Cikël me poezi nga poeti homerian, Bajazit Cahani

bajazit-cahani

Cikël me poezi nga poeti homerian, Bajazit Cahani

 

VARRIN E KAM NË MAJËN E PASHTRIKUT

HAS i dhëmbshur,

Më dhe djepin,

Unë fjalën ta ruajta,

Varrin, pse s’ma jep?

Dije, pra,

Varrin tim pellazgjik

Në Majën e Pashtrikut e kam

Aty, në një rrafshnaltë,

Në një lëndinë

Aty kuvendoj me Sharrin, Korabin e Tomorrin,

Aty,

Në qetësinë e përjetshme,

Unë kuvendoj lirshëm vetëm me Perëndinë…

Aty,

Ku BOGDANI i madh foli shqip

“Veshë me diell

Mbath me hanë”

 

HESHTJA PIKON

Pikë…Pikë…Pikë

Heshtja në koridorin e errët pikon

“Ik”- nuk të iket

“Të iki” nuk më iket

Pikë…Pikë…Pikë

Vetëm heshtja në koridorin e errët pikon

Ndoshta njëri-tjetrit ende i duhemi,

heshtja na kujton…

 

DUKE PARË KOSTARËT NË BJESHKËN E PASHTRIKUT

Kështu ka vringëlluar nëpër mugëtirën e shekujve

Kosa e fisit tim

Në teh të saj varfëria,

Në teh të saj thinjej dashuria,

Në teh të saj pikonte gjaku i hasmit të vrarë

Në teh të saj lotët e motrës për vëllanë

Se nuk të linin të jetoje në hallin tënd, fisi im,

Ndaj kosa si barin e bjeshkës I ka prerë me tërbim!

Kosa e fisit tim…

Ke prerë edhe veten,

Me dashurinë tënde ke përgjakur dhe pranverën.

Unë e di,fisi im, e di

Ish koha që t’ka shtyrë

Të shtynte Kanuni i Lekës

Dhe ti nuk kishe çfarë t’i bëje

E ktheheshe i bije me kosë vetes…

Pastaj…

Bëje këngë,

Sa tresje edhe gurin për dashurinë.

O shpirt i madh,

Që me kosë në dorë kërkoje lirinë.

 

PO TË MË SHIHNI RRUGËVE…

Po të më shihni ndonjëherë rrugëve,

të ashpër, të paqetë, dijeni

Diellin tim ma shanë;

Dhe po të shihni se diellin tim,

retë e kanë zënë,

Kërkomëni mua,

Dhe po s’më gjetët, dijeni,

Për diellin tim diku kam rënë…

 

LARGIMI

Sytë e shqetësimit

Të mbetën në largimin tim.

E Unë,

Me ëndrrën tënde,

Me zërin tënd,

Kudo në udhë

Si ti,

Me kohën sy ndër sy…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s