
HYRI NË SHTYP DHE PRITET TË DALË SË SHPEJTI
NGA SHTYPSHKRONJA E SHTËPISË BOTUESE “VLLAMASI”,
LIBRI “ËNDRRA VRASTARE “ ME POEZI TE ZGJEDHURA
TË POETESHËS FIERAKE DONIKA HAMITAJ, ME REDAKTIM
DHE KOPERTINË TË SHKRIMTARIT VULLNET MATO.
FORMIMI I YLLIT TË NJË POETESHE
Nga VULLNET MATO – shkrimtar, redaktor i librit.
Është e habitshme si formohen poetët në internet!… Ashtu si hapësira qiellore ka galaktika të formuara herët, por dhe yje në formim e sipër, edhe interneti ka qiellin vet, ku veç galaktikave poetike të formuara gjatë përvojës jetësore, në qiellin e internetit formohen edhe yje poetësh të rinj. Retë e gazta në këtë mjedis, janë poezitë e shumta që zbrazen çdo ditë në publikimet e facebookut. Ku persona të ngacmuar në ndjesitë e tyre, fillojnë të provojnë teknikën e ndërtimit të një vjershe, duke imituar përdorimin e mjeteve stilistike të poetëve që shquhen më tepër në atë mjedis.
Zonja Donika Hamitaj, në fillimet e saj kishte vetëm ngasje poetike dhe më dërgoi dy-tri poezi, krejt e pasigurt, se ato mund të kishin vlerë. Kuptohej, ajo kishte talent të lindur, por aspak të zhvilluar, deri në arritjen e moshës së pjekurisë së vet, kur filloi të shkruante lirshëm. Inkurajimi im ishte i mbështetur në faktin, se kjo grua me pasion të spikatur, nuk ndërtonte me tulla dhe llaç poetik të zakonshëm disa ndërtesa të përgjithshme, por kërkonte të gjente projekte origjinale me fabula poetike, ku të zbrazte ngjarje jetësore, ose gjendje të caktuara shpirtërore. Dhe me thënë të drejtën, jam befasuar, duke krahasuar poezitë e para me krijimit e fundit, pas pasionit të saj për të publikuar herë pas here ndonjë poezi e për të pritur komentet e lexuesve të vet. Kuptohet, superlativat e lexuesve, nuk janë peshore e cilësisë artistike, por ama ato janë shkrepëse flakëruese, që ndezin fantazinë e poetit, për të shkruar krijime të tjera, madje më të arrira se të parat. Ja si e kërkon Donika gjetjen e një ideje të caktuar poetike:
“Po shkon viti!… Më s’do të vi…
Fronin shpejt do ta dorëzoj!
Unë skam fron, kam dashuri,
Falas marr dhe falas dhuroj!: (UNË S’KAM FRON)
Apo zbërthimi i një ideje në poezinë tjetër:
“Me gjuhën ne adhurojmë,
Me të flasim për Perëndinë!
Njeri-tjetrin, me të mallkojmë,
Nga kafshët ajo dallon njerinë?
Si është e mundur që ky burim,
Nxjerr helm e mjaltë nga e njëjta vrimë?!…” (GJUHA)
Këto janë nga krijimet e para me të cilat Donika Ahmetaj më tërhoqi vëmendjen. Por ja dhe dy shembuj nga poezitë e fundit:
“Zogj të bukur që shtegtoni,
dua zërin ta bashkojmë,
Lart në qiell tek fluturoni,
Në kor këngën ta këndojmë.
Kjo është kënga e tim eti,
e dëgjoja kur ai këndonte,
I zhveshur mes dallgësh deti,
Vala shpirtin ja shkumonte!…
Është kënga e nënës sime…
E dëgjoja si vlonte kënga,
Mbi gërmadha e mjerime!
E këndoi kur i shqyhej zemra.
Është kënga e tim vëllait…
“Sa bukur ai zë kumbonte!”
Mbante ison e babait,
Kur shigjeta në fyt e shponte.
S’do pushoj për motrën time,
Për at’ terr që e mbyti brenda…
Klithma, dhimbje dhe mallkime,
Se në ferr iu shkrumbua ëndrra… (KËNGA TRAGJIKE)
Donika thotë, se nuk ka njohuri të plota rreth figurave stilistike, sidomos të metaforave. Por vetë ndërtimi i vargjeve, të orientuara mirë drejt formimit të një ideje të caktuar, i ka sjellë asaj gjithmonë metaforat e nevojshme:
“Përmbi shpirtin e përthyer,
ankthi vdekjes vorbullon…
Lot e gjak me gozhdë mbërthyer,
mbi atë kryq, dhimbja rënkon…
Rend mes lotëve, shoh ylberin,
rend mes dhimbjes marr shërimin.
Përmes vdekjes sfidoj ferrin,
në mes ankthit rrok premtimin…” (SFIDA)
Dhe ja, një poezi tjetër, ku stigmatizohet dashuria e papërgjegjshme:
“Ke një zemër, si çdo njeri,
por nuk di ç’barut ka brenda…
Ky mister po më bën çudi!
Mos luaj me të, siç të ka ënda.
Hidh e prit…, ajo s’është top!
Se po goditi, vret si plumbi,
gjithçka bëhet çikë e copë…
kur të kujtohesh, ka ardhur fundi!
O njeri, si s’e kupton!?
Zemër kemi që të dy!
Nëse luan me timen sot,
Nesër radha të vjen ty…”( MOS LUAJ ME ZEMRËN!)
Dhe së fundi një poezi me nëntekst filozofik:
“…Largohu prej meje, ti mjegull me napën gri!
Se dritën e syrit me erën e turbullt ke trazuar
dhe ëndrra, si e mpirë endet nëpër këtë stuhi,
mes brigjeve të zemrës përplaset e vetmuar…”
(HAPU TI, O QIELL !)
Për të mos e zgjatur me shembujt të tjerë nga poezitë e zonjës Donika Ahmetaj, mund të them me plot gojën, se tashmë në qiellin e facebookut, ajo ka formuar yllin e saj poetik dhe ky libër i parë, është rrezatimi i koncentruar i dritës së tij vezulluese.




























Leave a Reply