Atdheu në ëndrrat e një poeti mërgimtar “Kodi i urës” – Ajet Shala / Nga Zejnepe Alili – REXHEPI

10450448_814897238582392_1769694733899215219_n

Atdheu në ëndrrat e një poeti mërgimtar
“Kodi i urës” – Ajet Shala

 

 

zejnepe -2

Nga Zejnepe Alili – REXHEPI

 

Poezia është frymëzim, shpërthim ndjesor, që formësohet nga grimca fjalësh, herë të njëtrajtshme, herë të stuhishme që dallgëzojnë në shpirtin e trazuar, ashtu si prania e ëndrrës në jetën e gjithsecilit. Kurdoherë, përjetimi njerëzor, por shpesh dhe prania e ëndrrës, i nxisin lirikat më të bukura, të mbështjellura me vello entuziaste. Ëndrra që ngujohet në shpirtin e çdo poeti është Liria për Atdhenë. Edhe poeti Ajet Shala, në mërgim, bashkëjeton me ëndrrën për vendin e tij, me mallin e Kosovës që e kthen në vargje si këto: “Ëndrrën ma freskon një melodi e vjetër/ vjen nga andej ku shqip këndon bilbili”. Shtegtimet e vështira në mërgim e mbanë në ëndërrime, atje larg vendlindjes së tij, e poeti , si copëza malli i sjell natyrshëm, me çiltërsinë e përjetimit, në vëllimin e fundit “Kodi i urës”.
Po si janë ëndrrat dhe çfarë nuancash kanë ato për një poet mërgimtar?
Dashuria për Atdheun dhe për ta parë atë të lirë është një ëndërr e zakonshme, mirëpo në rrethana të caktuara të vendit të robëruar dihet, edhe ëndrrat çrregullohen. Atëherë, në poezi qendërzohet frymëzimi për liri, i cili nganjëherë mbështillet në formë shtëllunge fjalësh, me situatat e papërballueshme të popullit, nganjëherë me fjalë që vërshojnë si rrjedhë e pandalur lumi dhe më pas kërkojnë kode kapërcimesh mbi urat e pasigurta të historisë kombëtare. Për të njohur një poet, e për të kuptuar thelbin e veprës së tij, duhet njohur mirë edhe historinë e vendit të tij, kalimet jetësore në shtrirje të ndryshme kohore, për të gjykuar më lehtë mbi mendimet dhe kohën kur ai u lind dhe veproi.
Vëllimi “Kodi i urës” nuk mund të deshifrohet, po nuk e njohe sadopak historinë shqiptare, sfidat e Kosovës, se në cilat pragje portash ka kaluar, në cilat kala është ngritur dhembja e krenaria, pastaj të shohësh lisa shekullorë se si dhembjet i mbajnë në gji, e ç’gurra ujërash kristalorë a lumenjsh, si Ibri, Sitnica e sa e sa të tjerë, uji i të cilëve u turbullua dhe ndërroi ngjyrë, duke kuqëluar nga gjaku i derdhur shqiptar.
Vargëzimi i Ajet Shalës është një shtegtim i pasosur në vise të Atdheut. Janë disa përshkrime që e skicojnë realitetin e ngjarjeve kombëtare, rrëfime të vërtetash historike pa mitizime, ashtu thjesht, që veçse e kanë paksa të ëndërrt dashurinë për të. Në tërë veprën përvijohen konturat e hollësishme të problematikës shqiptare: traditat e bukura, fati historik, gjakimet, vuajtjet….
Në “Kodi i urës”, është tejet e theksuar edhe forma vargëzuese e autorit, përmes relievesh tematike që e përshkojnë dialektikën e traditës shqiptare. Krenaria shqiptare, me të cilën çdo poet e ngjyen penën gjatë vargëzimit, pa dyshim është njohja e traditave popullore, atij thesari ku ruhen kode të rëndësishme përgjatë të gjitha kalimeve historike. Poeti sintetizon vlerat e vërteta, si: simbolika e kullave me oxhaqet e pashuara, furka e gjysheve, lahuta, guri i oxhakut që qëndron i pashkatërruar, edhe atëherë kur cep më cep i digjet muri.
Simbiolikën e pathyeshmërisë shqiptare përpara dhunës serbe e mban natyrisht Kulla e Jasharajve, po ajo kullë shqiponjash që u qëndroi edhe krrokatjeve të korbave. Edhe sot, aty ndihen shekuj fryme se si burrat në log kuvendi betohen për liri: “Shubarë e shajka s’i duron më as toka/ Në dreq vaftë, bashkë me ta edhe Evropa “. Vargjet në vijim e shprehin qartazi këtë.

“E di, edhe kulla ime mund të ishte djegur
Si e bacë Ademit
Cep më cep mund të digjej muri
Dhe guri i fundit i oxhakut
Po s’do ma vriste kurrë fjalën
Mes burrash në një log kuvendi
E mençurisë në Qiellin e Shtatë
Do ia vija bajrakun”.

Identiteti i zërit poetik, mbi të gjitha është atdhetar, po si ai zë poeti që jehon përpara kullës së Adem Jasharit. Kullat e përvijojnë qëndresën shqiptare ndër shekuj, simbolikën e pamposhtjes, nëpër të cilat mbeten lapidarët, gurët e varreve…, mirëpo, amaneti më besnik i kullës së lashtë – Shipërisë, mbetet Gjergj Kastrioti dhe Ismail Qemali. Mesazhi i tillë, përcjell ndër breza lashtësinë e rrënjëve të këtij kombi, që pavarësisht stuhive a dramave që ka përjetuar, mbijetoi dhe bëri kthesa epokale. Kjo linjë e vendos Ajet Shalën në një raport të qëndrueshëm me poezinë, veçmas me motivin e përshkrimit të traditës, qëllim ky që edhe realizohet me përkushtim e entuziazëm të theksuar.
Vepra përshkon edhe tema tjera shoqërore, të ndjeshme, akoma të pazgjidhura, si çështja e Mitrovicës, e cila është dhe simbolika më e fuqishme, sepse si të thuash, duke qenë një nyje e zemrës shqiptare, është dhe ura lidhëse e shumë realiteteve e perspektivave të reja, në favor të lirisë së plotë të Kosovës. Është tejet i bukur vargu që e përshkon tërë këtë: “Plisi i bardhë – abazhur minatori”. Në kohëra të trishta, Mitrovica (Trepça) është historia e dhimbshme që rihap plagë, akoma të pathara sa duhet, që në vazhdimësi sjellin trazime të reja kombëtare, që si llavë vullkani përhapen dhe përmbysin shumëçka.
Forca atdhetare është shtytje e ditëve në mërgim, për poetin, për njerëzit e kësaj toke, është dashuria për kullën, nënën, ajo që i mban kujtimet si një tufëzë e pashpërndarë malli. Si rrëfyes i përjetimit dhe realitetit, me magjinë e fjalës artistike, e njohim poetin Ajet Shala. Thelbi tematik dhe nëntemat, e përcaktojnë urën lidhëse midis qëndrimit të individit përballë procesit të migrimit që e shtynë autorin ta shprehë dashurinë për këtë truall, megjithëse jepet si formë mbizotëruese intelektuale dhe estetike.
Poeti, dukshëm me syrin kritik depërton në situata dhe rrethana, ndonëse të njohura, me elanin e një poeti, i cili posedon dozë humaniteti, të cilin në forma të ndryshme e vë në shërbim të tranzicionit në Kosovë, sepse ai nuk dëshiron që atdheu i tij të mbetet një hartë e papërcaktuar që sjell humbje e trazira. Këto zhubravina malli e rëndojnë poetin që është nën frymëzime dhembjesh e krenarish kombëtare. Kjo ndjenjë e shndërroi poetin në një urë lidhëse mes diasporës dhe Atdheut, për t’i shërbyer atij me fisnikëri në çdo kohë.
Ëndrra e poetit nuk i dorëzohet harresës, nuk bën pakt me të shkuarën, ai mundohet që këto kujtime për vendin e tij t’i jetësojë në vargje, jo për vete, por për brezin që vjen, sepse letërsia është rezistenca e historive pas kohësh gri, si përkalime të rëndësishme në epokat që do të vijnë, duke lënë përshkrime të tëra vargjesh mbi peizazhe të ngulitura në kthjelltësinë e mendjes. Koha e letërsisë është koha e vetvetes, e përjetimit. Kjo është mbamendja e një poeti mërgimtar që jeton me një ëndërr…! Si dhe, të shkruash sipas mënyrës vetjake të perceptimit është të dish të shprehësh ndjenjën tënde, pa i shmangur asnjë grimcë origjinalitetit të ngjarjeve.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s