Ngjyra e detit, personifikimi i ngjyrave të jetës – (vështrim rreth përmbledhjes poetike “Në detin e syve të mi” / Nga : Adem Xheladini

Ngjyra e detit, personifikimi i ngjyrave të jetës

(vështrim rreth përmbledhjes poetike “Në detin e syve të mi” 

 

adem Xheladini

Nga : Adem Xheladini 

 

Në kalvarin e letrave të shqipes, e të botës së poezisë tashmë guximshëm ka hapëruar edhe përmbledhja “Në detin e syve të mi”, e Marjeta Shatros, e cila padyshim se në siparin dhe sirtarin e të kënduarit me shpirt, e të ligjëruarit me varg na sjellë një botë përplot dëshirë për jetë. Tanimë një botë e brendshme, po shpaloset si refleksion i përjetimit, të shtegut të quajtur jetë, dhe vjen rrëmbimthi, kaq bindës përmes vargjeve të poetes buzë brigjeve të Jonit, Marjeta Shatro. Ndonëse, si përmbledhje vjen në dritë për herë të parë, domosdo duhet thënë se talenti prej grishësje të botës së brendshme, vjen kaq bujshëm, ku simbolika, e ngërthyer përmes figurshmërisë, dhe veshjes me stil të vargut padyshim se spikat kaq bindshëm, që me të lexuar të parë, dhe të shpie në një rrugëtim përjetimesh të njëdëshirshme, pokaq, edhe si përjetim i veçantë!

“Ti nuk e di…

dhe s’ ke për të mësuar kurrë,

se pas shkëlqimit të syve të një gruaje

fshihet më e madhja dashuri.” […]

 

Dhe duke bërë rrugëtimin prej lexuesi, nëpër vargje, të përmbledhjes “Në detin e syve të mi”, nuk ka se sit ë mos I përqasesh vetërefleksionit, e të gjesh veten në këtë ecejake të jetës, e të pyesësh veten se nga e ka burimin gjithë kjo energji, gjithë kjo dëshirë, gjithë ky shkëlqim sysh?!

 

15995790_1442904262387899_1957855543_n

Marjeta Shatro Rrapaj

 

Dhe tek përhumbtas, vështron vargjet e autores, të ngjajnë pyetjet retorike, të vetëpërgjigjura, si tek vargjet më lart! Mbase i gjithë ai shkëlqim sysh, ka burimin tek thellësia e shpirtit të Jonit në kaltërsi, që ngjan me ngjyrë sysh…

Domosdo se përgjigja ndodhet e fshehur në vargjet më poshtë, ku autorja porosit:

“Shikoje yllin tonë dhe kupto gjuhën e tij.

Ai flet për ty, lexoje mesazhin e jetës, të shpresës,

të besimit dhe të lumturisë!” […]

 

Padyshim se retorika e këtyre vargjeve, po mpleks më vete një mesazh të pathënë, atë porosi për jetën, për shpresën, për lumturinë e shumëkërkuar kudondodhshëm dhe gjithkohshëm, përsa zgjatet një jetë e tërë. Dhekjo retorikë hulumtuese, me porosi të qartë, ka një përqasje tejet mbresëlënëse. Athua, cili mund të jetë ai yll i përbashkët që kupton gjuhën e jetës, ai yll që kupton gjuhën e shpresës e të besimit, të mbështjellë si lëvore druri trungjeve të heshtur, ku ndodhen personazhet që ia kanë mësyer udhës së lumturisë:

“Retorikë pa fjalë

e zemërimesh të mbështjella si lëvore druri

trungjeve të heshtur

Unë dhe ti,

Ne të dy.” […]

 

Një përqasje tjetër, të ndërlidhjes së njeriut me natyrën, dhe personifikimit të tij si pjesë e sistemit të rregullave për të përballur ekzistencën në atë sistem, padyshim se përshfaqen përmes ngjyrave të ylberit, kur qeniet e pranishme, në këtë univers pa fund, do ta quaja universi i dashurisë shfaqen shumëngjyrshëm, apo me petkun e ylbertë:

 

“… dhe kur shtjellat shpërndahen:

Ngjyrat e ylberit i falim njëri-tjetrit,

ashtu koloritësh pa fund

puthemi në paqe !”  […]

 

Dhe ky sistem, vjen i ngjeshur përmes metaforave të fuqishme, ku fenomeni natyrë, vjen i mirëndërtuar, duke bërë ballë në hakërrimin e kohës, ku qiejtë trazohen  nga mëritë e heshtura të perëndive, ashtu siç ngjan të duken edhe ecejaket nëpër shtegun e quajtur jetë:

“Fryn erë

dhe re të zymta që trazojnë qiejt

hedhur në grindje

mëri e heshtur perëndish.”  […]

 

Megjithatë, personifikimi i personazhit, si qenie njeri, na vjen mëposhtë e krahasuar mjeshtërisht përmes vargut vijues, ku prania e detit, padyshueshëm, se duhej të zë vend nëpër vargjet e autores, ashtu siç e kemi edhe tek vargjet e poetit paraprijës, F. Arapit, i cili gjithashtu nuk mundej t’i ikte pranisë së detit, ashtu siç këtë ikje nuk mund ta bëjë as autorja e këtyre vargjeve, por që përballja me detin, ngjan në kufij të pambarimtë të dashurisë, nga ku, na del sheshazi edhe dashuria sublime, për magjinë e Jonit, e cila zgjat bashkë me përjetësinë, sepse:

“Unë dhe deti

Vetëm ne të dy dhe kufij të pambarimtë,

të dashurisë sonë

gjer në përjetësi…”   […]

 

Mëpas, kjo idilë vazhdon ashtu e strukur përmes krahasimesh, ku fuqia e syve ngjan të jetë kaq e fuqishme, sa koha për një çast ndalet dhe në heshtje flet për ta dëshmuar një dashuri të kthjelltë, si shtrati i detit, të bardhë si vala e tij, ku:

“Me lojëra fjalësh e nisim të dy

Papritmas heshtim, flasim dhe me sy

Kohën e kam ndalur, veç për ne të dy.” […]

 

Për ku janë nisur këta sy që kanë ndalur kohën? Athua, shtegtimi i tyre, përmbyll rrugën tek i vetmi shikim përballë, apo është magjia e atij shikimi që depërton përmes shkëlqimit matanë, ashtu siç shkëlqen tablloja e detit në rrezen e parë të diellit, apo magjia e shkëlqimit të tij buzë perëndimi:

“Sytë ndrijnë në mijëra shkrepëtima!

Zemrat rrahin fort,

E shpirtrat digjen zjarr.

Ndjejmë frymën magjike zbritur nga qielli!

E të nesërmen ditë agimesh përqafuar.”      […]

 

Megjithatë, kjo idilë, nuk zgjat deri në përjetësi. Ka çaste, kur i gjithë ky shkëlqim tretet në një ëndërr të vetme dhe të pafund, në çastet kur ajo ndodhet diku larg, dhe ftesa për të ndjerë rrahjet e një zemre, është e pashmangshme, sa për të mposhtur nostalgjinë, aq për të provuar e riprovuar dëshirën e pashmangshme për jetën:

«  Të mendoj sa herë që je larg,

Të kërkoj ty ëndrra ime e pafund,

Të ndiesh rrahjet e zemrës time.”    […]

 

Padyshim se, ky mallë, është I pashkëputshëm.

 

kop-marjeta

 

Ndonëse, largësitë kanë hyrë në mes, megjithatë ndjenja e dëshirës së pranisë, del kaq e fuqishme, sa largësia shndërrohet në afërsi dhe anasjelltas, sa poetja do të shpërthejë, për çdo natë me zhurmën e dallgëve gjatë netëve e me këngën e zogjve mëngjeseve të pritura sepse:

« Sa afër dhe sa larg jemi!

Fle çdo natë me zhurmën e dallgëve.

e zgjohem çdo mëngjes me këngën e zogjve.”  […]

 

Dhe, kjo këngë dite, e kjo zhurmë natë, po krijojnë gërshetimin e dëshirës për të shijuar jetën, edhepse ajo ka rënien dhe ngritjen e saj njëkohësh, ashtuqë:

“Jeta plot brenga endet…

Veshur me mendime e ngjyra pa fund

Dehur nga magjia e fjalës”       […]

 

Dhe, për ta pushtuar këtë dëshirë, për të këputur prangat, për ta prekur amshueshmërinë e ritmit të jetës, dhe për ta shndërruar atë në dëshirë funksionale autorja më tutje na sjell vargjet:

“Ti më josh me të thellin frymim

të trillit poetik.

shpërthyer nga zinxhirët

Në çdo ritëm e formë.

Me gjuhë e kode,

në mënyra që vetëm unë di të kuptoj.” […] ;

 

ku trilli poetik, e frymimi për ritmin e jetës, po sjell gjuhën e kodeve, për të kuptuar këtë dëshirë të strukur e të shpërthyer nga zinxhirët e këputur.

 

Duke, bërë ecejaket prej lexuesi, nëpër vargjet e autores Marjeta Shatro, lexuesi mbetet i mahnitur nga figurshmëria e lartë letrare, nga ngjeshja me finesë e çdo vargu, nga veshja me shpirt e çdo fjale, sa me një fjalë, gjithçka po veshet me dëshirën për jetë, e mbi të gjitha, lidhjen e natyrës dhe qenies, duke i vënë ato në spikamë në tehun e krahasimeve të mrekullueshme, ku personifikimet, metaforat, anaforat, e retorika vetërrëfyese, të shpie në çiltërsinë dhe ëndrrat për të zënë shtigjet e jetës në çastin e parë, sepse ajo është e kthjellët si deti, është e bardhë si valët e tij, ka bekimin e diellit, ka  magjinë e përfytyrimeve dhe ëndrrave sublime. Sëfundmi, për ta vërtetuar gjithë këtë që themi më lart, në përmbyllje po sjellim vargjet:

“Jeta të përkundet mbi lule si vesë,

që shpërthen prej gjumit me delikatesë.

Si ylber të shndrijë!” […]

 

Me një të thënë, poetja nga Joni, Marjeta Shatro, shfaqet në botën e poezisë, tejet natyrshëm, duke vënë në sprovë guximin prej femre, për ta vënë lexuesin në kurreshtje të vazhdueshme, e për ta shetitur atë nëpër deliret e labirintheve dhe të papriturave që i sjell jeta megithatë.

 

Adem Xheladini, Kërçovë, janar 2017

One thought on “Ngjyra e detit, personifikimi i ngjyrave të jetës – (vështrim rreth përmbledhjes poetike “Në detin e syve të mi” / Nga : Adem Xheladini

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s