ROMAN I SHPALIMIT TË FSHEHTËSIVE MË TË THELLA SHPIRTËRORE[1] / Nga: Natasha Xhelili

ROMAN I SHPALIMIT TË FSHEHTËSIVE MË TË THELLA SHPIRTËRORE[1]

 

natasha Xhelili

Nga: Natasha Xhelili

Duke cituar Lesingun: “Vlera e njeriut nuk qëndron tek e vërteta që zotëron ai, apo që pandeh se e zotëron, por te përpjekjet e çiltra që bën duke e kërkuar atë” Anton Nikë Berisha parapërgatit për  atë çka do të trajtohet  në  romanin “Gjin Bardhela i arbëresh, Etja e gurëzuar”.

Kërkimi është në qendër të romanit. Kërkimi i diçkaje, të cilën Gjin Bardhela nuk e ka arritur gjithë jetën, por e ndjen se e ka afër dhe mund t’ia dalë. Përpjeket për të zbuluar kuptimin e jetës kur ndjen dorën e vdekjes që kërkon ta gllabërojë. Është ëndrra e mbrame që shpreh ekzistencën e tij.

I vendosur në mjediset e arbëreshëve të Italisë, i veshur me fjalën shqipe që gjallon atje edhe pas më shumë se pesëqind vjetësh, i frymëzuar nga çështje të mëdha filozofike si jeta dhe vdekja, romani merr përsipër shumë detyra njëherësh duke u bërë zëdhënës i denjë i mendimit të autorit që denjësisht do ta ketë emrin e vet në letërsinë shqipe. Atje, në brigjet e Lumit të Madh, në jehonën e gurgullimës së tij, kur reja e dendur e muzgut të mugët i zë frymën katundit të Maqit, Gjin Bardhela e ndjen vdekjen afër. Këndvështrimi për jetën merr tjetër pamje. Menjëherë i shkon mendja te ritet, hap sëndukun ku gjenden rrobat  që do t’ia veshin kur të vdesë, por e kupton se nuk mund t’i veshë më parë. Mbledh fuqitë e fundit dhe del jashtë. Vështron nga dritësoren e fqinjës së bukur; endet sa në katund, në varreza, sa në ëndërr në zhgjëndërr, sa në jetë, në pasjetë, në historinë e afërt e të largët. Gjithandej kërkon; kërkon të dijë sa më shumë për popullin dhe historinë e tij, për kulturën dhe zakonet, për ritet e bestytnitë dhe kupton se e ka shpirtin plot. Dilemat e tij të plagosura sikur shërohen. Atje në viset e largëta nga atdheu mëmë, arbëreshët kishin arritur të krijonin atdheun  duke mbjellë dheun e sjellë nga të parët e tyre.

Shpirti i tij e fiton betejën e parë me vdekjen duke e jetuar ditën e mbrame, vërtet si të tillë në jetën e tij. Ky fakt i jep mundësi autorit të shfaqë dijen e tij të madhe, duke e shprehur atë me një figurshmëri të admirueshme. Romani ngjiz dhe pëbërës të folklorit të përzgjedhur që gjallon në trojet e arbëreshëve të Italisë, edhe histori ku vërtiten legjendat, edhe trashëgimi që u ka mbijetuar kohëve, edhe imagjinatë që shkon në varreza për të njohur e qarë hallet e të vdekurve e plagët e tyre, edhe bestytni që shëron trupat që lëngojnë në pamundësinë për të hapur siparin e jetës së tyre.

Sapo e shpëton nga thonjtë e mëngjestë të paravdekjes, autori e çon Gjinin te dritësorja e fqinjës që i bën të lumtur burrat e katundit, duke ndërtuar kontrastin e madh mes çasteve kur kërkon të vesh rrobat e vdekjes dhe dëshirës së madhe që ndjen për të. Odiseja e ditës së fundit shpalos shpirtin dhe dijen e Gjinit. Jeta e tij parakalon si një përfytyrim, si të ishte një flutur maji që jetonte vetëm një ditë. Njohim gjithçka rreth tij duke e ndjekur në odisenë që përjetohet deri në kulmimet më të largëta të jetës së tij. Gjini vazhdon rrugën e vet si një Sizif i dënuar të zhvendosë gurin për ta çuar në majë që pastaj ta kthejë përsëri në vendin e mëparshëm.

anton-berisha-840x420

Prof. Anton Nikë Berisha

Udhëtimi i fundit i Gjinit në katundin e vet (e jo vetëm aty) është shoqëruar nga një përshkrim i hollësishëm i mjedisit që, nga këndvështrimi i personazhit, merr përmasa magjike. Mitet e lashta, legjendat e rralla, gojëdhënat sillen si gjakim i pamohueshëm i ekzistencës. Ritregimi i tyre me një fjalesë të veçantë duke i qëndruar besnik përmbajtjes fiton një realje të re, madje guxon dhe shkon më tej duke vëzhguar çështje që kërkojnë shpjegime që turren si pyetje retorike dhe gjithkush jep përgjigjen e vet. I mëshohet faktit se këto nuk janë thjesht krijime nga tradita, por mbartin brenda tyre filozofinë e ekzistencës.

Rrëfimtari e ndjek hap pas hapi protagonistin dhe herë – herë shkrihet me të duke zhbiruar në mendimet më të thella e të fshehta. Bëhet bashkëbisedues për të shprehur dyshimet dhe lëkundjet njerëzore të personazhit, bëhet bashkudhëtar i tij duke i qëndruar afër në çaste të mbrame, në të cilat vetmia mund shpirtin më të dlirë. Autori nuk ngutet ta perëndojë jetën e personazhit të vet pa i dhënë mundësinë të deklamojë para së gjithash disa nga gjërat më kuptimplote të jetës, ato penelata që kanë ngjyrosur shpirtin e një personazh që do të jetojë gjatë në mendjen e lexuesit. Pas një dite të tillë të tejmbushur  me përjetime, sa konkrete aq dhe pasionante, në të cilat lexuesi zhytet thellë e më thellë duke harruar se kjo është dita e fundit, Gjini nuk i shmanget dot fatalitetit që shoqëron qënien njerëzore.“Te dera e shtëpisë bëri kryq dhe e puthi pragun. Dy lot i rodhën nëpër faqe dhe i rrëshqitën në drurin e brerë nga motet, aty ku pak më parë kishte rrëshqitur roja e shtëpisë.”

I dorëzuar në pafundësinë e kaltërsisë së detit, me lopatat që i rremon deri në çastin e fundit, me shpirtin e dorëzuar në kthetrat e natës, me etjen për jetë që i ngrin në buzë, Gjin Bardhela rreshtohet ndër personazhet që luftojnë kundër fatit të tyre që nga antikiteti deri në kohët e sotme. Ai nuk e harron premtimin e dhënë: “Dejt, o dejti im! Jeta ime e vogël të qoftë falë, të qoftë falë trupi im: gjaku, mishi dhe eshtrat e mi! Me to do të ushqehen fëmijët e tu. Edhe shpirtin ta fal ty, edhe pse thonë se ai nuk i nënshtrohet vullnetit të vdekatarit dhe shkon për t’u prehur lart…”.

Retardimet e shumta të ndërfutura në vepër, cilësi kjo e veprave të mëdha epike, nuk e prishin aspak karakterin lirik që fiton vepra falë përshkrimeve iluminante që kurorëzohen me një stil  të ngjeshur me figuracion që do të ishte i denjë për çdo poezi. Ato futën në vepër në formën e legjendave që jetojnë të gjalla, më të bukura se kurrë, në formën e historive të ritreguara me mjeshtëri të lartë artistike duke fituar vlera të reja, në formën e besimeve popullore arbëreshe të mbartura nga trungu mëmë që u ruajtën me fanatizëm e besnikëri si thesare të paçmuara që sot gjallojnë dhe flamurojnë prejardhjen e tyre. Me gjithë përdorimet e shumta të “vonesave artistike” fundi është i pashmangshëm, kjo është ideja që autori përcjell me butësi shpirtërore.

Larmia e të shprehurit në vepër prish monotoninë dhe bën të mundur shpalosjen e vlerave të një vepre të realizuar në të gjitha drejtimet.

Vepra gjakon në një periudhë kohore të ngushtë, vetëm një ditë, ka pak ngjarje dhe përpihet gjatë leximit. Autori nuk e ngarkon veprën e vet me shumë personazhe e linja paralele, sjell diçka të thjeshtë në dukje, por pa harruar qëllimin themelor të shkrimit të letërsisë: të kultivojë ndjenja estetike te lexuesi. Temës së vetmisë të personazhit të veprës që e përshkon atë në çdo gemb, autori i kundërvë optimizmin me detajet jetëdhënëse që e veshin veprën me tiparet e realizmit magjik, që ushtrojnë presion mbi zymtësinë që herë-herë pushton shpirtin njerëzor, që çlirojnë gjatë leximit shkëndija që dallohen ashtu si xixëllonjat në natën e errët. “Ndërsa ecte ndiente një vetmi të patreguar. Ajo, si një krahnezë vjeshtore, ia mbulonte fytyrën, shikimin, mendjen. U përpoq ta largonte me dorë, po ajo i futej gjithnjë e më shumë në shpirt dhe e pengonte të ecte më shpejt.”

Personazhi kryesor i ngarkuar me përvojë të gjatë jetësore është i denjë për t’u përballur me personazhet moderne të letërsisë botërore. Përmasat e ecejakeve të tij që duhet të përfaqësonin rrugën e Golgotës, marrin pamjen e rrjedhës jetësore që rreh të bëhet bashkëudhëtare në rrugën e përvetësimit të këtyre tabuve duke shkelur pa frikë në kufijtë e tyre.

Fataliteti i jetës së një njeriut është një çështje e trajtuar herët në letërsi, rikthimi në këtë tematikë ka qenë i gjithhershëm, përpjekjet edhe më të mëdha, zgjidhjet nga më të pamendueshmet, por trajtimi në këtë roman ka veçantinë e vet. Përpos notave fatale më shumë se gjithçka në vepër mbisundon optimizmi, bukuria dhe dashuria.

Autori është kujdesur për secilën fjalë e fjali, ka qëmtuar fjalë e shprehje të rralla të botës arbëreshe, ka përshkruar mjedise, ndjenja e mendime me fjalor të zgjedhur, të pasur  e artistik. Në roman ngërthehen fort jeta e vdekja, midis tyre nuk vendosen kufij. Rrëfimi vazhdon si në katund në varreza, si me njerëz të vdekur e me të gjallë. Kostumet e bukura arbëreshe i veshin sot e mot si kur hedhin valle në shesh të katundit ashtu edhe kur bëjnë rojë në kufij të legjendës në pasjetë, zakonet ruhen me fanatizëm, ato quhen të shenjta, janë relikt i një trashëgimie për të cilën ata jetojnë. Kujtimi dhe shpalosja e pasurisë shpirtërore dhe mbi të gjitha e dashurisë në cilët janë vendosur rrënjët e vazhdimësisë, bëhet për të plotësuar si portretin e Gjinit ashtu edhe të kombit të cilit ai i përket.

Problematika e trajtuar rreth çështjeve të jetës dhe vdekjes, e bën librin jo thjesht një roman artistik, po një vepër ku këto çështje filozofike shpalosën dhe bëhen të pranueshme për të gjitha kohët. Autori i njeh mirë mendësitë që janë shtruar në kohëra rreth këtyre çështjeve, por prapëseprapë qëndron original në mendimin e vet. Nëse Dante Aligeri ecën në rrathët e ferrit apo në qiejt e parajsës, Anton Nikë Berisha nuk e përcakton vendndodhjen e vet. Atij nuk i duhet të trokas në portat e tyre, ai e lejon lexuesin të bëhet aktiv dhe ta përcaktojë vetë vendndodhjen. Kalimi nga njëra gjendje në një tjetër e Gjinit bëhet graduale gjatë një shëtitjeje të fundit në katundin e vet. Çdo përjetim është unik. Vetmia e Gjinit e lejon atë të na shfaqet me dorë në zemër, edhe pse autori e çon atë në gjithë katundin për ta parë atë për herë të fundit, në fakt  është një mendje që deliron sa në jetë, në vdekje, që në vepër janë të njësuara.

Vepra është shkruar nga dora e një mjeshtri që i jep rëndësinë dhe vendin e duhur çdo fjale, çdo detaji. Mjediset arbëreshe krijojnë një atmosferë të dashur. Disa toponime si emri i katundit Maki që është vendlindja e De Radës, apo emri i krojeve, Fjokat, që e ndeshim te “Këngët e Milosaos”, krijojnë një mjedis konkret të vendngjarjeve, po ngjarjet dhe përshkrimi i tyre marrin nota magjike. Pjesëmarrja e personazheve fantastikë që shfaqen si në ritregimin e legjendave ashtu edhe në litarin e gjatë të kujtimeve i japin veprës nota të ëmbla lirike duke mbushur skajet e optimizmit.  “Ndërsa luhatej nëpër valët e kujtimeve, vijoi t’u japë rremave. Ndalimi nënkuptonte ngjizjen me vdekjen.”

Është e vështirë të krijosh një vepër të llojit të gjatë, pa konflikt e personazhe antagoniste, pra te personazhi i vetëm duhet të kërkojmë gjithçka. Në të ngërthehet lufta e jetës me vdekjen, por edhe probleme që gjallojnë kudo në damarët shqiptarë, si problemi i gjakmarrjes për të cilën autori shtjellon ngjarje, më shumë për t’u përqëndruar te akti i madh i faljes të cilin e përshkruan me shumë përgjegjësi, problem i ruajtjes së gjuhës për të cilin shprehet hapur kur e krahason Gjinin me paraardhësit e vet  “Kështu, unë kam mësuar gjuhë të huaja, por kam bjerrë gjuhën time. Kur flas më futen fjalë të huaja ndërmjet, e më dridhet fjalia e mendimi. Edhe disa përbërës të shpirtit, që e cilësuan njeriun e botës sonë, më janë bërë të huaj. Tek im atë ishin të ruajtura mirë. Më thoshte shpesh: Asgjë nuk të ruan nga pakënaqësia më shumë se pasuria shpirtërore ose Lumturia u përket vetëm atyre që i mjaftojnë vetvetes”

Si në një ëndërr të brishtë, një legjendë ushqehet e rritet brenda nesh me pikëpyetjet më të mëdha jetësore, me makthet që zhvillohen sa herë kemi frikë, me hirin që mbetet pas çdo zjarri të madh. Sa vështirë për të gjetur copëzën e krijimit, sa rrugë e gjatë labirinteve të jetës, sa shpresë e vakët drejt përjetësisë! Përveçse është një libër i shkruar me shqipe të pastër; Gjin Bardhela është edhe dora që trazon rrugën e fatit tonë, edhe shembull i vetë zhbirimit në skutat më të thella të njeriut, edhe plagë që ngacmohet vazhdimisht, por mbi të gjitha një udhëtim i gjatë brenda vetes për njohjen më të thellë të saj.

 

Delvinë, tetor 2016

 

[1] Rreth romanit “Gjin Bardhela i arbëresh, etja e gurëzuar” i Anton Nikë Berishës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s