“Sytë e errësirës” dhe jeta e një gruaje ( …..talentit të lindur të Mimoza Bicit ) / Nga Agim PIPA

“Sytë e errësirës” dhe jeta e një gruaje

 

14192156_10206759751780303_8220527494936668306_n

Nga Agim PIPA

…..talentit të lindur të Mimoza Bicit

Jeta e një gruaje në dy kohë; kurthet e tmerrshme dhe banale të meshkujve haluçinantë, që, si fantazma, përkundrejt çmimit potencial të kundërshtisë femërore, mësyjnë të asgjesojnë veprën e tyre të turpshme, përmes asgjesimit të një femre, që di të luftojë në tokën ekzistencialiste të ferrit komunist dhe atë të tranzicionit kaotik shqiptar.
Ky do të ishte përcaktimi i shpejtë dhe i hapur, mbi romanin “Sytë e errësirës” të autores Mimoza Bici. Tek e cila, mijra femra shqiptare, dhe po të shkonim edhe më tej kufijve të një vendi të vogël ballkanik, si Shqipëria, mijra femra e gra kosovare, maqedone, boshnjake, qipriote, turke, spanjolle, irlandeze, meksikane a indiane, kanë vendosur të çlirohen nga e djeshmja e hidhur dhe e sotmja prangosëse, përmes triumfit të arsyes; përmes triumfit të ndijimeve të tyre paqedashëse, punëdashëse, përmes shpërthimit të energjive potenciale të pakrahasueshme mendore dhe intelektuale, sasiore dhe cilësore; përmes dashurive të tyre të mëdha dhe në ekuivalencë të plotë me boshtin e jetës, ku vendin kryesor e zenë: njeriu, liria, dashuria, familja. Në pjesën dërrmuese të romanit, ajo që të mban mbërthyer në zhvillimin e ngjarjeve, në zhvillimin e konflikteve dhe fundin e tyre me një pozitivitet brilant në favor të përsonazhit kryesor, është filozofia e ekzistencializmit: mbijetesa, në emër të jetës.


15727015_10202525066523794_3627667120033886404_n

Mimoza Bici

* * *

Ngjarjet zhvillohen në Shqipëri. Në dy kohë. Para dhe pas lindjes së “Krishtit” të lirisë shqiptare: në diktaturë dhe në demokraci. Marita, një vajzë që sapo ka dalë nga adoleshenca e saj e bardhë, krejt e pastër, e virgjër, e dashuruar me ajrin dhe qiellin, me tokën dhe me ëndërrat e saj, vjen nga një familje e thjeshtë e shtresës së mesme, por me origjinë fshatare. Ajo ka lindur, si mijra fëmijë të tjerë të Shqipërisë, në një prej rrathëve të Ferrit komunist: në qytezën e vogël, të cilën autorja, në mënyrë simbolike e ka quajtur Qyteti “Vulëhumbur”. Një qytet i mbushur me paradokse nga më absurdet. Ku, në dukje të parë, jeta rrjedh e qetë, nga mëngjesi deri vonë, në mesnatë. Qytet i vogël provincial. Me të fshehta dhe sipërfaqe të ashpra. Me lagje, rrugë dhe sheshe të vegjël dhe me instutucione shtetërore, që u ngjajnë meduzave të zeza. Me një fabrikë, a punishte të vogël, ku ekzistenca shfaqet e bindur ndaj diktatit të përbindëshit të egër komunist. Dhe, nëse unë flas për ekzistencën dhe bashkëjetesën e pak mijë banorëve të kësaj qyteze me diktaturën, do të guxoja të bëj edhe një krahasim. Qyteti, ku i vendos ngjarjet në pjesën e parë të romanit autorja Bici, gjithashtu në mënyrë simbolike, është një kamp i fëlliqur përqendrimi, edhe pse i hapur dhe pa tela me gjëmba rretheqark tij. Ku, njëlloj si në kohën e nazizmit, shfarosen jo materie dhe qenie fizike, por materie dhe qënie shpirtërore. Në kampin e përqëndrimit me ermrin Vulëhumbur, diktatura shfaros pa mëshirë në furrat e policisë dhe administratës komuniste, shpirtrat e njerëzve, që i ka vendosur aty pas “mëkateve” të rënda kundër sistemit komunist. Njerëz të ndershëm, që kanë guxuar të mendojnë ndryshe nga lidershipi diktatorial. Njerëz, që kanë guxuar të flasin për botën përtej kufijve të “kështjellës dhe parajsës komuniste”, njerëz që duan një jetë ndryshe, janë ndëshkuar të jetojnë e punojnë aty, për të shlyer fajet dhe për të qenë përjetësisht skllevër, në kampin e përqëndrimit me emrin “Vulëhumbur”. Në këtë klimë, pothuajse vetasgjesuese nga pikpamja soc-psikologjike, ka lindur dhe jeton me familjen e saj Marita 18 vjeçare. Një vajzë, që sapo ka mbaruar gjimnazin dhe, krejt befasisht, për shkak të bukurisë së saj engjëllore, ndërsa i është nënshtruar fatit dhe punon në një kudhër industriale të Ferrit komunist, e sheh vehten e saj ballpërballë me bishën, me djallin, siç e quan autorja: me një njeri që i ka vënë syrin dhe kërkon të martohet me të, duke i ngritur një kurth, që ja kanë zili edhe gjahtarët dhe snajperët më të mirë të xhunglave
afrikane. Ismeti, një mesoburrë 30 vjeçar, pinjoll i një familjeje me pushtet në qytezën – kamp përqëndrimi, zgjat dorën e zezë mbi trëndafilin e kuq të jetës së Maritës. Që ende s’e ka kapërcyer prakun e qytezës së saj Vulëhumbur. Që ende nuk ka lexuar një roman nga Remarku dhe nuk ja ka idenë, cilat janë 7 mrekullitë e botës, përtej qytezës së saj të izoluar, prej diktaturës së egër komuniste. Marita është një vajzë e thjeshtë, që ende nuk e di ç’është dashuria. Që ende s’e di ç’është prekja, puthja dhe përqafimi. Që ende s’i ka çelur ëndrra e të qënit nënë. Që nuk ka dashuruar asnjëherë dhe dashurinë e quan po aq të shënjtë, sa jetën e saj; po aq të shënjtë, sa ëndrrën e saj prej vajze. Opinioni i mbyllur i qytezës dhe drama e parë, e kanë trembur përfundimisht dhe ajo nuk ka besim më tek lidhja në çift. Edhe pse thellë, në zemër, ka nisur të ndjejë rrahjet e para të zemrës, për shkak të dashurisë që po lind.

15941036_10210066460851676_888850061221298053_n

Sytë e errësirës

* * *
Në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar ngjarjet në Shqipëri trondisin themelet e diktaturës dhe në vend, pas revolucionit popullor kundër saj, vjen demokracia. Familja e Maritës le pas kampin e përqëndrimit në Vulëhumbur dhe vjen në Tiranë, për një jetë më të mirë. Shpejt vendi futet në kaos për shkak të politikave të gabuara ekonomike dhe njerëzit e thjeshtë, të tradhëtuar nga politika, kalojnë në anarki të plotë dhe gati gati një prej dramave më të mëdha në historinë e popullit. Pikërisht në këtë klimë, familja e Maritës mer me qera një apartament. Vajza zë punë në një kompani private dhe, mes tymit dhe flakës së Shqipërisë së djegur, martohet me një njeri të thjeshtë: me Rifatin. Një inxhinjer pasionant dhe tepër korrekt në marëdhënie me gruan, familjen dhe punën. Nga martesa e tyre lind një djalë, Majli dhe jeta në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, pas disa vjetësh, i rikthehet normalitetit. Por, duke hapur një plagë të re në familjen e Maritës, që ka ardhur nga provinca dhe jeton tash në Tiranë.
Por, unë dua të ndalem tek arti i fjalës, i logjikës, i stilit, i karizmës, i filozofisë dhe poezisë së sjellë në disa raste në prozë-romanin e saj, si mjete stilistike në funksion të idesë dhe perceptimeve psiko-artistike të autores Mimoza Bici. E cila, në romanin e saj “Sytë e errësirës” dëshmon se është talent, në gjurmë të mjaft shkrimtarëve të njohur në Shqipëri dhe jasht saj. Se ajo është një shkrimtare krejt e veçantë, edhe pse e pabujshme dhe e paevidentuar siç duhet, nga ajo pak gazetari në shërbim të artit dhe letrave në vendin tonë.
Mahnitëse në roman, në përdorimin e fjalës dhe zbërthimin e gjendjes emocionale të personazhit kryesor, Maritës, monologu i brendshëm i Maritës me vehten e saj. Mahnitëse, deri në asociacionet që të kujtojnë se, ndërsa ajo arsyeton mbi ngjarjet e ditës, të familjes, të njerëzve që e rrethojnë, e shantazhojnë, e stresojnë, lodhin por nuk e mposhtin dot, të duket sikur lexon Zarathustrën e Nices. Marita, si zëdhënëse e ndërgjegjes dhe vetëdijes krijuese të autores Mimoza Bici, ka forcë fjale. Ka forcë dhe logjikë të hekurt; bën analizë sintetike të ngjarjeve, që e trondisin thellë një femër dhe jetën e saj të kërcënuar nga mishngrënës të fshehtë jetësh njerëzore, që bëjnë dashuri me vdekjen dhe fshihen pas krahëve të saj, si korba të zinj. Ngjarjet e sjella në roman, të kujtojnë skenat e teatrit modern dhe ekzistencialist të Samuel Beketit, tek “Duke pritur Godonë”. Të kujtojnë filmat e Federico Felinit të famshëm Italian, ku personazhet, gjysëm në gjumë dhe në ëndërr e gjysëmzgjuar, japin e marin me njëri tjetrin në një grotesk të pafundm sfondesh sociale, politike dhe psikologjike. Hijet e jetës dhe të vdekjes luftojnë me njëra tjetrën. Energjia pozitive e mposht energjinë negative dhe fryma e mund pushimin e jetës. Janë krejt origjinale dhe të pakopjueshme seritë e monologjeve, që bartin një ngarkesë të jashtzakonshme emocionale, filozofike dhe artistike dhe që të bëjnë të mos e lëshosh dot librin nga dora dhe ta falënderosh autoren për guximin, mprehtësinë, mençurinë, fantazinë, frymëzimin, kurajon, këmbënguljen për t’i shkuar ngjarjes dhe analizës, deri në fund, deri në gërmën e fundit, deri në shfaqjen e dritës dhe triumfin e saj mbi errësirën; të betejës të së mirës me të keqen, me përfundim fitoren e së drejtës dhe të së mirës; të ngadhnjimit të së bukurës së shpirtit të dlirë të një femre mbi të shëmtuarën e meshkujve, që ajo të bën të besosh, përmes krahasimesh dhe limfash emocionale të fjalës, se ata janë lindur prej barkut të djallit.
Nuk do të merem shumë gjatë me analizën e fenomenit Bici në prozë, për të cilën jam i sigurt, se shumë shpejt do të përthithet në libraritë tona dhe në ato mjedise, ku autorja do të mund ta shpërndajë librin, pasi ta ketë përkthyer, pse jo, edhe në disa gjuhë të tjera të huaja. Por i sigurt jam se, ky roman, i ngjan një pasqyre të bukur e të madhe, ku mijra, qindramijë lexues, femrat sidomos, do të mund të shohin në zhivën e saj të lëmuar vehten e tyre. Triumf? Sigurisht që po. Falë talentit të lindur të Mimoza Bicit. Falë modestisë, dhimbjes dhe gëzimit, që autorja ka njohur në jetën e saj dhe në jetën e mijra grave shqiptare. Që e jetuan jetën, ashtu si ajo, në dy kohë: nën diktaturë dhe nën kaosin e demokracisë së brishtë, në një vend ende të pazhvilluar në jugperëndim të gadishullit ballkanik.
Merini mendimet e mia për romanin “Sytë e errësirës” të Mimoza Bicit, si një qiri të ndezur jo në mbrëmje, por në mëngjesin e një dite të zakonshme. Shkoni me të në bodrumet e ditës dhe, pasi të jeni takuar aty me Diogjenin e lashtë grek, udhëtoni bashkë me të për të gjetur Njeriun. Gjysma e të cilit është në romanin e lartpërmendur, dhe quhet Marita!
Faleminderit, për gjithçka më dhe me këtë roman, e nderuar Mimoza!

4 dhjetor, 2013

Nga Agim PIPA

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s