Poezi nga Sokrat Habili

Sokrat habilaj

Poezi nga Sokrat Habili

 

…tani

…tani që malli për ty, nuk është mall,
po liqen i thellë që shtrihet i pafund,
e vetja më duket si një shelg përball,
që në vend të fjalëve gjethet i tundë,

…tani që unë duhet të të ruaj si pellg,
e sa më jepet rasti pa lidhje nis e qaj,
jo se dua të bëj ritin si bën çdo shelg,
po nëse shteron, s’di ç’të bëj pastaj,

…tani që e kam bindjen se është loti,
që s’më lë të bëhem kërcu, si eshkë,
dhe ty të mburrem se jam kaq i zoti,
të të ngre dallgët, kreshtë më kreshtë,

…tani për ty, si çarçaf i shtroj gjethet,
e lotët e mi, në grua i ktheva për pak,
mallkoj liqenet, mallkoj dhe shelgjet,
shfaqu mall si ti, të mos flas përçart!

 

E FSHEHTA IME

Rrëzomi ti muret e shpirtit, gur pas guri,
Nëse s’më ke njohur ende, në çdo skutë.
Unë do ta mbys sedrën time prej burri,
Ndoshta ishte malli,që muret m’i ndukë.

Ndoshta kush e di, tani s’më zë as besë,
Ndoshta ke edhe teka, si të gjitha gratë.
A ndoshta kërkon një grimcë a një pjesë,
Ndoshta merakun, nuk do ta lësh jashtë.

Po ndoshta dhe mua, më mendon si vetja,
Dhe më gërmon thellë, ku struket sekreti.
Burrat dhe kyçur, kanë germa të thjeshta,
Gratë edhe kur hapen, si lexon, as dreqi.

Muret m’i përmbysë, s’ke pse e bënë dy,
Se brenda do gjesh një emër që ta fsheh.
Dhe po nuk e kuptove se ç’mister ka aty,
Gjithë mallin që kishe, ktheje në kube.

Ikë pra, ikë pa menduar, malleve të tjerë,
Dhe pse unë e tund një shami të bardhë.
E në të sjellë udha,kthehesh dhe njëherë,
Ku më le kur ike, do gjesh një gërmadhë.

Preki ata gurë, kanë veshë, kanë edhe zë,
Preki se do thonë, një tingull, a shkronjë.
Ç’të rrinin në këmbë kur s’fshehin asgjë,
Sa të kishin brenda, u mbajtën me thonj.

 

Ti po më humbet

Ti po më humbet, por jo menjëherë,
Pak e nga pak, a ndoshta me grimca.
E duke më kthyer në një lis të mjerë,
Që rrëzon mbi baltë gjethet e trishta.

Ti po më humbet, po më humb pa zë
Ndërsa ndezim sherre, çast pas çasti.
Ti po më humbet dhe s’kupton asgjë,
As të më qash mua,s’do të jepet rasti.

Ti po më humbet si humbje pa lidhje,
Por vdekja, nuk di të ndahet në pjesë.
E kur të kujtohesh për fytyrën time,
Do gjesh një kufomë, shqyer në mes.

Ti po më humbet, pse më humb kështu,
Unë e dua vdekjen të më ketë dhe nur?
Pse më kthen nga lis, në një copëz dru,
Pse po ma heq shansin, të iki si burrë!?

Ti po më humbet, si një cung mbi tokë,
Gjej humbje tjetër, mos ndihesh me faj.
Si lisit sëpatën, futma thellë në kockë,
Të shembem përdhe, po deshe më qaj!

 

Dhimbja jote

Ti ke pasur dhimbje në shpirt, sa herë,
E nëse unë dhimbjet, nuk t’i ndala dot.
Shpesh lotin tim,s’e kam lënë të bjerë,
Dhimbje si të tuat,ka pa fund kjo botë.

E thashë se dhimbjet, mbase jo të gjitha,
Pa dyshim, që diku u shfaqën më herët.
E thashë se ndodhë që zemrat e brishta,
Harrojnë veten e dhembin për të tjerët.

E thashë se kur bota, do rënkonte:-Ah,
Dhe rënkimi yt, tretet në pjesë-pjesë.
Po ç’të bëj tani, s’të bëhem dot krah,
E dhimbjet e trupit, t’i kishim në mes!?

Po ç’të bëj tani, të marrë pjesë prej saj,
Se janë tjetër gjë, dhimbjet që ka bota!?
Dhe të çburrërohem, lotët më s’i mbaj,
Paska një dhimbje, që është veç jotja!

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s