Tregime dhe kujtime nga Avdulla Berberi

 

Tregime dhe  kujtime nga Avdulla Berberi

Botim 1993, në Itali

 

 

 

Mos të jesh dakord me “gjuhën e njësuar” a don të thotë “dasi”?

 

Në muajin nëntor 1992 u mbajt në Tiranë një konferencë e njëanshme në lidhje me gjuhën shqipe. Pak u botue në shtypin partiak, në atë neokomunist ose në të ashtuquajturin shtyp i pavarur. Të nesërmen, u botue vetëm pikëpamja e Arshi Pipës, dërgue me faks asaj konference nga SHBA. A ka si të mos ketë pasë asnjë shkrimtar të mirëfilltë i cili të ketë kundërshtue vendimet e kësaj konference në lidhje me “gjuhën e  njësuar”, të krijueme nga disa shkrimtarë të formuem gjatë periudhës gjakatare dyzet e ca vjeçare? A ka se si të ketë pasë një “unitet” aq të madh që “gjuha e njësuar” të mbetet si gjuhë e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar? Ky asht një absurditet. Vetëm në periudhën e frikës, të krimeve dhe të vendosjes së rregullave dhe të ligjeve me anë të dhunës dhe të imponimeve, vetëm atëhere mund të flitet për “unitet” të tillë.

Çdo shkrimtar, poet , student, autodidakt, i cili don ta njohë mirë gjuhën shqipe, duhet patjetër ta njohë shumë mirë veprat dhe studimet e bame nga personalitete të njohura të letërsisë shqiptare, si prof. Martin Camaj, Aleksandër Xhuvani, Maksimilian Lamberti, Arshi Pipa dhe shumë e shumë të tjerë.

Vetëm prof. Martin Camaj- citon Arshi Pipa në broshurën e tij “Mi të ashtuquajturën “gjuhë e njësuar”, botuar në revistën “Koha Jonë” në numrat 10,11 dhe 12 të vitit 1986-ja ka dalë me sinkronizue në një gramatikë tri gjuhët letrare, me të cilat shqipja është shkrue me shekuj, në gegënisht, toksënisht dhe arbërisht dhe kjo është një punë madhështore që e nderon autorin.

“Nuk asht koha me u marrë me një problem të tillë , “tani”- thonë disa fanatikë të “gjuhës së njësuar”, qoftë ata që e kanë gjuhën e nanës, si dhe disa që e kanë gjuhën e “burrit të nanës” (E.H), sepse ky kishte me qenë një problem “dasije”!!! Më vjen keq se edhe disa nga ata, të cilët nuk dinë ta shkruajnë dhe aq mirë “gjuhën e njësuar”, se për ta folë jo se jo, edhe disa nga ata, për arsye “ideologjikë, partiake” –thonë- “nuk asht koha tashti me u ngrejtë ky problem”.

 

Në burgun e Tiranës nga viti 1946 deri 1948 kam qenë bashkëvuejtës me prof. Selman Rizën. Ky për çështjen e unitetit të gjuhës shqipe anonte ma tepër për t’u marrë si bazë toskënishtja. Me shaka shumë të rinj i thonin : “Profesor  anoki nga fshati i grues”..Sa mirë qenë duke ia arritë objektivit të gjuhës së njësuar kolosat e gjuhës shqipe kur u muar si baza elbasançja?

 

Shkrimtarëve kosovarë të cilën “gjuhën e njësuar” e muarën si luftë kundër Serbit u heq kapelen dhe të më falin. Vëllezërit kosovarë dhe dibranë menduan se “baca Enver” diktatori i paskrupull, mendonte për “lirinë “ e tyre, kurse në fakt u provua se ai ia shiti këto vende të shenjta serbit armik shekullor.

Kam parasysh poezitë e poetit Ali Podrimja. Ia kam lexue të dy fazat e veprinmtarisë së tij. Sa ndryshim ka e para me të dytën, e sforcueme!

Megjithatë, të pretendosh se poetë si Fishta, Koliqi, Prenushi, Migjeni, Camaj, Pipa e shumë të tjerë nuk kuptohen nga studentët tanë, me atë gjuhë arkaike, asht mëkat, në mos me u quejt krim.

 

Po marr një shembull: “Ka ra rrezja ndër bajama” e poetit Vinçenc Prenushi,  që ka vuejtur në burgun e Burrelit.

Këtë vjershë ia pata tregue një shoqeje time, burri i të cilës ishte sekretar partie. Ajo të incizuar ia kish tregue atij, dhe ai e kishte pëlqyer jashtëzakonisht.

Sa e lehtë do ishte me marrë gjërat e mira të dy dialekteve kryesore?

Për shembull prapashtesat onjës dhe ënjës, si mësonjës, tregonjës, studjonjës, rrëfenjës, shërbenjës etj me të drejtë mund të zevëndësoheshin me ue dhe ye pra mësues, tregues, studiues, rrëfyes, shërbyes etj.

Koha e pakryeme e të gjitha foljeve në mënyrën dëftore në gegërisht ban si më poshtë: me punue, me tregue, me folë etj. Unë folsha, unë punofsha, unë tregofsha, unë hecsha etj. Toskënisht ban: unë folja, unë punoja, unë tregoja, unë andrroja, unë ecja, etj. Mue më tingëllon ma bukur dhe ma thjesht e dyta.  A ka ndonjë vështirësi të bëhet ky zevëndësim?

Lidhësja “që” në toskënisht asht më e përdorshme se lidhësja “qi” në gegënisht.

Zanorja “a” asht më tingëllues se zanoret “ë’ dhe â prandaj zevëndësimi i tyre me zanoren e bukur e sonante “a” nuk do kishte asnjë vështirësi.

Paskajorja: Vetëm në “gjuhën e njësuar” nuk ekziston paskajorja! Kur përkthehen nga shqipja në gjuhë të huaj dhe anasjellas ka probleme:

Shembuj: Lavorare në “gjuhën e njësuar’ përkthehet –shoh- ne vend me punue.

Dormire në “gjuhën e njësuar” përkthehet –flej- në vend  me flejtë

Punoj- po ta përkthesh tamam italisht duhet ta shkruash- lavoro dhe jo lavorare, prandaj një rregull i tillë nuk asht veçse një mashtrim.

Pra po të pranohet edhe paskajorja do të kemi një afrim shumë të madh në mes dy dialekteve kryesorë.

Vendosja e theksit mbi disa zanore në vend të gjysëm zanores “ë’ përdoret për të dallue emnat femnore. Shembull: dhom-ë, der-ë, port-ë, zyr-ë etj. Përdoret gjithashtu për të dallue njëjësin e shquar me shumisën e pashquar të disa emrave. P.sh.

Druar- njëjës i pashquar dhe druarë shumës i pashquar. Pra do të ishte ma mire të vihesh theksi” ’ ” mbi zanoret në trajtën e pashquar njëjës, se sa të shtohesh gjysëmzanorja “ë’ kështu që dallojmë njëjësin e pashquar nga shumësi i pashquar.

 

Shtojcë

 

Ka ra rrezja ndër bajâma

 

  1. Prenushi

 

Poeti- Ka ra rrezja ndër bajama,

T’binë e vet kshtu e pvet e âma

 

Nana- Ç’ke moj bi, qi po kjanë

Kjanë e fshânë dhe vetullat vrânë?

Vajza- Kjava shum mori lum nana,

Tue qindis me ra gjylpana,

M’ra gjylpana nën ballkue

Dhe jam ul tash m’e kërkue.

 

Nana- Poçka kje qi lot’t t’i nxorri,

Ku kje dhima, ku kje zori,

A po drŭ mos m’je harlisë

Qyshse kjan-o tue qindisë?

Pasha nanën nuk mund t’mbari

Qi t’më ndezet bija zhari,

Do t’a dijë e zeza nanë,

Pse ti vetullat shpesh m’i vrânë

Pse kah mot moj buza s’t’qeshet

Dhe n’arg’time zemra s’t’ndeshet

 

Vajza-Nuk âsht gjâ, moj nanë s’âsht gjâ

Dhe po t’tham asken s’jam vrâ,

Diçka vlon n’ket çerdhe zanash,

vlon dashni, si bija nanash,

Nanë dashnija m’ka molisë,

prandaj kjaj-o tue qindisë.

 

Nana- Tue thaftë goja, bijë ç’po thue,

a kaq shpejt ti m’je tërbue,

Pa shikjo moj bi kërcuna,

Se po bana i’herë e t’xuna,

bana e t’pava tue dalë derës,

s’ke shpëtim, jo mbetsha e mjerës.

 

Vajza- Jam shqiptare e bijë shqiptari,

E ata fjalës nanë s’mund t’i mbari,

S’ke me m’pa jo tue dalë derë,

Si kujto se s’m’ke për nderë,

As moj nanë nuk jam harlisë

Veçse kjaj-o tue qindisë,

Pse ajo dashni qi m’ka pengue,

Asht e denjë moj nanë për mue.

Nanë dashnija m’ka molisë,

prandaj kjaj-o tue qindisë.

 

Poeti-Bindej nana gja s’kuptonte,

Por të mirën kah ja donte,

Muer me t’ambël me i thanë e mjera:

 

Nana-Mori bijë, moj si pranvera,

pash njat diel e pash njat hanë,

Diftom sot ç’sokol ke xanë?

 

Vajza- Ç’far sokolit thue moj nanë,

T’thashë moj t’thashë, se s’ma mban ndera,

S’ma mban shpija s’ma mbanë ndera,

Me luajt menç moj nanë mbaj kuj,

S’i kam dhanë jo fjalë kërkuj,

E po t’tham se n’t’endut motit,

Po të jap qe bes’n e Zotit,

Se due fjalë me t’ligjrue,

Se kam mend me t’u largue,

Zemrën n’dyshë un s’mund t’a  ngajë,

M’len t’qindisi, m’len t’kjajë,

nanë dashnija m’ka molisë,

kjava mjaft…ma desht t’ligjroi,

 

Poeti- por ju kput ksaj fjala n’gojë,

Si fjalë tjera ma s’mund t’nxori

Mnafsh gjylpanë prap n’dorë i mori

Dhe punon e tue punue,

Sheh pëlhurën se asht mbarue

Dhe m’bi dy duer porsi florini,

mbi pëlhurë deka ja ngrini.

Kuku nana kjanë me lot,

Se ç’e gjenë të mjerën sot,

Se ç’e gjenë të mjerën nanë,

nën kët diel dhe nën kët hanë,

Merr pëlhurën qi pat end

Bija e sajë, kish pas kenë

KUQ E ZI mbi te qindisë,

Gjet dashninë qi e kish molisë.

Eni bija zana malit,

Ju qi kjani n’dekë ndaj djalit

Dhe pëmbys mbi kët bujare,

N’të nderoni binë shqiptare,

Se po kje se si kjo bijë,

Rriten vashat në Shqipni,

n’vend do t’shkoi e fjala e t’parvet,

Qi Shqipnija i takon shqiptaret,

Brohoritni n’gëzim e n’vajë,

Rrnoft Shqipnija dhe Flamuri i sajë.

Advertisements

One thought on “Tregime dhe kujtime nga Avdulla Berberi

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s