Poezi nga Juljana Mehmeti
Poetit…
Imazhi përhumbur valëve
në sy veshur dritë melankolie,
që shkrihet vezullime hëne
në bregdete ëndrash,
netëve të fjetura mendimesh…
Shpirtin në shtrëngata ndjenjash trazuar
enigmash të pazgjidhura…
fshehur hieroglifesh
yjesh të këputur,
dëshirave të pashprehura…
ndezur
në një tufë emocionesh
drithëruar penës së artë..,
dhe tretesh
pa kuptuar se çfarë mbetet
nga një yll që rrëzohet
e ndër gërma shuhet.
Duke të pritur …
Detin në krahë ma solle
me lot malli mbuluar…
Në duar më mbeti një valë,
etjen të shuaj.
Përtej mjegullës
Zgjaten ëndrrat
Imagjinata zbret kraterevet të fshehta
Në hapësira të panjohura…
Në kërkim
të syve…