“Pirueta” të një diplomati” – “Dritë-hijet” e një diplomati” të Agron Alibalit / Nga: Përparim Hysi

“Pirueta” të një diplomati”

 “Dritë-hijet” e një diplomati” të Agron Alibalit.

 

Perparim hysi

Nga: Përparim  Hysi

Me ftesë të botuesit Mehmet Gëzhilli, ditën e premte, më 16 dhjetor, isha në promovimin e librit të Agron Alibalit “Dritë-hijet e një diplomati”. Promovimi u  bë në një nga sallat e Bibliotekës Kombëtare. Pjesëmarrja qe pak si unike: qenë  njerëz me intregitet, paksa të “rëndë”: intelektualë që me penën e tyre kanë lënë dha vazhdojnë të lënë gjurmë në fushën  e letrave.

Në panelin drejtues, veç botuesit, Mehmet Gëzhilli, kishin zënë vend, drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, zonja Persida Asllani; Profesor-doktor, Pëllumb Xhufi dhe Profesor-doktor, Aleks  Luarasi. Veç panelit, promovimin e nderonin me pjesëmarrjen e tyre dhe ish-Presidenti,Alfred Moisiu; Profesor Nasho Jorgaqi, Profesor Xhevat Lloshi dhe  persona të tjerë me tituj shkencorë, të cilëve, pa dyshim, ju kërkoj falje që, nëse nuk i  lakoj, është veç nga mosnjohja ime.

*    *    *

Promovimin e hapi zonja Asllani, e cila, duke folur në “vija të trasha”, mes tjerash, falnderoj dhe  autorin për punën e madhe voluminoze dhe aq cilësore, por, në të njëjtën kohë, edhe botuesin, zotin Gëzhilli që në një kohë rekord, ia  arriti që të botojë këtë libër, kur në 17 dhjetor është 74-vjetori i vdekjes  të FAIK KONICËS.

Pas fjalës së Zonjës Asllani, foli Profesor-doktor,Pëlumb Xhufi që, si të thuash, hodhi “kripën me karar” mbi gjithë atë punë aq hulumtuese të Agron Alibalit që, me një vullnet prej titani, nuk la bibliotekë të Amerikës, pa gërmuar dhe arriti të japë të plotë një diplomat aq “karizmatik”, sa ç’ka qenë, në të vërtetë, FAIK KONICA!

Po me kërshëri u dëgjua ligjërata e Profesor-Doktor Aleks Luarasit. Tek dëgjoje këta ligjërues, edhe po  të mos kishe dëgjuar kurrë për një diplomat me karizmën e Faik Konicës, tashmë kishe marrë një informacion të bollshëm për të dhe ishe në gjendje që këto “dije” të përfituara, aty për aty, t’ua transmetoje dhe të tjerëve.

Në gjithë këtë promovim, pak më tepër se “bum”, bëri fjala e botuesit,Mehmet Gëzhilli. Ky para auditorit, u paraqit jo vetëm si një botues dhe aq. Jo. Përkundrazi. Kishte sjell me vete dhe i tregoi auditorit,  diplomën e tij të vitit 1975, kur udhëheqës diplome kishte patur, të ndjerin,ISUF ALIBALI! Ky, ISUF ALIBALI, nuk ka qenë askush tjetër, por gazetar me emër ( më duket dhe jurist me profesion), të cilin, diktatura e internoi dhe e masakroi me gjithë familje. Nuk kishte përkim më të bukur: ish-studenti, Mehmet Gëzhilli, i paguan “doganën”,  Profesorit të tij të ndjerë, duke u bërë promotor si botues, për librin e të birit,Agron Alibali.

Se ç’punë voluminoze ka bërë Agron Alibali, e tregoi vet autori, kur mori fjalën e tij, përshëndetëse. Vetëm përciptas tregoi atë “kalvarin” e familjes që u internua sa në fshatrat e Beratit e sa në ato të Gjirokastrës. Nuk kishe se si mos rrënqetheshe, kur autori tregoi  se”… nuk e linin të vazhdonte shkollën e mesme dhe, kur gjyshi më mori për ta vazhduar, asnjë nga bashkëshokët a bashkëshoqet e shkollës nuk më fliste me gojë. Kur hodhi sytë nga plateja, pa që qëndronte në këmbë një zonjë:- E vetmja,- tha autori,- që nuk ma ndau përshëndetjen qe kjo. “Kjo” qe as më pak dhe as më shumë, por Zonja Rina Domi ( gjithmonë kërkoj falje, nëse nuk e nominoj drejt, është veç fal kujtesës të një të moshuari si unë) që, për çudi,ishte nënëdrejtoresha e Bibliotekës Kombëtare. Pa dyshim, përkime të bukura dhe emocionale.

Autori, mandej, tregoi gjithë atë punë skrupuloze (më duket 12-vjeçare), duke ndjkeur gjurmët e një diplomati si Faik Konica. Në libër ai nuk është treguar subjektiv, por e ka dhënë FAIK KONICËN, ashtu të ditur dhe shumë “qibar” dhe, nga ana tjetër, paksa kontravers në mardhënie me kolegë dhe, po kështu, si diplomat që i shërbeu shtetit shqiptar nga viti 1926 e deri në vitin 1939, kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.

Natyrisht,  unë nuk jam në gjendje që të pasqyroj gjithshka paraqiti autori në auditor, por një gjë di ta them me siguri:

Libri “Dritë-hijet” e një diplomati është si të thuash, pasqyra me dimesione më të mëdha, kur Faik Konica shihet si në një “kaleidokop” me të gjithë avantazhet intelektuale (ai qe nga të rrallët si njeri i ditur), por, në të njëjtën kohë dhe në”piruetat” në çdo fushë të jetës së tij.

Një emocion  sa të dhimbshëm dhe aq të bukur në promovim, dha dhe nëna e autorit, ZONJA FISNIKE,ADIVIE ALIBALI alias MAMICA e njohur nga gjithë ata që kanë parë filmin “Skënderbeu”. Ajo tregoi se jo vetëm e kishte nxitur të birin për të shkruar këtë  vepër me kaq vlerë, por ishte bërë”shoqëruesja” e tij në sa e sa udhëtime, për të bërë sa më të plotë figurën e Faik Konicës. Ajo tha se ishte krenare për djemtë e saj dhe, pa dyshim, theksin e vuri tek puna me aq përkushtim e të birit që, më së fundi, e nxori në dritë.

Por, siç  mendoj unë, më duket se pikat mbi i për këtë libër, sado që foli nga plateja, sikur i vuri Profesor Xhevat Lloshi që, si të thuash, bëri  anamnezën e këtij libri. Unë këtë libër,- tha Profesori,- nuk e kam lexuar, por ky është “libër tavoline” dhe atje do ta mbaj, që, sa herë të më duhet, të ulem dhe ta shfletoj.

Këto janë veç ca përshtypje të mia, por që të flasësh për Faik Konicën nuk është as e lehtë. Është, në përshtypjen time, sigurisht, më kontraversi: herë- herë të lë përshtypjen (flas për karakterin) e ujit që merr formën e enës ku e hedh. Veç ta shikosh në qëndrimin që mban me shokët e një ideali (edhe idealin e ndërron) apo dhe në mardhëniet me shtetin apo dikasterin nga varet, gjithmonë pretendon që t’u imponohet dhe të hiqet ZOT! Askush nuk duhet të “pipëtijë” para tij dhe,ç’nxjerrë nga goja apo nga pena e tij, kanë vlerën e një aksiome. Loz “arushë” me ministrinë  e jashtme, me presidentin dhe deri kur ai u bë mbret. Raportet, pothuaj, të diktuara nga “ZOTI”. I vetmi diplomat në botë, historikisht, që për godinë amabasade, mban  dhoma në hotel që paguhen nga shteti shqiptar, sa frëngu pulën. Loz me financat dhe gjithmonë e vërtit “kandarin” nga xhepi i tij.

Raportet me kolegët ku e ku, pothuaj , që ta shtarin. Deri letër FBI kundër NOL “bolshevikut”, për mos vazhduar  me të tjerë. Dhe nëse ndjek gjithë dinamikën e tij, s’ke se  si mos”alarmohesh” nga  ajo që vjell, për Ismail Qemalin, vëllezërit Frashëri( sidomos për Naimin) dhe nga goja e tij, edhe kur ka  thënë ndonjë fjalë të mirë, nuk e ka për gjë fare që ta anatemoj. Shpesh, tek shkruaj për Faik Konicën, më duket i ngjashëm me Oskar Waldin. Ky më duket në një pikë doganore,sikur tha:- Po ju lë gjeninë time!!!

*    *   *

Sido që është kaq kontravers, askush nuk mund të hedh poshtë meritat e tij që, kur i vë në kandar,  heq ato “kapërdisjet” që ia prishnin karizmën dhe mbetin se sa ka bërë për Atdheun, përmjet “Vatrës”,”Diellët” apo “Albania dhe, tek qëron egjërën nga gruri, ai mbetet karizmatik.

Të vjen mirë që, më së fundi, u zbuluan dhe dy romane të shkruara nga ai. Ai e la me gojën e tij që” … biblioteka e tij, t’i falej BIbliotekës Kombëtare dhe, sado e cunguar, për bën një “Fond me vlerë” të Bibliotekës. Natyrisht, meritë e madhe, i takon AGRON ALIBALIT që, ende, është në kërkim të “fondit” të pagjetur akoma.

*    *   *

Unë e dua Faik Konicën dhe, ngaqë e dua, qysh në librin tim të parë “Regtimat e dashurisë”, në “kolonën” “Njerëz që kam dashur dhe dua”, kam shkruar një poezi të thjeshtë për të. Libri është botuar në vitin 2000 dhe poezia është në faqen 173. E kam shkruar më 25 prill 1996. Përfitoj nga rasti dhe po e sjell për lexuesin.

Faik Konicës
 
Burrë i ditur, i dëgjuar
Je paksa enigmatik
Falem sot para teje
Diplomat karizmatik.
 
Brodha shumë për të gjetur
(50-vjet të kam kërkuar?!!!)
Kurrë nuk ke për të vdekur
(Kë vallë kishe “lënduar?!”)
 
Kutj i bënte hije emri
Vepra jote aq e çmuar
“Shqipëria- një copë shkëmb”
Historinë e ka “trazuar”
 
Pse i lije punët gjysëm?
Ç’demon të ndiqte nga pas?
O i madhi i Letrave SHqip
Fjala jote-gurelmaz.
 
Pak, të pëlqente vetmia
Pothuaj ishe një bohem
Por gjithmonë SHQIPËRIA
Qe ilaç e qe melhem.
 
Ndaj i hoqe lekët e rrugës
Ndaj i le me testament:
-Trupi yt, o BURRË I SHQUAR,
Në Atdhe, prehet i qetë.

 

 

Dhe tani, pas pesëdhjetë vjetësh

ATDHETAR! Fli i qetë!

Ne të kemi ms nesh

U plotësua një amanet.

 

Fier, 25 prill 1996.

 

Duke i mbyllur këto përshtypje të mia, sa më vjen mirë për këtë vepër me vlerë të studiosit skrupuloz,zotit AGRON ALIBALI, aq jam mbushur shpresë se hulumtimet e tij do vazhdojnë dhe do të zbulojë të tjerë “thesarë” nga “miniera” made in FAIK KONICA!

Tiranë, 19 dhjetro 2016

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s