LEK PERVIZI: KOLEKSIONISTI I KËNGËVE POPULLORE SHQIPTARE / Nga Peter Tase

 

LEK PERVIZI: KOLEKSIONISTI I KËNGËVE POPULLORE SHQIPTARE

 

 

PeterTase

               Nga Peter Tase

 

 

Para disa ditësh munda të lexoj me një frymë vëllimin e përmbledhur me titull “Lahutari Shqiptar,” autor Lek Pervizi, me këngë popullore që u krijuan nga poetët anonim popullor gjatë kohës së diktaturës së egër komuniste në Shqipëri.*

Kjo përmbledhje përfshin perjudhën që nga pushtimi Italian deri në vitin 1992, kohë  e cila njihet si më e përgjakura në historinë e Shqipërisë së pavarur.   Këto vargje janë shprehja e qartë e vuajtjeve dhe persekutimeve të përjetuara gjatë kohës së komunizmit.

Autori më i madh i eposit shqiptar mbetet gjithmonë poeti anonim, prandaj edhe Lek Pervizi ka mundur të mbledh këto poezi në copa letre, gjatë kohës kur ai ka qenë i internuar në fshatin Pluk të Lushnjes me shumë bashkëkombas të tjerë. Këngët lirike të paraqitura në këtë vëllim janë mishërimi i vuajtjeve, torturave dhe i varfërisë që ishin përhapur në gjithë teritorin e vendit pasi regjimi komunist erdhi në pushtet.  Stili i këtij poeti përmban në vetvete një trup e një mendje që përfaqësojnë një popull e një komb. Pjesë e pandashme e kësaj stilistike është edhe madhështia e krijimtarisë popullore e cila shoqërohet herë pas herë nga vargjet plot vuajtje të shkruara nga vetë autori.

 

lek pervizi

    LEK PERVIZI

 

Si njëri prej vuajtësve nga regjimi komunist, Lek Pervizi do të shkruante se: “shteti komunist planifikonte dhe servirte një folklor të zyrtarizuem e konformist që t’i shërbente regjimit, për të tregue se sa i lidhun ishte ky lloj pushteti me  popullin. Harronte se ky popull, ndonse i gjunjëzuem, i torturuem  dhe i gjymtuem, ruente thellë në shpirtin e tij të pamposhtun, flakën e pashueme të qëndresës, që shpërthente përmes vargjeve të rrembyeshme epike, lirike apo satirike të rapsodëve e lahutarve të maleve ose përmes elegjive të grave vajtore, që thurëshin e këndohëshin brenda mureve të ngurta të kullave kala. Kështu ai i bani ballë stuhive shekullore dhe patjetër do të mund të përballonte edhe ato të disa vjetëve të diktaturës, shumë ma të   furishme.”  Forca e këtyre elegjive bënë të mundur që Lek Pervizi të mbledh energjitë dhe të përpiloj denjësisht këtë vëllim që flet shumë.  Si biri i një gjenerali, autori Pervizi, jo vetëm në këtë libër por në gjithë krijimtarinë e tij, ka treguar vlera atdhedashure dhe patriotike; ai me sakrificë ka mbrojtur të vërtat historike të popullit Shqiptar.

 

u1_ekPervizi-LahutariShqiptar

 

Që në fillim të librit do të gjejmë një pathos heroik i cili përmbledhtazi shpalos konjuktural politike ku Shqipëria ka luajtur rolin e saj gjatë Luftës së Ftohtë, për pesë dekada me rradhë.

Kjo përmbledhje është një nga të vetmet materjale që janë pasuri e atyre shqiptarëve të ish-internuar që shprehin vuajtjet dhe disidencën ndaj regjimit me këto vargje.

“Mjer Shqipnia mjer  Shqiptarët,

N’fuqi erdhën sllav-barbarët,

Komunistë e Shqipnisë,

Lidh pas qerrës së Rusisë,

N’krye të shtetit e t’qeverisë:

S’po lajnë krime për pa krye,

Burrat n’burgje tuj mbërthye,

Shumë tuj vra, tuj pushkatue,

Tuj djeg shpija, tuj rrenue,

Gra e fëmi tuj internue ….

Artisti Lek Pervizi shprehet se “në epikën e maleve tona u himnizue heroizmi dhe sakrifica vetmohuese e atyne që nuk pranuen t’i nënshtrohëshin zgjedhës sllavo  – komuniste dhe qëndruen me pushkë në dorë për të mbrojtun lirinë dhe idealet kombëtare, duke krye vepra trimnie e guximi të përmasave lëgjendare. Në këtë krijimtari ndiqet një vijim kohor i përcaktuem nga zhvillimi i ngjarjeve reale, duke na dhanë njohuni historike sipas këndveshtrimit dhe koncepteve të vetë popullit, ma mirë e saktë se historianët e indoktrinuem me lloj lloj parimesh ideologjike të hueja dhe mbrojtës te interesave të klanëve ku banin pjesë, për t’i shërbye klaneve te tyne dhe jo historisë.  Ndërsa vetë diktatura  e fallsifikonte historinë me qëllime mashtruese të paramendueme, në dam te popullit  e të Kombit, për të ia përshtatun interesave  të veta meskine e kriminale. Nuk përjashtohen nga ky qëndrim negativ edhe partitë e forcat e tjera politike, të vjetra ose të reja, po ashtu dhe këto në përpjekje për të manipulue historinë për përfitime e lavdi vetjake.   Poeti popullor që i përjeton vetë ngjarjet nga afër ose që përfshihet në to, nuk i

nënshtrohet imponimit as diktimit të askujt por drejtpërsëdrejti paraqet përshtypjet e gjalla të çastëve dhe ndodhive, i të cilave asht dëshmitar i mirëfilltë.”

Në përshkrimet e tij, Lek Pervizi, ka përfshirë mendimet dhe kujtimet e tij

përsonale nga ato ambiente ku ka kaluar vitet e rinisë.

“…Na s’kem qumësht as për fëmijtë,

As nji gotë e pikë për mallë

Na ka zanë i madhi hall.

Kafen shohim n’mikroskop,

Buka e misrit me i ra n’top!…”

Urtësia e popullit duket në vargjet e këtij vellimi sa here që është e nevojshme për të dhenë gjykime ose për të përshkruar rrethana te caktuara ose personazhe historike.

“N’burg të zi ku paskam ra,

Fundi i ferrit asht tuj m’gja,

Sigurimcat, si djajt vijne,

Na mundojnë dhe na grijne

Me tortura na përpijnë.

Harruem nanat, harruem gra,

Harruem motër, harruem vlla,

T’gjall t’vorrosun për hata:

Harruem hanën, harruem diellin,

Falna Zot, harruem dhe Qiellin!”

Në këtë krijimtari që bazën e ka në poezinë epiko – heroike – historike, nuk mbetet pa u shfaqur dhe talenti tjetër i poetëve të maleve, siç është satira, me të cilën ai fshikullon me forcë e pa

kursim, të metat njerëzore dhe veçanërisht të atyre që mbajnë pushtetin në  dorë duke trajtuar keq popullin mbi të cilin sundojnë. Në rastin tonë konkret satira popullore demaskon me sarkazëm therëse udhëheqësit e regjimit komunist dhe organet e tij të shtypjes dhe të terrorit.

Bie në sy edhe ajo që ne  shqiptarët e quajmë “mallkim”, që vjen nga zemra e atyre që e pësuan vetë dhe që humbën të afërmit, të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë nën shtypjen e egër të terrorit komunist. Mallkimi del nga shpirti i nënave që i humbën fëmijët ndër kampet e internimit, del nga shpirti i popullit, i katandisur të jetoj si kafshë për një kothere buke të thatë.

“Mallkue kjofshi krimmela

Që sajuet kampet me tela,

Mallkue kjofsh parti kulsheder,

Gjakatare dhe fort e egër!

Po kjajnë nanat ditë e natë

Për fëmijte e tyne t’ngratë,

Po kjajnë fëmijt po derdhin lot,

Nana e baba vdesin kot.

Enver Hoxha ka urdhnue,

Skifterr kjoftë e kjoftë mallkue!”

Lek Pervizi, si nismëtar i kësaj përmbledhje, është gjithashtu edhe dëshmitari i origjinës së këngëve, të cilat vijnë nga zonat e Kurbinit, Malësia e Lezhës, Pukës dhe Këthellës.

Nga stili i përdorur dallohet qëllimi i përshkrimin të ngjarjeve, autori kërkon të japë të sakta e me pak vargje fabulën apo ndodhinë e caktuar në pak vargje.  Në të vërtetë  këngët e veriut dallohen për vërtetësi të shkallës historike dhe nuk i shmangën kësaj vije deri në fund, ato paraqësin të këqijat apo të mirat, ashtu siç janë.

“Në Kurbin malet gjïmojnë

Pyjet, grykat fort ushtojnë,

Shumë do trima po luftojnë;

Luftëtarë janë të lirisë

Bij të rreptë të Shqiptarisë.”

 

GJYSHES

Kjo grue që kishte perjetue

e shoqnue kryengritjën e madhe

për liri e pavarësi përkrah luftëtarve

trima të Kurbinit të udheheqën nga

patrioti rilindas Gjin Pjetër Pervizi,

e që kishte pa djegien dy hete

rresht të kullave historike e krenare

prej hordhive turke,  jetoi

përsëri në moshën e pleqërisë,

diegien e po atyne kullave prej

hordhive barbare komuniste

te shekullit njezet qe duke

mos u mjaftue me kaq e mbyllen

ne kampin mizor të Tepelenës

ku ajo, megjithëse trimneshë

dhe e vendosun, nuk mundi me

durue vuetjet e semundjet

e vdiq aty në moshën 90 vjeçe,

viktime e pafajsme,  martire  e lirisë

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s