Cikël poetik nga Xheni Shehaj

15193483_554418314769517_4794935710186664793_n

Cikël poetik nga Xheni Shehaj

 

Arrati

Hap sytë.

Shkreti.

I mbyll prapë.

Më fanitet një botë magjepsëse.

Jo me engjëj, as djaj,

një botë trëndafilash,

me petale që nuk vyshken kurrë.

Nuk jam në parajsë, jo.

Jam në një botë paralele

të bërë vetëm për mua.

Vetëm këtu qenia ime

gjen vetveten.

Këto trëndafila të paktë

më mjaftojnë të jetoj

në qetësi.

 

Metamorfoza e shpirtit

Netëve të dimrit, kur era dh pemët kalonin në ekstazë,

shpirtin se kisha timin.

Ethshëm strehohej diku tjetër,

pa ia vënë veshin lutjeve të  mia.

Nuk e njihja më, aq shumë transformohej.

As ai s’më njihte,

pasi kur në emër e thërrisja, s’më përgjigjej.

E kalova dimrin, e pashpirt.

Erdh’ pranvera.

Mëngjeset kalonin duke pritur kthimin e tij

si djali plangprishës.

Dhe ja, atje tej, në fushën lulëkuqembuluar

u duk ecja e tij prej zotërie.

E prita buzagaz, hodha mbi të gjithë mallin dimëror.

Kaluam disa kohë.

Befas një shtrëngim në gjoks

më paralajmëroi për dhimbjen e afërt.

Ai iku sërish.

U zhduk atje tej në horizontin e largët.

Unë mbeta pa të.

Erdhi vera. Dallgët ma sollën përsëri në shtëpi

haramin.

Nisi sërishmi bashkëjetesa jonë.

Vera kaloi pa u ndjerë. Aroma e detit, dielli, ia zbehën atij nuancat.

Vjeshtë. Bashkë me shirat e parë nisi dhe pikëllimi im.

Ai iku sërish.

U xhindosa me të. Isha gati të merrja vendimin më të rëndë

për një qenie humane; t’i mbyllja dyert, mos ta pranoja më.

Të mbetesha pa shpirt.

Një kafe më bëri të arsyetoj.

Do e pres përsëri, i thashë vetes.

Mbase s’i jap aq sa duhet dhe ai ka nevojë për më shumë,

u mundova ta justifikoj.

Pastaj, sa herë që kthehet ai është i tejmbushur.

Sjell plot gjëra.

Do e pres…

 

Njeriu me maskë

Ndesha në rrugën time

Një tjetërsoj njeri.

Kur e pyeta për emrin,

Më tha: “Si të duash ti”.

Rëndësi nuk i dhashë

Do jetë ndonjë i ngratë,

Ende pa hedhur hapin

Pashë nja pesë a gjashtë.

Në çdo rrugë, lagje, cep,

Lëvrinin si minjtë.

Të gjithë me maska veshur,

Përjashta vetëm sytë.

Prapë s’ua vura veshin.

Më tej udhën vazhdova.

Një zë nga pas më thirri:

“Si ne është e tërë bota!”.

 

E imja botë

Ti botë je e imja

më gjithë çke.

Mua më përket,

ashtu si unë ty.

Je e imja,

dhe kur heshturazi më flet.

Kur flokët era jote m’i shpupurit,

Kur dallgët e tua më rrahin shpirtin

plot tërbim,

timen të kam.

Je shumë e madhe

për t’u mbajtur thonë.

Thonë je e rëndë,

e plot telashe.

Nazemadhe e hileqare,

thonë për ty o botë!

Dhe prapë e imja mbetesh,

Ti botë gënjeshtare!

 

Rrezja e diellit

Në shumë shtigje eca,

M’u çanë këmbët nga ferrat, drizat,

Eca me kokën lart, duke fiksuar me sy shqiponje

rrezen e diellit.

Vetëm një dëshirë kisha: ta arrija.

……………………………………………………..

Ajo qëndron mbi mua, më grish, më josh, mendjen

ma prish.

Unë eci, eci duke larë gurët e shtegut me gjakun

e thembrave të mia.

 

Larg

Dua të iki larg…

Atje ku toka puthet me qiellin

E deti zili i ka.

Ku mëngjeseve vesa përqafon barin

E dielli shpirtmadh jep ngrohtësi.

Atje ku pulëbardhat fluturojnë veçmas (jo në grup),

E me dallgët flirtojnë pa turp.

Ku dëbora shtrohet këmbëkryq,

E malet, pemët, shtëpitë zbardhen.

Dua të iki larg! Sa larg!

 

Rënkime vjeshtë

Unë kurrë s’jam endur deteve

kur stuhia tund e gremis anije

e dallgët dhunshëm rënkojnë.

As qiellin se kam puthur,

ashtu të nxirë, pis,

dhe me retë gati për shkarkim.

Fushat s’i kam shkelur,

e mbi to s’kam vrapuar.

As lulëkuqet këputur s’i kam.

Diell e hënë nuk kam soditur

ashtu endshëm, me nge.

S’i kam adhuruar gjer në amëshim,

as në shtrat me to s’kam rënë.

Shpirtin kurrë s’ja kam hapur

diellit,yjeve dhe hënës.

As kitatë nuk kam luajtur

bregut të detit, në muzg.

Malit kurrë s’i jam ngjitur,

e prej tij të lëshoj kushtrim.

Sa shumë gjëra nuk kam bërë!…

Këto ditë vjeshte më flasin

për timen plogështi.

Oh!…

Dhe unë rënkoj

bashkë me vjeshtën.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s