Poezi nga Eliverta Kanina

eli-kanina

Poezi nga Eliverta Kanina

 

NDIZ E SHUAJ

Më mori malli për ty kaq shpejt!
Ky dreq kondisioneri të imitoka keq
Më ngroh pa më puthur
Po kështu edhe jorgani
Rri mbi mua pa lëvizur…
Më mori malli për çastin kur u çikëm!
Për gjithçka bëmë e thamë bashkë
Kjo flutur dëbore na i thinji çastet
Pa na dhënë një mundësi të bardhë.
Më mori malli për ato që s’i bëmë!
Për atë, që e ëndërruam si të nesërme
Për vendet ku kurrë s’kemi qënë e s’do vemi
Krisin e thërrmohen brenda meje premtimet
Shndërruar në pllaka akulli.
Më dogji malli, si mes shkretëtirës
Shkëndijova e u ndeza si gur stralli
Bën kaq ftohtë, ku të gjej të të ngroh, duke thënë:
“Gëzohu, është veç tek i gjalli!
Malli, si malli…”
Cipa akulli na mbështjellin si vezë kinder
Malli, fëmijë i lumtur që me ne luan e djersin çurga lotësh
Hidh e prit, ndiz e shuaj, far mbi det
Djeg në grykë, bëhet komb, ngel memec
Ah dashuri, ç’surprizë na pret…

 

DITËT KALOJ…

Ditët kaloj me buzëqeshje fëmijësh
Me bekime nëne , sakrifica që dhembje lënë pas
Me ofshama babai që me jetën, së shijuari s’ngopet
Dhe jetën nëm orë e çast…
Një fjalë të mirë gjithkujt i them
Edhe diçka më shumë kur mundësi gjej
Bëj mirë për tu ndier mirë në shpirt edhe vetë
Të tjerët qetësoj për tu ndier e qetë…
Urrejtjes, pelhinin ia ëmbëlsoj
Në sy e shoh, pa frikë e buzagaz
Mëkoj dashuri, nuk ushqej maraz
Gjithkujt s’i jepem ,vetvetes i përkas !

 

DIMËR DASHURIE

I harrova sytë e tu
Buzët e tua
Aromën tënde…
Strukur diku më rri
në një mendim
që frikë ka ngricën e harrimit…
Fjalët pikojnë nga buza
në kallama akulli kthehen
pa mbërritur tek ti…
I lutem Shkurtit
të mos ma shkurtojë shpresën
të mos ma zbehë ëndrrën
mos ma ftohë dëshirën…
Marsi i largët premton
Sythë shpirti hukas me frymë
Përreth akoma brymë…

 

POSTFESTË NË KAFE..

I shtrydhën njerëzit gjithë urimet
Nga kompjuterat dhe mendjet, deri në lodhje
I vollën gjithë dëshirat nga stomakët e prishur
Helmuar nga sasia e mostretur e pamundësive.
Zbritën nga maja e mullarit të ëndrrave syhapur
Hodhën hapat e parë,si fëmijë motakë duke u lëkundur
me shpresa shtrënguar si ushkurë pas trupit
për të mbajtur ekuilibrin e humbur nga vezullimet festive…
Rregulluan pulsin,tensionin,sheqerin në gjak
Që edhe me tepri në tryezat familjare
Nuk e mundi dot zeherin global…
Njerëzit të siguruar falas në kompaninë”jetë qeni”
Numërojnë monedhat e mbetur në kuletë nga festa
Sikur duan ta gjejnë aty enigmën
Sa u ka mbetur të jenë ende njerëz…
Disertacioni “një kafe”
Për tu shfryrë e për relaks mbetet
pavarësisht gjithçkaje
Më i preferuari , ende në fuqi…
Njerëzit me këmbë të ngulura fort në tokë
Një vit më të vjetër në rininë e stërzgjatur
I gëzohen rishtas përditëshmërisë
Dhe atij që s’është më “I RI “

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s