“JERINA ASE MBRETNESHA E LULEVE” – NJË KRYEVEPËR POETIKE E FISHTËS / “JERINA ASE MBRETNESHA E LULEVE” – NJË KRYEVEPËR POETIKE E FISHTËS Nga Prof. Anton Nikë Berisha (Universiteti i Kalabrisë)

 

“JERINA ASE MBRETNESHA E LULEVE” – NJË KRYEVEPËR POETIKE E FISHTËS

 

 

anton-nike-berisha

Nga Prof. Anton Nikë Berisha (Universiteti i Kalabrisë)

 

 

“Kuur ato rreze t’shkelxyeshme t’bukuriës s’ndoj kafshës pershkojnë synin e mêndjes s’nierit, shka ndollë atëherë m’nieri? Ndollë kta, qi mêndja e tii aty trandet e mrekullohet e, pershîi gjithkahë prejë asajë drite t’gjallë bukuriet, rrin disî pezull m’vetvedi, kndellet, e nieri per nji herë s’din tjeter me bâa, veç me rektue e me fshâa përmallshem. E, habitë, e gati rremye kso botet prejë gzimit, nuk mûndet me u pritë pa gufue nndisiët e âmla e t’madhnueshme, qi sprovon permrênda vedit; e prandej zhdrivillon gjûhen e vet, e me haree nisë me diftue njatà t’dukun t’shkelxyeshem, qi e bindë e e mrekullon shpirtin e tij. Por, tu kênë qi sêndet e kafshët, t’pershîime prejë dritet t’bukuriës, i duken synit t’mêndjes fort mâa t’mdhaa: edhè synit t’trupit sendet e rrethueme prejë shûm dritet duken mâa t’mdhaa se nuk jânë: fjalët e ligjëratës s’përditshme atij nuk i mjaftojnë me shqyptue si duhet ato t’paame, ato vegime, ato gurra rrezjet e dritet e bukuriet, qi ja kndellin shpirtin; prandej kerkon shllime mâa t’nalta, fjalët e thânjet mâa t’hiejshme, e porsi bleta kujdestare kalon lule m’lule, kshtû edhè aj tash nder lugje, tash nder brigje, tash nder bjeshkë e vrîje, e fusha t’gjâna, e dete t’kthjellta lypë me gjetë drandofillet mâa t’njoma, ujnat mâa t’cemta, rudinat mâa t’blerta, e flladet e kandshme, e ylberët e kjartë, e gur, e krepa, e t’errshme humnere, e tallaze shkumuese, e gjithshka toka e deti kaa maa t’hiejshem, mâa t’madhnueshem e mâa t’tmershem, t’gjitha i lypë e i kerkon, per me perbâa shemulltyrat mâa t’gjashme, me t’cillat masandej me veshë ato trajta t’madhnueshme, qi neper rreze t’bukuriës aj i skjyrton mîi kafshë e sênde t’kryeme e ânë – e kand me dritë t’kandritme. E kuur m’kto zaje t’poshtra s’mundet me hasë m’objekta, per masë t’cillve me tfaqe bukuriën, qi ndritë shpirtin e tii, atëherë ai rrahë fletët e mêndjes s’vet kah qiella e, m’ato vise t’epra, herë rrezen ja shkepë diellit, per ma ja êndë veshen ndoj Zojës s’Morilit: herë hyjt ja grabitë nâtës, per me ja kthiëll synin ndoj Laures (…) e kuur ky mos t’i mjaftojë per me shqyptue ato t’paame bukuriet e ato fshâme shpirti, aj n’mênde t’vet atëherë nderton nji rruzullim tjeter mâa t’madh, mâa t’hiejshem. E per me i dhânë edhè mâa fuqië fjalës, lshon zânin (kanga), e zânin e pelqen me tingllim t’veglave t’kumueshme (muzika), e per me dishmue edhè mâa plotnisht gzimin e shpirtit, nkcim i shndrron kâmët mas t’rames s’kangës e t’muzikës (vallja). E kshtû leen Poezia[1]”.

Gjergj Fishta

(“Hylli i Dritës”, 1913)

 

  1. Vepra letrare më përfytyruese e Fishtës

 

Këtë mendim të Fishtës, nga më të rrallët e më të qenësishmit që më ka rënë të lexoj prej një autorit tonë për natyrën dhe veçantitë e artit të fjalës dhe për bukurinë, të botuar në punimin “A janë t’zott Shqyptarët me u majtë shtet n’vedi?” (1913), e vura në krye të punimit për arsye se paraqet bazën kryesore ku mbështetet hartimi i veprës “Jerina ase Mbretnesha e Luleve[2]”, të cilën ai filloi ta hartonte në vitin 1914[3] dhe së pari e botoi më 1940 në revistën “Hylli i Dritës”, disa muaj para vdekjes[4]. Pra, mendimi i përmendur bën të mundur thellimin në natyrën dhe në vlerat e kësaj vepre të tij dhe ndriçimin e disa prej përbërësve kryesorë të saj, ndërsa vetë vepra përligj mirëfilli përcaktimet teorike dhe estetike të autorit[5]. Është vështirë të gjendet edhe një shembull tjetër në letërsinë tonë, që pikëpamjet e veta teorike dhe estetike një shkrimtar t’i ketë zbatuar me aq saktësi dhe shkathtësi në një vepër letrare poetike, si në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”.

Duke pasur parasysh mënyrën si Fishta u qaset, i vështron dhe i shpreh dukuritë në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” them se ajo është vepra poetike më përfytyruese, më imagjinative, që ka dalë nga pena e tij. Ç’është e vërteta, edhe në veprat e tjera, ku shqiptohen dukuri konkrete historike, siç ngjet, fjala vjen, me Lahutën e Malcís, përfytyrimi është përbërës i rëndësishëm. Mirëpo, në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” Fishta përftoi gjithçka nga mendja, siç vepruan para tij dhe dy shkrimtarët e shquar arbëreshë, Françesk Anton Santori me veprën “Il canzoniere albanese[6]” (Këngëtorja arbëreshe) dhe Zef Skiroi (Plaku) me veprën “Mili dhe Hajdhé[7]”.

Françesk Anton Santori është i pari në letërsinë tonë të shkruar që në “Këngëtoren arbëreshe” bëri objekt trajtimi poetik dashurinë dhe bukurinë e gruas, e cila më shumë se çdo vepër tjetër e tij, të ballafaqon me dukuri të natyrës teorike dhe të shtjellimit shprehës poetik të tekstit të saj e të llojeve të vargjeve metrike që përdori në të[8]. Në fillim të veprës Santori vuri strofën prej katër vargjesh, ku theksohet se dashurinë që e vështron në poemë nuk e përjetoi vetë, po e lexoi, e mësoi nga librat[9], me çka dëshmohet se krijesa letrare artistike nuk është imitim i asaj që përjetohet ose që vërehet në jetën e përditshme, po fryt i mendimeve dhe i përsiatjeve që nëpërmjet shkrimtarit shndërrohen në tekst, në veprën letrare artistike.

Edhe Zef Skiroi[10] në veprën “Milli e Hajdhia” bëri objekt vështrimi dashurinë dhe bukurinë, të njësuara në arbëreshen e quajtur Hajdhé. Këtë vashë të bukur si yll menate, të brishtë si vjollca, me sy si të pëllumbeshës, me buzë si burbuqe, me flokë shkëlqimi prej arit, Mili as që e ka takuar në jetën konkrete, mirëpo ajo është përftuar dhe gjallon në përfytyrimin e tij, pra është krijesë e mendjes së tij: Se njê ‘ rézë e trúvet ishe/ E páshtate edhe flurore.

Në qoftë se këtë metaforë të Skiroit “rézë e trúvet ishe” do të zbatojmë kur flasim për “Jerinën ase Mbretneshën e Luleve”, atëherë mund të thuhet se ajo është krejtësisht “rreze e truve” të Fishtës, që përligjet nga objekti i trajtimit poetik, nga shtjellimi i tekstit, nga gjuha poetike e pasur dhe nga vargjet e ndryshme që përdori. Në këtë vepër, sa të veçantë aq dhe artistikisht të ngritur, Fishta i dha shfrim përfytyrimit, imagjinatës dhe dëshmoi mëvetësinë, aftësinë dhe pasurinë e shpirtit të tij si poet artist, siç thoshte Lasgush Poradeci[11], që përligjet nga gjuha e veçantë dhe e pasur poetike që ai përdor në hartimin e kësaj vepre, po dhe të veprave të tjera: Fjalën rrij tue lume shqiptare, siç thotë në poezinë e tij të shquar “Nji lule vjeshtet”.

Duke folur për poezinë si art dhe jehonë e botës së brendshme të individit të shprehur nëpërmjet gjuhës “t’bukurit pulcrum – bukuria[12]”, që e këndell dhe e ndriçon shpirtin, Fishta shkruan: “Poezia, praa, si u paa, (e prandej deshtme ktû me folë pak si gjatë mii burim t’sajë), âsht jehi i shpirtit t’nierit: pse ajo, n’gurrë t’vet s’âsht tjeter veç se nji fshâme qi ep shpirti, kurr kndellet n’shkelxim t’rrezeve t’bukuriës. E tujë kânë se shkelximi i bukuriës i tfaqet nierit mas gjênjes s’shpirtit, a se mas zhdrivillimit t’mêndjes e t’shies estetike t’tii: t’gjith nierzt nuk e kuptojnë bukuriën si nji nji[13]…”

Jerina e veprës së Fishtës, si dhe Vasha e veprës së Santorit[14] dhe Hajdhia e veprës së Skiroit[15], është sa përfytyruese e hyjnore po aq konkrete: “Qi t’jét nieri e të dajë Lule[16].

Bukuria e Jerinës është e pazakonshme, siç është i pasur dhe i veçantë shqiptimi poetik dhe shumësia e mesazheve që dalin nga teksti i veprës:

Si’ i cirkë voëse m’gjeth t’nji Lilit,

Kúr prej nandjet kah pranvera

T’a pershkojë nji rreze diellit:

Herë danë mal me borë ngarkue,

Herë nji fushë krejt n’Lule shtrue:

Tash ixhí ruajtun n’kutí:

Tash si zogla neper pyll:

Sidomos, por si nji diell,

Të tanë rreze e të tanë dritë,

Qi mbí shekull rrin e shndritë,

Amel amel tue shkelqá,

Kurrkund sŷt aj pa t’i vrá[17].

Jerina përceptohet e shprehet si mal ngarkuar me borë dhe fushë e shtruar me lule, prandaj vasha me cilësi të tilla e vë poetin në mëdyshje të mëdha: si ta emërtojë këtë krijesë të bukur të përfytyrimit të tij:

A jé brymë, moj, a jé borë[18]?

Në këtë vepër të ndarë në katër pjesë: Prologu (Trazimet), Pjesë e parë (Zgjedhja), Pjesa e dytë (Të kunoruemt) dhe Fundi (Apotheosis), flasin e kuvendojnë lulet mes tyre (qofshin ato të botës shqiptare, qofshin ato të vendeve të tjera; gjuha e tyre është ajo e luleve) dhe me zanat e me orët; zanat e viseve të ndryshme shqiptare e grishin njëra – tjetrën që të shkojnë së bashku në kuvendin e kurorëzimit të Jerinës si mbretëreshë e luleve dhe mbretëreshë e Shqipërisë. Personazhe të veprës janë dhe hijet e poetëve të shquar: Homerit, Petrarkës, Aligierit. Nga Olimpi i lashtë grek marrin pjesë hyjneshat dhe kuvendojnë me lulet dhe me hijet e poetëve. Edhe ato ndajnë gëzimin e kurorëzimit të Jerinës. Me një fjalë, në Jerina ase Mbretnesha e Luleve, “mishërim i bukurisë dhe i përsosmërisë[19]”, gjithçka është përftuar, konceptuar dhe shprehur përmes tekstit poetik në atë mënyrë që krijohet ndjesia e thellë sikur çdo gjë ndodh në jetën konkrete.

 

  1. Të shprehurit poetik si bukuri

 

Parathanjen e kësaj vepre Fishta na bën të ditur se objekti i trajtimit poetik është “hijeshija e grues”, që nënkupton bukurinë, bukurinë në përgjithësi dhe bukurinë e luleve dhe të Jerinës në veçanti e jo dashurinë, “jo rektimet – sado të pastra – të dashtnís ndaj tê (saj – v. ime)[20]”, siç ngjet në dy veprat e përmendura të dy poetëve arbëreshë, Santorit dhe Skiroit. Fishta shkruan: “…ngërthetimi i veprimtarís së melodramit u end per rreth njaj vashe, qi zêhet (lexo: pandehet, merret, mendohet – v. ime) se lulet e zgjodhën per Mbretneshë të veten, e qi njiherit kjo do t’ishte edhè Mbretneshë e Shqypnís; pse melodrami kje shkrue per me kremtue kundrimet eventuale (lexo: të mundshme – v. ime) të Mbretneshave të regjinís shqiptare[21]”.

Pra, në këtë vepër Fishta shqipton diçka të mundshme, diçka që mund të ndodhë[22] ose që mund të shërbejë si model veprimi në një kontekst përkatës shoqëror e jo atë që ka ndodhur në jetën e përditshme. Ai e shfrytëzoi me mjeshtëri konceptin e poezisë tonë gojore kushtuar dashurisë, ku nuk shprehen akte konkrete të dashurisë, po bukuria – hijeshia e gruas; shprehen e projektohen gjakimet, dëshirat; projektohet ajo që mund të ndodhë ose që do të ndodhë. Ngjet kështu për arsye se shqiptimi i aktit konkret të dashurisë do ta kufizonte mundësinë e përfytyrimit, të imagjinatës, që është përbërës i qenësishëm i veprës letrare poetike.

Fishta vë në dukje se shqiptari është i aftë të shkruajë për dashurinë dhe hijeshinë e gruas pa cenuar aspak moralin dhe njerëzinë. Duke u nisur nga ky koncept, në Parathanje ai thotë: “…prej kângësh e vallesh s’ona popullore vêhet oroe se Shqyptari, mâ fort se dashunín, këndon hijeshín e grues, shka edhè perkon mâ se miri me temperament të nji populli kreshnik, kshtu per subjekt të këtij poemthi u muer bindja ndaj hijeshín e grues[23]”. Fishta e vlerësonte lart poezinë tonë gojore “shka s’besoj se e ká ndonji kómb tjetër i Europës[24]”, brenda saj dhe lirikën e dashurisë: dukuritë ndodhin (ose duhet të ndodhin) në një të ardhme të afërt ose të largët. Ngjet kështu për arsye se gjakimi i dashurisë së këtillë bëhet më i qenësishëm dhe më i vlefshëm për dëgjuesit ose lexuesit (kur tekstet e poezisë gojore janë të shënuara dhe të botuara) për arsye se ata i konkretizojnë ato në mendjen dhe në zemrën e tyre, sipas dijes, shijes dhe ndjenjësimit që kanë, sipas asaj që i paramendojnë rrethanat dhe format vetjake të përmbushjes së gjakimeve dhe të veprimeve.

Në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” Fishta e përfton të bukurën me anën e fjalëve, me anën e të shprehurit gjuhësor poetik, me anën e vargjeve. Pikërisht gjuha e pasur dhe poetike që Fishta e përdor dhe e mishëron në veprën e tij[25] e bën “Jerinën ase Mbretneshën e Luleve” me vlera të mëdha: “një botë komplekse e ndjenjave dhe e dashurisë e rrëfyer mjeshtërisht nga poeti[26]”. Kështu, realiteti i krijuar në veprën letrare është shumë më i veçantë dhe më i pasur sesa ai konkret[27]. Këtë gjë e kushtëzojnë format e zgjedhura e të veçanta të të shprehurit gjuhësor poetik, mënyrat e shtjellimit të strukturës së tekstit, përktësisht shumësia e mesazheve që dalin prej tij. Këtë, në një mënyrë ose tjetër, na e thotë vetë Fishta në Parathanje: “edhè kah trajta me i prû kto shkrime me fjalë e thânje t’ardhshme e krejt brenda çarkut t’estetikës[28]”. Pra, ndikimin e veprës në marrësin e shkakton para së gjithash e bukura e krijuar përmes tekstit poetik, që është ndryshe nga çdo tekst jo letrar, jo artistik, që dëshmohet në mënyrë bindëse në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”. Hijeshia dhe bukuria në këtë melodramë nënkupton dashurinë dhe lumturinë. Këtu e ka bazën veprimi i Fishtës që përmes artit të fjalës t’i njësojë bukurinë e gruas me bukurinë e krijuar.

Bukuria e luleve, “thellësisht e humanizuar[29]” si dhe bukuria e Jerinës, që zgjedhet prijëse e tyre dhe mbretëreshë e Shqipërisë, përftohet në vepër nëpërmjet vargjeve dhe nuancave kuptimore shprehëse brenda tyre, duke krijuar kështu një tërësi poetike, “harmonike në polimetrinë e saj[30]”.

Bukuria në këtë vepër ngërthen në vete një shumësi kuptimesh. Jerina është vetë e bukura; e bukura në jetë dhe e bukura te njeriu. Bukuria njëherit nënkupton pasurimin shpirtëror; ajo shpreh dhe të madhërishmen. Të dyja (bukuria dhe e madhërishmja) njësohen dhe bëjnë qenësinë e veprës dhe ndikimin kryesor estetik dhe e drejtojnë marrësin kah përsosmëria.

Fishta e shkroi veprën para së gjithash për lexuesit ose dëgjuesit (në shfaqjen e saj në skenë). Ata janë dashuria dhe kënaqësia e tij; janë subjektet që e bëjnë të flijohet në procesin krijues dhe të mbërrijë pikën sa më të lartë të artit të tij, gjë që nuk mbërrihet lehtë. Duke folur për të bukurën shkrimtari arbëresh, Jeronim De Rada, në veprën e tij “Parime të estetikës” (1861) theksonte: “E bukura, kjo pjesë e ndritur shpirtërore, na është dhënë që ta mbështesim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë të japë fruta e lule… Këndej del se kultivimi i bukurisë paraqitet si kërkesa e domosdoshme, më e lartë se çdo vepër arti, dhe ka një peshë shumë të madhe për të mirën ose për të keqen në jetën e njeriut. Dhe një detyrë e tillë që vjen duke u rritur, është e lodhshme dhe e gjatë sa vetë jeta tokësore[31]”.

Bukuria dhe Jerina e bukur janë krijesa të Hyjit. Aty ku është Hyji aty është dhe e bukura dhe anasjelltas[32]. Mirëpo, Hyji është edhe liria: Ubi Spiritus Domini, ibi libertas (Ku është shpirti i Hyjit, aty është liria). E bukuria tjetër, si strukturë gjuhësore poetike, është krijesë e mendjes dhe e shpirtit të Fishtës e shprehur përmes vargjesh, metrash. ritmesh e ngjyrimesh të ndryshme, përmes tablosh të rralla poetike të përftuara me përkushtimin e një krijuesi të madh. Bukuria e mishëruar në vashën Jerina “Mbrû me voës e brymë prej qielle[33] nënkupton shumësinë e hireve dhe të virtyteve që duhet ta cilësojnë njeriun dhe botën e tij. Jerina përfaqëson bukurinë e njësuar: bukurinë e luleve, bukurinë e gjallimit dhe të veprimit konkret (mbretëreshë e Shqipërisë) dhe bukurinë hyjnore.

Bukuria si e tillë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për njeriun dhe jetën e tij; ajo mundëson zhdukjen e ligësisë dhe të së keqes dhe e përndrit dhe e fisnikëron shpirtin; e pasuron me mbarësi dhe shpresë dhe i jep jetë dashurisë, siç del edhe nga fjalët e një “Karajfili” dhe një “Lashagjeli” nga Italia:

Ku t’endin Lulet,

Mënija perkulët,

Flakë ndezet dashtunija,

Shuejn epshet e kqija

N’shpirt shpresa shkelxen[34].

 

[1] P. Gj. Fishta, O. F. M, A janë t’zott Shqyptarët me u majtë shtet n’vedi? Në “Hylli i Dritës”, n. 3, Shkodër 1913, f. 75 – 77.

[2] Për këtë punim shfrytëzova Át Gjergj Fishta, Jerina Regina dei Fiori. Jerina ase Mbretnesha e Luleve. Poemth melodramatik. Botimi i tretë. Përktheu dhe pajisi me shpjegime Át Luigji Marlekaj. Botime Françeskane, Shkodër 2007, që është ribotim i vëllimit: Giorgio Fishta, Jerina Regina dei Fiori. Poema melodrammatico. Traduzione con testo a fronte. Introduzione e note di Luigi Marlekaj. Arti Grafiche FAVIA, Bari 1973.

[3] Shih Gegë Toska, Parathanje. Në “Át Gjergj Fishta, Jerina Regina dei Fiori. Jerina ase Mbretnesha e Luleve…”, vep. e përm., f. 3.

[4] Si e veçantë kjo vepër e Fishtës u botua më 1941, një vit pas vdekjes së autorit. Shih Tonin Çobani, Jerina si porosi letrare e Gjergj Fishtës. Në “Hylli i Dritës”. Numër i posaçëm, Tiranë 1996, 125.

[5] Shih më gjerësisht për pikëpamjet e Fishtës mbi artin e fjalës në vëllimin: Fishta, Piksime estetike mbi artin e fjalës. Zgjedhjen dhe punimin hyrës Anton Nikë Berisha, “Shpresa”, Prishtinë 2004.

[6] Shih Francesco Antonio Santori, Il Canzoniere albanese. Trascrizione, traduzione italiana e note a cura di Francesco Solano. “Radhonjtë e zjarrit” & “Quaderni di Zjarri” n. 3, 1975.

Për këtë vepër të Santorit shih më gjerësisht studimin tim Rreth veprës “Il Canzoniere albanese” të Françesk Anton Santorit. Studim. Con una sintesi in italiano. Pellegrini Editore, Cosenza 2012.

[7] Giuseppe Schirò, Opere II. Mili e Hajdhe. A cura di Matteo Mandalà. Rubbettino. Soveria Mannelli, (Catanzaro, Italia) 1997; Giuseppe Schirò, Mili è Hajdhia. Idhyl nde gjuhe shcypé (i perkethyér édhè italísht fjale pas fjalé). Shpállejé è tréte. Napoli 1907.

[8] Shih punimet e mia për veprat e këtij shkrimtari arbëresh: Mbi dorëshkrimin e Rapsodive të Françesk A. Santorit. Në “Quaderni del Dipartimento di Linguistica”. Università della Calabria. Albanistica 2. Rende 1997, f. 15 – 21; Qenësia dhe moderniteti i tragjedisë sonë të parë. Parathënie. Në Françesk Anton Santori, “Neomenia”. Tragjedia e parë shqipe. Transkriptimin Daniela Meringolo. “Shpresa”, Prishtinë 2001, f. 7 – 22; Drama shoqërore dhe drama shpirtërore. Drama e parë shqipe “Emira” e F. A. Santorit. Në “Atti del 3° Seminario internazionale di studi albanesi. A cura di F. Altimari e F. De Rosa. Centro Editoriale e Librario della Università degli Studi della Calabria. Cosenza 2004, f. 173 – 185 dhe veprën time Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë. Prefazione Domenico Corradini H. Broussard, Luigi Pellegrini Editore. Cosenza 2008, f. 191 – 216.

[9] Vargjet e fillimit të veprës së Santorit në arbërisht dhe të përshtatura në shqipen standarde:

Për dírë, për namurí shúmë vjershe shkrùajta,

Moj ndë ktë zemër namurí së ndìeta:

Ndë gjéllë sa mbeta ndonjë kopile së rùata,

e vetëm at[ë çë] dhjovasa anì rrefyeta[9].

(Për epsh, për dashuri shumë vjersha shkrova,

por në këtë zemër dashuri nuk ndjeva:

sa qeshë në jetë një vajzë s’e shikova

vetëm atë që lexova këtu e rrëfej.)

[10] Për veprën letrare të Zef Skiroit shih veprën e plotë: Giuseppe Schirò, Opere I – IX. A cura di Matteo Mandalà. Rubbettino. Soveria Mannelli, (Catanzaro, Italia) 1997. Vëllimi IX 1998). Shih dhe veprat e mia: Tre saggi sull’opera di Giuseppe Schirò. “Biblos”, Palermo 1997; Mbi tri vepra poetike të Zef Skiroit. “Rilindja”, Prishtinë 1997; Interpretime të letërsisë së arbëreshëve të Italisë, vep. e përm., Cosenza 2008, f. 229 – 282.

[11] “…në zgjedhjen e fjalës ndahet artisti nga poeti, domethënë, poeti artist nga poeti vetëm poet”. Shih Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë i plotësuar. “Toena”, Tiranë 1999, f. 95.

[12] P. Gj. Fishta, O. F. M, A janë t’zott Shqyptarët me u majtë shtet n’vedi?, pun. i përm., f. 75.

[13] P. Gj. Fishta, O. F. M, A janë t’zott Shqyptarët me u majtë shtet n’vedi?, pun. i përm., f. 77.

[14] Santori e shqipton kështu bukurinë e Vashës, që është parajsë bukurie; është kështjella ku Trimi mund të qëndrojë e të përjetojë lumturinë dhe kënaqësinë e jetës e të veprimit.

E një të ruar më dritësoi

Çë nga gjiu zemrën rrëzoi

Me një sperë haré çë jip. (Këntëk II)

(Ajo m’pa dhe më dritësoi

sa n’krah’ror zemra m’u dridh

nga ajo rreze që g’zim lëshoi.)

*

Atë parrajsë bukurîe

Pse [f]shehën e ngë buthton,

Me kë gjithë jetën ti hajdhon,

Është je i mbjedhur te ata krye.

Buthtoja [të]dashurit [t]ënd:

Mos e duaj [të] mjêrë, mos e rënd…(Odhí e I)

(Atë parajsë bukurie

pse e fsheh e s’na tregon,

ngase botën gjithë lumnon

atë ç’ke mbledhur në atë krye.

Ia trego të dashurit tënd.)

(Shih studimin tim Rreth veprës “Il Canzoniere albanese” të Françesk Anton Santorit, vep. e përm., f. 44.)

[15] Mili mahnitet nga sytë magjikë të Hajdhisë: Sýt që kishin gjith magjín dhe me bukuri diellore e sheh atë kudo: Ndë njê rrêmp të diéllit t’árt / te pështjellë, ai m’e shihte. Duke jetuar në botën magjepse të dashurisë e të bukurisë së vashës arbëreshe, ai pyet se nga mund të kishte dalë ajo qenie aq e mrekullueshme, ku e kishte burimin drita magjike e syvet të saj: Atê drit’ te sýt të ghelbërë / t’e dhan’ hyjzit që vërrén? Ajo ka mundur të zbresë vetëm nga qielli: Nga qielli thom se zbrite ti ndë dhé; atë e ka krijuar vetë Perëndia: Me nder ai të rrethi edhe me hé, / të dha sá pati shile e bukurí. Fakti se Hajdhia është ngulitur dhe jeton intensivisht në qenien e Milit, poeti Skiroi e shpreh me nuancime të zgjedhura shprehëse, ku gërshetohen e përplotësohen tiparet e bukurisë së vashës me madhështinë e gjërave të natyrës së mesit ku ajo jeton.

Lule t’kândëshme te kopshti,

ndë mes t’cilavet të duket

si njëë haptë trundafile;

e njê dhrí me fletë t’gjâna,

Mbi njëë breg e të ndërlikstë

me të lartin qyparis,

sá t’i bânjë rrush të bardhë;

do stolí të llamparisme,

midis shoqevet të jét

si ndër hyjzit hânxa e plotë.

(Giuseppe Schirò, Mili e Haidhia, vep. e përm., Napoli 1907, f. 12; G. Schirò, Opere II, vep. e për., f. 196 – 198.)

[16] Gegë Toska, Parathanje, Në “Jerina Regina dei Fiori. Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, vep. e përm., Shkodër 2007, f. 56. Në vijim vetëm JERINA.

[17] Jerina, vep. e përm., f. 92.

[18] Jerina, vep. e përm., f. 130.

[19] Luigi Marlekaj, Introduzione. Në “Át Gjergj Fishta, Jerina Regina dei Fiori. Jerina ase Mbretnesha e Luleve…”, vep. e përm., f. 15.

[20] Gegë Toska, Parathanje, pun. i përm. f. 4.

[21] Gegë Toska, Parathanje, pun. i përm. f. 4.

[22] Shih punimin tim Rreth disa vlerave artistike të lirikës sonë gojore. Në veprën time “Qasje poetikës së letërsië gojore shqipe. (Studime e artikuj), “Rilindja”, Prishtinë 1998, f. 133- 146.

[23] Gegë Toska, Parathanje, pun. i përm., f. 4.

[24] Gegë Toska, Parathanje, pun. i përm. f. 3.

[25] Duke folur për veçantitë e gjuhës së Fishtës përdorur në veprat e tij letrare, Ardian Marashi thekson: “çdo krijues letrar i rëndësishëm dallohet, në thelb, për një qëndrim të ri ndaj gjuhës” dhe se Fishta e krijon “shqipen prej shqipes”. Shih Punimin e tij Konsiderata mbi gjuhën artistike të Fishtës. Në “Hylli i Dritës”. Numër i posaçëm. Tiranë 1996, f. 212 dhe 214.

[26] Luigi Marlekaj, Introduzione, pun. i përm., f. 12.

[27] Për natyrën dhe veçantitë e letërsisë e të veprës latrare si krijesë artistike, shih librin tim Çështje teorie të letërsisë. “Faik Konica”, Prishinë 2005, sidomos punimet “Veçantitë e tekstit letrar dhe të tekstit joletrar” (f. 80 – 102) dhe “Teksti poetik si komunikat dhe estetika e tij” (f. 103 – 112) dhe Hasan Hasani. Shahbaze Vishaj, Letërsia si art dhe komunikim poetik. Bisedë me Anton Nikë Berishën. “Faik Konica”, Prishtinë 2011, sidomos faqet 13 – 50.

[28] Gegë Toska, Parathanje, pun. i përm., f. 4.

[29] Luigi Marlekaj, Introduzione, pun. i përm., f. 11.

[30] Luigi Marlekaj, Introduzione, pun. i përm., f. 11.

[31] Girolamo De Rada, Principii di estetica. (estratti delle sue considerazioni su la Vita e i fini di essa), Napoli, 1861, f. 46 – 47; Jeronim De Rada, Parime të estetikës. Përgatiti për botim prof. Alfred Uçi, Globus R., Tiranë 2003, f. 97 – 98.

[32] Në këngën XII të veprës poetike “Histori e Skënderbeut” të Naim Frashërit thuhet:

Shumë herë bukuria

e ngre njerinë përpjetë,

e shpie te Perendia,

i rrëfen Zotn’ e vërtetë.

[33] Jerina, vep. e përm., f. 106.

[34] Jerina, vep. e përm., f. 86.

 

  1. Rrafshi i lartë poetik: gërshetim dhe njësim traditash

 

Fishta u kushtoi kujdes të jashtëzakonshëm përftimit të vargjeve, që nuk lexohen lehtë. Në shumë raste dy apo më shumë zanore pranë njëra tjetrës në varg bëjnë një rrokje të vetme, në ndonjë rast tjetër, secila duhet numëruar si rrokje për ta ndjerë e shijuar ritmin e veçantë të vargut. Disa fjalë dyrrokëshe në mes të vargut herë duhen shqiptuar njërrokëshe e herë jo, siç kërkon metrika e vargut dhe theksat ritmikë. Fishta i kushtoi rëndësi edhe ngarkesës kuptimore të vargut, përkatësisht shumësisë kuptimore, që e bën vargun dhe veprën më të vlefshme; të dyja “bëhen më vëllimore” dhe me mundësi ndikimi estetik më të madh. Ndonjëherë fitohet përshtypja se vargjet e njëjta përsëriten, po Fishta përherë bën ndryshime: ai e di rëndësinë që kanë variantet e vargjeve, cilësi e veprave të letërsisë gojore në procesin e bartjes. Përbërësit e këtillë i japin vargut të Fishtës, pra edhe veprës “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, mëvetësinë e të shprehurit dhe të shtjellimit, të përftimit të tablove e të vlerës së papërsëritshme artistike. Fishta i përfton vargjet duke i njësuar, ballafaquar ose i kundërvënë e kundërshtuar ato, përkatësisht kuptimet e fjalëve me të cilat ata ndërtohen. Në këtë mënyrë mesazhet bëhen kuptimisht më të pasur e më të qenësishëm.

Vepra në tërësi, po dhe shembujt e përdorur në punim, e përligjin rrafshin e lartë të të shprehurit poetik. Mirëpo, po i veçoj disa vargje, thesare të njëmendta, që, nga njëra anë dëshmojnë mirëfilli për veçantinë e tyre poetike, ndërsa nga ana tjetër për gërshetimin mjeshtëror të traditës letrare gojore me traditën letrare të shkruar.

Veçantia dhe pasuria e të shprehurit dhe shumësia kuptimore e vargjeve, është rrjedhojë e simbolikes dhe e metaforikes që ngërthejnë ose mund të ngërthejnë fjalët në ballafaqimin dhe shtjellimin e tyre në tekst. Në një lexim të zakonshëm, këto vargje edhe mund të lënë përshtypjen e vargjeve të thjeshtë, po kur i analizojmë mirëfilli ato përligjin vlerat e mëdha poetike.

Një pjesë e këtyre vargjeve, si ngjet edhe në veprat e tjera epike, lirike e dramatike të Fishtës, janë krijuar sipas shembëllimit të poezisë sonë gojore, që u përcoll shekuj me radhë prej një individi te tjetri, nga e cila Fishta mori mënyrën e përftimit dhe elemente të gjuhës poetike. Megjithatë, në rrafshin konkret, të ndërtimit e të shtjellimit, gjithçka është krijesë e mendjes dhe e imagjinatës së tij.

Po e nis konkretizimin me një varg me një ngarkesë kuptimore të pafund, që lidhet me pikëllimin e Bylbylit, të cilit një “dorë gërbule”, ia paskësh këputur e shkatërruar lulen që e bën të vuajë pa masë: “Me lot t’sŷvet tue vaditun[1]. Vargu, si strukturë tekstore, cilësohet me shumësi kuptimore, po edhe na lidh me traditën e vajeve, gjëmëve, baladave (larja e këmishës me lotët e syve) dhe përrallave (mbushja e kusisë me lot si kusht etj.). Pra, teksti i vargut, dashur e padashur, na fut në rrjedhën e traditës sonë të pasur e kohësisht të gjatë të krijimeve të traditës letrare gojore e jo vetëm të saj.

I natyrës së ngjashme është dhe vargu Ftyren shtrue n’gjeth drandofillit[2] që në vështrim të parë duket i zakonshëm, por në qenësi përmban një kuptimësi të pafund. Folja shtrue ka kuptime të shumta: e brumosur, e stisur, e bërë, e përftuar, e njësuar, e ngjeshur etj. Si e tillë i jep gjithë vargut një vlerë dhe një kuptimësi të gjerë e të thellë.

Edhe dyvargëshi: Veç se fllad të butë e diell, / T’gjith motmotit veç një Prill[3], lidhen, po ashtu, me bukurinë dhe me hiret e Jerinës, mbretëreshë e luleve dhe mbretëreshë e Shqipërisë. Ai shpreh një situatë simbolike dhe metaforike të rrallë: vajza krahasohet me flladin e butë, me diellin, me blerimin dhe njomësinë e natyrës në muajin prill në një vijimësi të pashkëputur, të përhershme.

Me konotim, sa të veçantë po aq shumësor, është edhe vargu Herë danë mal me borë ngarkue[4], që shpreh përbërës të rëndësishëm të Jerinës si krijesë përfytyruese poetike.

Fishta i ballafaqon në mënyrë të mëvetësishme fjalët, shprehjet, vargjet ose edhe grupet e vargjeve. Kjo vërehet sidomos kur ata janë të ngjashëm ose përsëriten në forma e funksione të ndryshme. Fishta asnjëherë nuk e bën përsëritjen në të njëjtën mënyrë; brenda një strukture tjetër, fjalët, shprehjet dhe vargu ose vargjet janë të ndryshëm dhe marrin kuptime të tjera për arsye se ndryshon materiali leksikor dhe marrëdhënia midis tyre dhe, si rrjedhojë, ndryshojnë edhe kuptimet që dalin prej tyre. Në tekstin poetik edhe ndryshimi më i vogël ndikon në ndryshimin e kuptimeve dhe të vlerës së tyre shprehëse komunikuese.

Shumëllojshmërinë e shprehjeve dhe të vargjeve, si mënyrë e qenësishme e ligjërimit të tij poetik, Fishta e zbatoi me mjeshtëri në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, siç veproi dhe në veprat e tjera. Për të konkretizuar këtë dukuri po sjell vetëm dy shembuj.

I pari lidhet me bukurinë e Jerinës, me fytyrën dhe me sytë e saj në shëmbëllesë dhe në ballafaqim me diellin dhe me ndriçimin e tij.

Nji diell tjeter n’tokë tue ndritë![5]; A mos lé ká ndoj diell tjeter[6]?; Ndritkan vashat porsì dielli[7]!; Paska synin rreze diellit[8]; Pa ndijo, mos rrezja e diellit[9]; Si po t’shndritshin flakë dy diella[10]; E i ndezi m’ballë dy diella[11]; Si t’shkelxejshin n’qiell dy diella[12]?; Synin diell, ftyren si vera[13].

Pohimi, pyetja ose habia që shprehen në vargje dhe shënohen përmes pikësimeve përkatëse, i bëjnë vargjet jo vetëm të ndryshëm, po dëshmojnë një pasuri përftimi e shprehjeje poetike dhe shqiptimin e bukurisë së Jerinës. Vargu: Si po t’shndritshin flakë dy diella është nga më të rrallët në poezinë tonë.

Shembulli vijues shpreh një cilësi tjetër të bukurisë së Jerinës: njomësinë dhe harenë që mbretëron në muajin prill, kur zgjohet natyra, kur gjelbërimi, mugullimi, çelja e luleve dhe përhapja e erësimit të tyre mbërrin pikën kulmore.

Kush e ka gazin si Prilli[14]?; T’gjith motmotit veç një Prill[15]; Kur vallzon n’at muej të Prillit[16]; Po lulzon i bukur Prilli[17]; Lulet mâ t’bukra Prilli[18].

Në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” Fishta ndërlidh dhe gërsheton në mënyrë të mëvetësishme traditën e poezisë gojore me traditën e shkruar, sa ndonjëherë fitohet përshtypja se disa vargje janë marrë prej saj, po kur i nënshtrohen krahasimit të imtë vërehen ndryshime të qenësishme.

Paska synin rreze diellit.

Paska gojen lule prllit:

Paska ftyren drandofillit:

Paska doren gjeth prej lilit[19].

……………………………………….

Kqyrja synin porsi hyll!

Kah e çil e kah e mbyllë,

Si ajo hana neper pyllë[20].

Edhe disa urime[21], mallkime[22], përbetime dhe shprehje në formë refreni, sidomos në tekstet e Valles I, II dhe III[23] (“Të lumtet na, moj, t’lumet na!”, “Moj e holla – rritë nder molla”, “Tý t’raftë e mira!”), janë përftuar sipas konceptimit dhe shembëllimit të letërsisë që lind dhe bartet gojarisht dhe janë funksionalizuar dhe shkrirë me mjeshtëri në tekstin e përftuar nga Fishta.

 

  1. Hijeshia- bukuria e gruas si gjakim dashurie

 

Në veprën “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, siç u tha, Fishta bëri objekt trajtimi poetik hijeshinë – bukurinë e luleve dhe bukurinë e vashës Jerinë. Është e njohur se lulet e mbajnë kurorën e bukurisë e të erësimit, secila në mënyrë të vet e të gjitha së bashku, prandaj janë shndërruar në simbol të bukurisë. Sipas kësaj vepre, Mbretëresha e luleve është trëndafili, mirëpo edhe të tjerat dallohen me bukurinë e tyre. Ato, siç janë të bukura, ashtu duhet t’i kenë dhe veprimet dhe sjelljet. Edhe Jerina, me bukurinë që ka, është një lloj luleje. Në shfaqjen e saj të parë shpalosen cilësitë e jashtëzakonshme, që nuk i përkasin vetëm të tashmes, po dhe të ardhmes; i përkasin secilit brez dhe secilës kohë.

Kur, qé, i a behë si rrezja,

Jerina atëherë te dera,

E këndshme porsì shpnesa,

E hishme si prendvera.

Shtatit derdhë, veshen boret,

Syn’ diell e ballin hanë,

Kah m’endej Lule m’Lule,

Date vasha si zanë

N’shndet i kerthnesej ftyra,

Si drita prej agimit,

m’e ‘i hije t’ambel gazit,

si aj gazi i rruzullimit,

tue e pá filluen bylbylat

amel me u shkrî në valle,

të cillve jeh u bâhëshin

zogjt tjerë nper llugje e zalle.

E vetë e Lulet e tjera

Kah e pám gjith aq t’madhnueshme

Augur, thám, âsht prej qiellet,

Per stina má t’gëzueshme[24].

Nëse bukurinë e Jerinës do ta vështronim në bazë të botës së përrallës, atëherë ajo është E Bukura e Dheut, E Bukura e Detit dhe E Bukura e Qiellit. Me një fjalë, në të është njësuar bukuria më e lartë, bukuria e përsosur, ideale: Qi hijeshít e Lulevet n’vedveti / T’i përmblidhte të gjitha[25]. Mirëpo, Jerina ka dhe virtytet e tjera, që e pasurojnë dhe e përforcojnë bukurinë e saj: sundimi i saj do të jetë i lirë dhe do të mbështetet në parimin e dashurisë, që është parim i Krishtit, e kundërta e veprimit të trëndafilit si prijës, që lulet kërkojnë ta ndërrojnë nga froni i udhëheqjes.

Cilësitë dhe hiret e Jerinës u përgjigjen mirëfilli pyetjeve që i bëjnë lulet së bashku:

Kush e ká ballin si hana?

Kush e ká synin si dielli?

Kush e ká shtatin si Zana?

Kush e ka gazin si Prilli[26]?

Vallja jep ketë përgjigje:

I ká ‘i Vashë, êmnin Jerina,

N’at Shqypní lé, si prendvera,

Si ajo voësa mbí kodrina,

Si ajo Lulja qi i vjen era.

Duka e sajë si drita e agimit,

Fjala e sajë shkon tue ferllue

Porsi flladi n’mes t’blerimit,

Ku rrinë Zanat tue mrizue.

Kah t’i bjerë ajo ndoj vendi:

Si aj flamuri n’ballë t’ushtrisë[27]:

Gëzon landa, guri e spendi,

Nieri i falet Perendís.

Si lum nana qi e ká rritun,

Si lum ajri qi âsht tue e mbajtun,

Si lum rrezja qi â tue e shndritun,

Si lum tok qi âsht tue e bajtun[28]!

Bukuria e rrallë e Jerinës shprehet edhe përmes këtyre vargjeve, që poeti i vë në gojën e Zanës Klio. Ajo e ngrit Vashën – lule mbi Helenën e bukur, për të cilën u bë Lufta e Trojës:

Jo, po: falë i kjofshin Zotit!

Se mana as Helena motit:

Me shka ktu vetë jam tue pá

Mâ e bukur se kjo kênë s’ká[29].

Jerina, vashë dhe lule, vlerësohet bukuri e rrallë edhe nga hyjneshat e Olimpit grek. Fjalët e Afroditës, e cila ia dorëzon mollën – kurorë, simbol i bukurisë së përsosur, i urtësisë dhe i fisnikërisë, e përligjin këtë:

Pa ndijo, moj rrezja e diellit,

Qi m’a paske synin hyll,

Ftyren shtrue n’gjeth drandofillit,

Njomë si Vjollza neper pyllë:

Nja trí mij e sa motmote,

Stinë mbas stine janë ternue,

Se kje mollë, n’sŷ t’tanë njâjë bote,

Më kjo falë: per të diftue,

Se per dukë e bukurí

S’m’a kalote mu’ as Hyjneshë

T’naltë Olympit në lumní,

As bijë nieri me trup veshë.

Po ktu vetë po jam tue pá,

Se me rreze bukurije,

E me at hije qi t’kâ râ:

Hije urtije e fisnikeje:

M’a ké dalë e shkapërcye.

Mollen pra të bukurís

Po t’a nap në dorë, që tý,

E nper tý të gjith Shqypnís[30].

 

  1. Bukuria dhe Jerina si bukuri – dhuratë të Hyjit

 

Me bukurinë e jashtëzakonshme dhe me virtytet e tjera, Jerina është dhuratë e Hyjit të gjithëpushtetshëm. Ai e përftoi dhe e nxori nga visaret e veta dhe e dërgoi mbi tokë:

Qi dheu t’a dinte edhè t’a njihte deti,

Shka i qiellvet mundet Mbreti.

Hijen e shtatit t’sajë,

Hartue qi e kish’ m’rrasë arit,

E xier Aj prej visarit

Të qiellës…[31]

Meqenëse Jerina është vepër e Hyjit, Fishta bëri gjithçka që ishte brenda aftësive të tij mendore e shpirtërore ta përmbushte edhe ai detyrën e vet prej poeti të mirëfilltë në rrafshin më të lartë: t’i krijojë e t’i shprehë cilësitë dhe virtytet e kësaj vashe përmes artit të fjalës në formën sa më të përsosur. Për këtë arsye përdori shtjellime të disallojshme të vargjeve metrash të ndryshëm: trerrokëshin, pesërrokëshin, shtatërrokëshin, tetërrokëshin dhe njëmbëdhjetërrokëshin ose i gërshetoi midis tyre, duke përftuar një vepër për shumëçka të rëndësishme e të papërsëritshme të artit tonë të fjalës[32].

Vasha Jerinë është e rëndësishme jo vetëm pse e krijoi Hyji: “Aq gjâ t’mirë Zoti e ká falë[33] dhe që gjendet vetëm në Valle të parrizit, po pse bëhet dhe model i krijimit të vetë rruzullimit: edhe gjërat e tjera i Plotfuqishmi i përftoi sipas parimit të bukurisë së Vashës:

Thue se i Madhi Perendí,

Kúr desh punës me i a hî,

Qi me shtisë ket rrokullí,

N’mende t’vet të paskâjueshme

Para ‘i herë ndërtueka i Lumi

Ket të bardhen hije t’saj,

Per ta pasë Aj, si me thânë,

Shembull t’vogel para sŷsh,

Per mbas t’cillit mbasandej

Me shtrî qiellen gjanë e gjatë,

Me ato hanë e me ata diella,

Me ata hyj tue vezullue:

Me ngurrë token fushë e mal –

Fushë e mal e zall e det[34]

Hyji nuk e dërgoi Jerinën ndër njerëz vetëm për bukurinë e fytyrës e të shtatit, por edhe “për t’rritë mbí shekull besën[35], për “Qi me dashtní të vijë me na sundue[36]” dhe për aftësinë dhe mençurinë e saj: “Mbí tokë rá s’kan mend mâ t’kthiella[37]”, gjë që shqiptohet nga Lulet e maleve:

Oh rrnoftë! E aj Zot prej Qiellet,

Qi i fali mendt e kthiella,

Q’i a shtroj frytrës Drandofillet

E i ndezi m’ballë dy diella[38]

Nga hija e poetit, Dante Aligierit, Jerina vlerësohet si engjëll i zbritur në tokë. Fakti se Vasha njëson në vete bukurinë hyjnore, bukurinë e luleve dhe bukurinë njerëzore, lulet e lavdërojnë Hyjin që e krijoi atë dhe e bëri udhëheqëse të tyre dhe mbretëreshë të Shqipërisë. Ato kërkojnë nga Mendja e Epërme[39] që edhe në të ardhmen ta drejtojë e ta ruajë këtë krijesë të vet nga çdo rrezik:

Ai rrugen i a shtroftë para

E i prîftë gjithmonë ka’ e mbara[40]

……………………………………………..

Rueje, Zot, per jetë Mbretneshen,

Mbí krye doren mbaja prore;

Hiri e shndedja bân t’i reshen,

Nen kâmbë shtroja mnitë mizore[41].

Bukuria dhe disa veçanti të vashës Jerinë të kujtojnë hiret dhe bukurinë e Shën Marisë, nënës së Krishtit. Kjo është e natyrshme kur kemi parasysh faktin se Fishta ishte bari shpirtëror dhe çdo veprim jetësor i tij ishte i lidhur me përshpirtshmërinë dhe dashurinë ndaj Hyjit dhe ndaj njeriut.

Për t’u bindur për këto afri, po sjell tri pjesë nga tri poezi të Fishtës: “Të lémt e Zojës”, “Të xanunt e pafaj të Virgjines Mrí” dhe “Të grishunit për muej të majit[42]”, ku shprehen disa nga cilësitë dhe hiret kryesore të Shën Marisë:

Po thonë Anës e Joakimit

se ’i hyll vajze u paske lé,

si ajo drita prej agimit,

si ajo voesa e nadjes s’ré:

Sýni i sajë, nji rreze diellit,

shtati i sajë gjeth drandofillit:

nji Prendverë n’blerim të vet!

Kúr po qeshka sýni e ftyra

neper rreze të bindueshme,

thue po u ndêka atë herë pasqyra,

m’t’cillen prirun Mendja e amshueshme,

t’natyrës s’vet sheh t’kthelltat hije,

edhe gjallë t’hyjnueshmen Dije

m’nja si vedin e perfton.

(Të lémt e Zojës)

*

E qe, se n’kohë të vûme n’shêj prej qiellit,

po del Ajo, qi e priten motet t’tâna,

e bardhë si drita, veshë me rreze diellit,

e bukur mâ se hâna.

Hyjzit mâ t’bukurt per rreth krés i shndrisin,

e hâna i rrin shkamb nen kambë t’pushtueshme;

prej trollit t’lartë t’nji regji ka Ajo fisin,

n’popull t’vet e madhnueshme.

(Të xanunt e pafaj të Virgjines Mrí)

*

Prá ksajë Virgjen fatamire,

qi â’ e kulluet si rrezja e diellit,

të tânë gaz e të tânë hire,

Nânë e Hy’it e Nânë e kshillit,

ti kushtohet p’rherë Shqypnija

si nder t’mira ashtû nder t’kqija.

(Të grishunit për muej të majit)

 

  1. Bukuria – qenësi e atdheut

 

Çdo vepër e Fishtës, në një mënyrë ose në tjetrën, është e lidhur me shqiptarin dhe atdheun, Shqipërinë, që përligjet edhe në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”. Madje, edhe në veprën Juda Makabé, ku në asnjë vend nuk përmendet emri shqiptar dhe Shqipëri, çdo gjë ndërlidhet thellësisht me gjendjen konkrete të botës shqiptare. Nëpërmjet historisë biblike të Makabejve, bijve të Abrahamit, nëpërmjet simbolikës dhe metaforikes së shëmbëllimit të historisë së tyre, që nënkupton qëndresën dhe flijimin e Popullit të zgjedhur të Hyjit përballë atdheut dhe fesë, konkretisht të flijimit të Judës Makabé, Fishta u thoshte shqiptarëve nga duhej të merrnin shembullin e denjë për ta dashur popullin dhe atdheun e tyre[43]. Këtë e dëshmon dhe ky mendim i thënë për këtë dramë të Fishtës në një recension të vitit 1921, të botuar në revistën “Hylli i Dritës”: “Po u ndërruen emnat në këtë melodramë (Juda Makabé – v. ime), dukë për dukë kanë për të na dalë para raste historike, nëpër të cilat u përshkue aq shpesh vendi jonë…”[44]. Edhe në poezinë satirike, Metamorphosis (1907), për të cilën gjatë kohës së komunizmit Fishta u akuzua si antikombëtar, dashuria për atdheun përbën qenësinë kuptimore të saj[45].

Në “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” bukuria e vajzës, lidhet, para së gjithash, dhe me prejardhjen e saj dhe vendin ku ka lindur dhe jeton: Vashë bujare – edhè Shqyptare[46]”, “Lé në Shqypní[47] dhe “Prej nji Lulje bîjtë n’Shqypní[48]”.

Sipas një çete lulesh që vinë nga vendet e tjera, atdheu i luleve dhe i Jerinës, Shqipëria, përcaktohet si një lloj Kopshti i Edenit:

T’forta vise nder kto anë!

Kodra t’blera e fusha t’gjana,

Lume e shé, e voës e diell,

Toka pleh e stina Prill!

S’ka si bâhet vend mâ i bukur

Si per Lule ashtu per lukur[49].

Meqenëse Jerina ka përmasën hyjnore, të hyjneshës, kjo ndërlidhet me vendin e saj, Shqipërinë:

Dishka, t’thuesh, si nji Hyjneshë

Si n’Shqypní qi syu t’i ndeshë[50].

Jerina nuk është e vetmja vashë e bukur në vendin e saj, në Shqipëri: Gjatë t’cilles Drini / Valen shkumore / Madhnueshem rreh[51], po njëra nga ato: “Vashat Lule po ‘in n’Shqypní[52]”.

Bukurinë dhe virtytet e Jerinës i shpreh dhe hija e Homerit, që përligjet nga vargje dhe tablo poetike të rralla. Për këtë arsye bukuria e saj do të këndohet gjithmonë:

Ket Vashë Shqyptare, qi mbí fron po ndritka

Si e bardha rreze e diellit, t’a këndote

Me ‘i kangë t’pamortshme: mu ndér t’enden

Hana edhè dielli per nen kupë t’Empirit,

Êmëni i sajë t’jehojë nper male e zalle;

E bota mbarë t’a dije,

Si ndrisin Vashat në ket tokë Shqypnije[53].

Edhe sipas hyjneshës së Olimpit të lashtë grek, Atinajës (Athinasë), vendi i Jerinës, Shqipëria, është truall hyjnish, ku lulëzojnë erzi e nderi:

Kjosh e rronosh, ‘oj lum Shqypnija!

Se, mana, ti kurdoherë

Truell Hyjnís ké kênë, burrnia

Ku lulzue ká, e erzi e ndera[54].

……………………………………….

Qi kso Vashash rritka n’veti,

Qi mâ t’bukra e mâ fisnike,

S’i ká toka, s’’i ká deti,

S’i ká Olympi – i kohës jetike[55].

E bukura në përgjithësi dhe bukuria e Jerinës në veçanti në vepër kanë dhe qëllimin e caktuar: t’u ndihmojnë shqiptarëve për mbarësinë e tyre nëpërmjet të bukurës – “Ideali politik i Fishtës[56]” – dhe ta lehtësojnë dhe ta bëjnë më të përballueshme jetën në kushte të rënda veprimi.

Por kah, thue, se i paska ardhë

Botës s’onë ky fat i bardhë

Qi nji dukë kaq e bindueshme

M’e gazmue n’kto kohë t’mjerueshme[57]?

Pikërisht bukuria dhe virtytet që njësohen në Jerinën do të mundësojnë që e keqja të zhduket dhe të mbretërojnë mirësia dhe lumturia: Shuhet mjerimi dhe e liga[58] dhe E as kurr dimen mos t’ketë mâ[59]”.

Me pak fjalë, me cilësitë dhe vlerat që përmban, “Jerina ase Mbretnesha e Luleve” hyn në rrethin e ngushtë të veprave poetike më të rëndësishme të letërsisë sonë, ndërsa në rrafshin metrik, bashkë me “Këngëtoren arbëreshe” të Françesk Anton Santorit dhe “Mino” të Zef Skrioit, hyn në radhën e kryeveprave të traditës sonë letrare.

 

Kozencë, tetor – nëntor 2013

 

[1] Jerina, vep. e përm., f. 38.

[2] Jerina, vep. e përm., f. 146.

[3] Jerina, vep. e përm., f. 80.

[4] Jerina, vep. e përm., f. 92.

[5] Jerina, vep. e përm., f. 108.

[6] Jerina, vep. e përm., f. 126.

[7] Jerina, vep. e përm., f. 146.

[8] Jerina, vep. e përm., f. 122.

[9] Jerina, vep. e përm., f. 146.

[10] Jerina, vep. e përm., f. 126.

[11] Jerina, vep. e përm., f. 70.

[12] Jerina, vep. e përm., f. 96.

[13] Jerina, vep. e përm., f. 144.

[14] Jerina, vep. e përm., f. 56.

[15] Jerina, vep. e përm., f. 80.

[16] Jerina, vep. e përm., f. 118.

[17] Jerina, vep. e përm., f. 36.

[18] Jerina, vep. e përm., f. 68.

[19] Jerina, vep. e përm., f. 122.

[20] Jerina, vep. e përm., f. 106.

Krahaso vargjet nga përmbledhja Kângë popullore gegnishte. Mbledhë e rreshtue prejë P. Vinçenc Prênnushit O. F. M., Sarajevo 1911:

“E bukur, snin si hyllë / herë e çilë e herë e myllë, / porsi hana neper pyllë”, vep. e përm., f. 116.

[21] Shih urimet në f. 62, 80, 118, 130, 144 – 150.

[22] Shih mallkimet në f. 38, 100.

[23] Shih Vallja I, II dhe III në f. 122 – 128 dhe f. 130 – 132.

[24] Jerina, vep. e përm., f. 62.

[25] Jerina, vep. e përm., f. 112.

[26] Jerina, vep. e përm., f. 56.

[27] Ky varg i Fishtës të kujton vargun e Këngës së këngëve të Solomonit nga Bibla:

4Ti, mikesha ime, je e bukur si qyteti i Tirsës,

magjepse si Jerusalemi,

e tmerrshme si një flamur lufte. KK, 6, 4

dhe

10Cila është ajo që shfaqet si agimi

e bukur si hëna, e shndritshme si dielli,

e tmerrshme si një flamur lufte? KK, 6, 10.

(Shih La sacra Bibbia. Conferenza Episcopale Italiana. Unione Editori e Librai Cattolici Italiani, 2008 dhe La Bibbia. Nuovissima versione dai testi originali. Con introduzione e note di A. Girlanda, P. Gironi, F. Pasquero, G. Ravasi, P. Rossano, S. Virgulin. Quindicesima edizione, Edizioni San Paolo, 2002. Përkthimin nga italishtja e bëri autori i punimit.)

[28] Jerina, vep. e përm., f. 56 – 58.

[29] Jerina, vep. e përm., f. 110.

[30] Jerina, vep. e përm., f. 146 – 148.

[31] Jerina, vep. e përm., f. 64.

[32] Një vepër për shumëçka e rëndësishme në rrafshin metrik është Mino (1923) e Zef Skiroit.

Në këtë vepër Skiroi nuk e mbërriti rrafshin poetik si tek idili Mili e Hajdhia ose te poema Te dheut i huaj. Megjithatë, ai krijoi një kryevepër metrike jo vetëm të poezisë arbëreshe, po të asaj shqiptare në përgjithësi. Duke futur në poezinë shqipe ritme të lashta e të reja (Shih Giuseppe Schirò (J), Storia della letteratura albanese. Milano 1959, f. 218), pastaj strofa, vargje e rima të ndryshme, të përdorura me dije e mjeshtëri, Skiroi ia doli “qëllimit që t’a bëjë gjuhën shqipe, pas një mundimi të madh, që të përmbushi kërkesat e prozodisë” (Rosolin Petrotta, Zef Skiroi (1865 – 1927). Në “Shkrimtarët Shqiptarë”. Pjesa II: Prej Lidhjes se Prizrendit deri sot. Tiranë 1941, f. 512).

Edhe vetë poeti Skiro vinte në dukje larminë dhe modelet ku ishte mbështetur për të krijuar këtë mozaik strofash, vargjesh, rimash e ritmesh të ndryshme: këngët numër V, VI dhe VII janë ndërtuar me vargje që Karduçi parapëlqente t’i quante “barbari”. Intonimi i strofës së parë të këngës VIII, kujton, në një mënyrë ose në një tjetër, vargjet e para të veprës së Shillerit Rënkimi i Cererit (Lamento di Cerere), ndërsa vetë krijimi, pjesërisht, është përftuar nga frymëzimi i këngës hyjnore të poemës Mahabharata (Shih G. Schirò, Canti tradizionali ed altri saggi delle colonie albanesi di Sicilia. Napoli 1923, ris. anast. Palermo – Piana degli Albanesi 1986, f. CXXII).

[33] Jerina, vep. e përm., f. 124.

[34] Jerina, vep. e përm., f. 92.

[35] Jerina, vep. e përm., f. 66.

[36] Jerina, vep. e përm., f. 52.

[37] Jerina, vep. e përm., f. 142.

[38] Jerina, vep. e përm., f. 70.

[39] Jerina, vep. e përm., f. 64.

[40] Jerina, vep. e përm., f. 70.

[41] Jerina, vep. e përm., f. 116.

[42] Tekstet i mora nga At Gjergj Fishta O.F.M., Vallja e Parrizit. Botimi i dytë. Shtyp. “A. Gj. Fishta”, Shkodër 1941.

[43] Shih me gjerësisht për këtë dramë të Fishtës punimin tim Qenësia e metaforikes së shembëllimit ose apologji poetike atdheut dhe fesë, në monografinë time “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë. Vëzhgime mbi artin poetik të Fishtës”. Shpresa & Faik Konica, Prishtinë 2003, f. 250 – 268.

[44] Cituar sipas “Hylli i Dritës” shtatuer, 1921, f. 243.

[45] Disa nga vargjet e kësaj poezie si “T’a dijë Shqypnija / Prá, e sheklli mbarë, / Se mâ mbas sodit / Un s’ jam Shqyptár” ose “Un mâ me sodjet / Shqyptár nuk jam”, kanë qenë interpretuar gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri në mënyrë të përmbysur. Shih me gjerësisht për këtë krijesë poetike të Fishtës, për shumëçka të rëndësishme, punimin Qenësia e mesazhit: “Un mâ me sodjet / Shqyptár nuk jam”, në monografinë time “Vepër e qenies dhe e qenësisë sonë…”, vep. e përm., f. 196 – 212.

[46] Jerina, vep. e përm., f. 54.

[47] Jerina, vep. e përm., f. 78.

[48] Jerina, vep. e përm., f. 90.

[49] Jerina, vep. e përm., f. 84.

[50] Jerina, vep. e përm., f. 56.

[51] Jerina, vep. e përm., f. 76.

[52] Jerina, vep. e përm., f. 96.

[53] Jerina, vep. e përm., f. 138.

[54] Jerina, vep. e përm., f. 146.

[55] Jerina, vep. e përm., f. 148.

[56] Luigi Marlekaj, Introduzione, pun. i përm., f. 13.

[57] Jerina, vep. e përm., f. 62.

[58] Jerina, vep. e përm., f. 70.

[59] Jerina, vep. e përm., f. 80.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s