të vështira, ata u larguan nga atdheu drejt tokës së premtuar, duke marrë me vete mallin dhe dashurinë për tokën mëmë, që kurrë s’e harruan, dashurinë për gjuhën dhe njerëzit.
Këto ndjesi përjetohen përmes vargjeve dhe poezive, që i janë kushtuar vendit, si mënyrë për të ngushëlluar vetën dhe shpirtrat e trazuar nga largësia në kohë e hapësirë.
Shkrimtari shqiptar ka qënë i ndërgjegjësuar, se njeriu i kënaqur me gjendjen e lirisë, thënë pak butë, është konformist. Poeti shkodran, Anton Çefa, në librin e tij poetik “Dritarja e një britme” shkruan: “Për shokët e mi, brezin e poetëve jokonformistë, që u rritën e u plakën pa e gëzue lirinë e fjalës dhe pa e shijue fjalën e botueme, poezia asht’ nji bisedë e gjatë me vetëvetën për rujtjen e dinjitetit, e njikohësisht shfrim ndaj diktaturës.”
“Diku nëndheshëm, në Republikën e Shpirtit, në Republikën e Imagjinatës, në Republikën e të Idealeve krijuese e njerëzore, është latuar Kujtesa”.
Alternative, Kujtesa e Viktimave dhe e të Martirizuarve përballë represionit pushtues dhe gjenocidit totalitarist, përballë Kujtesës së Fitimtarit të Armës, synonte shlyerjen ose zhdukjen e Kujtesës së Parë, e cila pikësynonte imponimin e vetëm të një së vërtete, kurse për të tjerat të vërteta duhej heshtur.
Shkrimtarët e përndjekur, krahas dëshmorëve të tjerë të Atdhuet, kanë qenë Roja e Mburoja të kësaj Kujtese, e themelimit të këtij identiteti nëpër shekuj, përballë inkuizicionit e shfarosjeve armike osmane, sllave apo komuniste. E vërteta ka qëndruar në anën e krijuesve të përndjekur, të cilëve u janë djegur, zhdukur e anatemuar mijëra libra e dorëshkrime, por qëtë gjitha ato janë rehabilituar, sistemet e dhunës janë shembur, kurse dënimin e historisë e kanë marrë inkuizitorët. Triumfi i Lirisë, Demokracisë dhe Humanizmit i dhanë të drejtë shkrimtarit, sepse çdo fjalë, varg a vepër ai ia dedikonte këtyre idealeve. E shkrimtari shqiptar nuk kishte se si të mos ishte i tillë, atdhetar e liridashës. Tek e fundit, a ka shkrimtar shqiptar, që nuk ka shkruar për Atdheun dhe për Lirinë?!
Nuk është e lehtë të përballësh me jetën në një vënd të huaj, të tjera zakone, tjetër gjuhë, tjetër mentalitet, e tjetër kulturë. Ata arritën të përballën me sfidën për të mbijetuar dhe për t’u ngritur nga hiçi drejtë majave të vlerësimit, këtë e shikon tek Kolec Traboini, Gjekë Marinaj, Fatmir Terziu, e shumë e shumë shqiptarë të tjerë, që jetojnë larg atdheut.
Njerëz me shpirt të lirë që në kohë të vështira thanë fjalën e tyre përmes poezisë, gjuhës së shpirtit, duke bërë që pushteti i aso kohe t’u vërsulet si ujqër për t’i mbyllur në burgjet famëkeqe, ku dergjeshin shumë intelektualë, që lanë dhe jetën aty, por fati i tyre ishte një tjetër, ai i arratisjes drejtë lirisë…
Zërat e tyre vijnë fuqishëm duke gërshetuar dy botë të largëta të ndryshme, duke ndërtuar ura lidhëse mes lindjes dhe përëndimit, mes trysnisë së mohimit, dhe lirisë së fjalës. Duke marrë nga nektari i atdheut, për të ushqyer shpirtin, duke derdhur perla poetike, duke bërë që emri i Shqipërisë të mos ngelet i harruar në botën e letrave dhe atë akademike.
Kështu do të shkruante Rudolf Marku në 1995: ”Poetët janë me të gjërë nga hapësira”.
Ndoshta ngaqë Poezia sublimon fatet njerëzore, poetëve u takon që të jetojnë në një jetë me të papritura, me një sërë rropatjesh dhe tramvajash, pa të cilat vetë letërsia – të paktën po t’i besojmë Borhesit – nuk do të kishte kuptim që të ekzistonte…
Gjekë Marinaj arriti të botojë deri me sot veç një poezi të vetme, të titulluar: “Kuajt”. Fati deshi që ai të bëhej i njohur me atë poezi, të botuar në një cep të gazetës “Drita”, shumë e shumë më tepër nga autorët voluminozë, të cilët kishin vite, që botonin e lavdëroheshin, pa i lexuar kush. Ishte viti 1989 a ndoshta viti 1990. Ishte viti ku njerëzit përjetonin një atmosferë mbytëse, absurde, fyese, groteske. Në Shkodër trupat e të vrarëve në kufi i tërhiqnin zvarrë përpara syve të shqyer të njerëzve. Turmat rrinin në rradhë me shpresë se mund të blihej një shishe qumësht. Nëpër trena, gjatë udhëtimit, njerëzit shkulnin dërrasat e dyshemesë dhe ndiznin zjarrin. Çdo gjë dukej se ishte kundër letërsisë dhe poezisë. Të zënë me preokupimet më banale të jetës, dukej se kujtimi i poezisë, i fantazisë, indjenjave, i fyente njerëzit… Çuditërisht, në këtë atmosferë aq të kobtë, njerëzit thërrisnin në ndihmë poezinë. E vetmja radhë që nuk i fyente njerëzit ishte pritja për të blerë “gazetën e shkrimtarve”.
Të njëjtën panoramë politike do ta gjemë edhe tek Robert Elsie, ku citojmë: ”Themelet e sistemit qenë tronditur në fillim të korrikut 1990, kur mijëra shqiptarë rrezikuan jetën, duke kërkuar strehim politik në ambasadat e huaja, si ajo Gjermane, Italiane dhe Franceze të akredituara në Tiranë. Brenda gjysëm viti, diktatura njëpartiake, që kishtë qënë sunduese në të gjitha aspektet e jetës shqiptare për gati gjysëm shekulli, mori fund.
Ndonëse gjykimi përfundimtar për periudhën “socialiste” në Shqipëri u duhet lënë historianve dhe politologve të së ardhmës, periudha dyzet e gjashtëvjeçare e “izolimit të shkëlqyer” nën regjimin marksist-leninist duket sikur i ka lënë vendit si trashëgimi mjerim të përgjithshëm dhe ekonomi, që krahasohet me vendet me të prapambetura të Afrikës Qëndrore. Kur sistemi njëpartiak u hoq përfundimisht, në të vërtetë nuk kishte mbetur udhëheqje intelektuale për të mbushur zbrastinë e krijuar.
Kultura shqiptare ishte rrënuar. Kështu, fillimi i viteve nëntëdhjetë, e gjeti shtetin shqiptar në një gjendje politike dhe ekonomike katastrofike me rrjedhoja dramatike për zhvillimin e letërsisë dhe kulturës bashkohore. Vërtetë, është e vështirë dalja nga izolimi, por nuk ka dyshim se së shpejti Shqipëria do të zërë vëndin e vet në Evropë”.
Në këto kushte, ku një sistem i tërë është rrënuar përtokë, ku shpresa për një të ardhme është një dritë e largët e zhytur në terr, mijëra shqiptarë kërkuan strehim politk në vende të ndryshme të botës së lirë, duke kërkuar një jetë të re larg atdheut. Fillimet janë të vështira, të ikësh, të largohesh nga vendi yt, ku i ke dhënë një kuptim sidoqoftë jetës tënde, dhe në pak kohë të ndriçosh si ylber në qiellin e lirë, kjo nuk është gjë e lehtë. Këtë yllber ngjyrash poetike e mblodha si buqetë aromë-plotë për të aromatizuar altarin e dijes, të krijimit, të poezisë. Le të jetë nisma ime modeste si një gur themeli, që zërat e largët të shqiptarëve që jetojnë larg, të mos mbeten të huaj, por të jemi më pranë se kurrë. Ata kanë nevojë të lexohen nga shqiptarët e trojeve amë, ne kemi nevojë për ta, t’i lexojmë.
Realiteti i ri i vendit tonë premton shumë për një të ardhme më të ndritur. Ky brez shkrimtarësh janë një guidë e mirë brenda katalogut të drejtimeve të reja stilistike në poezinë e re shqiptare.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s