PËRUROHET LIBRI I SKËNDER HAKLAJT, “TROPOJA E MREKULLIVE SHPIRTËRORE” / Nga: Prof. Murat Gecaj publicist e studiues-Tiranë

PËRUROHET LIBRI I SKËNDER HAKLAJT,

“TROPOJA E MREKULLIVE SHPIRTËRORE”

 

Nga: Prof. Murat Gecaj

publicist e studiues-Tiranë

 

 

, 1

Nga e djathta: S. Haklaj e M.Gecaj

 

 

1.

I lindur në Rosujën ilire të Bujanit, aq të njohur për lashtësinë dhe vlerat e saj të çmuara historike e kulturore,  jo vetëm në 12 vitet e para të jetës sime atje,  por dhe në 8 vitet e shërbimit tim (1966-1973), me rininë e kulturën në rrethin e Tropojës, si  dhe nga leximet e ndryshme, me autorë të kësaj krahine ose jo dhe tani përmes librit të ri studimor të Skënder Haklajt, jam njëri nga dëshmitarët e shumtë të traditave të mrekullueshme, që mbart krahina jonë e dashur, Malësia e Gjakovës.  Ky është  një studim i veçantë në llojin e vet dhe i botuar në një libër, i cili e ka titullin domethënës, ”Tropoja e mrekullive shpirtërore”(Tiranë, 2014). Akademiku Vasil R. Tole është konsulent shkencor i tij dhe ka shkruar hyrjen, ndërsa redaktore letrare e teknike Suela Kolpepaj dhe me ballinë të punuar Agim H.Doçi.

Përurimi i këtij libri u organizua nga Bashkia e qytetit ”Bajram Curri”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave, Qarkun e Kukësit, deputetin e Tropojës, Unionin Artistik të Kombit Shqiptar dhe Shoqatën ”Tropoja”. Bashkëkraninas të autorit, shkrimtarë e poetë, punonjës të fushave të ndryshme të jetës dhe të kërkimeve e botimeve, të artit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, e kishin mbushur sallën ”Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, gjë që sigurisht e kishte dhe simbolikën e vet.

 

, 2

Pamje nga salla, ku u zhvillua veprimtaria (Foto nga: Gëzim Steaj)

 

Përshëndetjen e rastit për pjesëmarrësit në këtë tubim mbresëlënës e bëri kryetari i Bashkisë së qytetit ”B.Curri”, Agron Demushi. Pastaj pata kënaqësinë që unë të flisja, shkurtimisht, si për traditat e mrekullueshme artistike, kulturore e shpirtërore të popullit të Malësisië së Gjakovës (Tropoja) dhe për vlerat e përgjithshme të studimit të  Skënder Haklajt.

Pra, autor i këtij libri është ky mik i imi i kahershëm dhe djalosh tropopjan me zemër atdhetare. Në gjithësej 340 faqe e në 8 kapitujt e tij dhe përmes disa fotografive domethënëse, aty flitet bukur për tradita, doke e zakone; gojëdhëna, mitologji dhe vende  historike e legjendare; për kullat karakteristike dhe gatimet tradicionale të krahinës; për veshjet e instrumentët popullorë dhe për lojërat me elemente kërcimi, për moshat e vogla etj. Sigurisht, për këto tema Skënderi ka shkruar e folur bukur e me pasion edhe për faktin, sepse që në fëmijëri, ka jetuar, është rritur dhe mëkuar në mjedise me tradita të tilla të rralla e frymëzuese. Posaçërisht, vetë ai, gjatë jetës iu përkushtua me pasion të veçantë, valleve popullore të krahinës, duke u bërë kërcimtar e koreograf i talentuar dhe, tanimë, studiues i zellshëm i pasurive shpirtërore, me burimin nga gurra e pashterrshme e popullit artist të Malësisë së Gjakovës.

 

,2

Ballinat e librit të ri…

 

Janë domethënëse fjalët, që ai i ka shkruar në hyrjen e librit të tij dhe me kaq sinqeritet: “Padyshim,  që shkolla rreth oxhakut ka qenë udhërrëfyesi i parë në jetën time. “Leksionet” dhe pleqësitë e zgjuara të saj u bënë ëmbëlsira e dashurisë sime për traditat, doket dhe zakonet tropojane. Oda e burrave është shtytsa themelore e shpirtit tim, e cila më nxiti  dhe më ndihmoi të kërkoj, të studioj e të shkruaj, për vlerat tradicionale, shpirtërore e kulturore të popullit, në shtrirjen dardanmalase-Tropoja e sotme”.

2.

Të pranishmit në përurim dëgjuan me vëmendje përshëndetjet e bëra nga deputeti i Kuvendit të Shqipërisë për atë krahinë, Besnik Dushaj; kryetari i Qarkut të Kukësit, Ipsen Elezi dhe Akademiku Vasil Tole. Ndërsa nga Ramiz Lushaj u lexua tema, që kishte përgatitur prof.dr.Shefqet Hoxha, ”Mësues i Popullit”. Aty paraqiteshin vlerat e shumanshme të librit të autorit Skënder Haklaj, i cili është bazuar fort dhe me aftësi profesioinale, në traditat e mrekullueshme popullore të vendlindjes së tij.

Aktori Llesh Nikolla lexoi pjesë nga ky libër, ndërsa në ekran u dhanë pamje për atë dhe jetën e autorit. Pjesëmarrësit dëgjuan edhe disa vargje, që kishin thurur për autorin e këtij libri të ri, kushtuar traditave popullore në krahinën e tyre, Nuredin Lushaj e Xhevdet Malaj.

 

, 4

Amatorët e rinj e ”ndezën” sallën, me këngë e valle të bukura popullore të krahinës…(Foto nga: M.Gecaj)

 

Pjesë e bukur e tërë këtij tubimi, në qendër të të cilit ishin traditat shpirtërore dhe kulturore në Malësinë e Gjakovës, ishin edhe vallet e shkathëta të një grupi me vajza e djem nga ajo krahinë. Me ata u bashkua edhe valltarja e njohur, qysh shumë vite të shkuara, Hajrie Haklaj. Gjithashtu, u duartrokit nxehtësisht edhe kënga me lahutë e rapsodit Gjovalin Prroni.

Në emër të UAKSH, Azgan Haklaj e Xhevdet Malaj i dorëzuan autorit të këtij libri, Çmimin ”Jeronim de Rada”. Ndërsa e reja Jerinda Goçi i dhuroi atij një buqetë me lule të freskëta.

Në mbyllje të gjithë kësaj  veprimtarie përuruese, Skënder Haklaj i falënderoi përzemërsisht folësit dhe pjesëmarrësit, si dhe gjithë ata, që e mbështetën atë në realizimin e saj.

Pasi secili i ftuar mori me nënshkrim një libër dhuratë, nga djali i autorit të tij, bisedat e përbashkëta ata i vazhduan në koktejin e shtruar, me këtë rast.

Tiranë, 30 janar 2015

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s