76 VJET PA POETIN KOMBTAR / Nga: Danil GAZULLI dhe Fritz RADOVANI.

76 VJET  PA POETIN KOMBTAR

 

fishta

AT GJERGJ FISHTA O.F.M. (Grafikë nga F.Radovani)

23 TETOR 1870 – 30 DHJETOR 1940

 

Në çdo fushë ku veproi At Fishta, tregoi se ishte gjeniu i pakrahasueshëm, prandaj edhe mundi t’u dilte mbanë sa ndërmarrjeve nga ma të vështirat: prej artit, tek publiçistika, prej gjuhësisë, tek arkitektura, prej arësimit tek muzika, prej humorit tek politika…

Tashma në qytetin e lashtë të kontrasteve të thella, nga dita në ditë konturohej figura shumëplanëshe e fratit 30-vjeçar. Qysh në penelatat e para u duk qartë se veprat e Tij nuk do të ishin përvijime të lëmueta e aq ma pak laramanime orientale, por gjithçka do të ishte e ashpër, diçka dritë hije rembrandiane me tone të forta. Gëte dhe Manxoni, Shën Françesku dhe Da Vinçi, e kishin po fisniknue fytyrën e fratit të ri, por landa mbet ajo që ishte: Shkamb i gjallë hedhë prej vullkanit fuqishëm e të pashuem të shpirtit Shqiptar. Ishin nevojat historike të Atdheut që i diktuen At Fishtës drejtimin e gjithë veprimtarisë së Tij artistike, pedagogjike, publiçistike ashtu edhe në impenjimin e Tij politik.

Lahuta ka në themele shkambij ciklopikë, në dukje pak të pagdhenun, herë-herë arkaikë, por aq të harmonishëm e të natyrëshem, sa të duket se nuk patën nevojë për daltë, por arkitekti e hartoi drejtpërdrejt në masivet e Alpeve, sa të papërsëritshme, aq edhe brilante.

I gjithë universi intelektual i At Fishtës ka pasë si yll polar interesat e Atdheut dhe vetëm interesat e Atdheut, pse në shpirtin e Tij ideja Atdhe ishte ba ideal suprem.

“Petrarka, thotë Ai, …fshan e kjan bihude ndër kangë përnjimend të mrekullueshme, por për Italinë, pak e aspak, megjithëse do të kishte për çka me kja.”

Ja pra, pse At Fishta nuk zgjodhi vargun e lëmuet, po ate të ashprin, vargun e lahutës,  që ata të shkonin drejtpërdrejt në zemrat e atdhetarëve të etun për liri e t’i ndezte flakë me guxim për luftën e këputjes së prangave shekullore, për luften për dije e përparim kombëtar. Kanga e Tij asht një britmë deri në dëshprim, e sa e sa Herojëve që nisen në luftë u thotë:

                        S’ kan shka bajn? Po a thue të desin?

                        T’desin pra, nuk kan shka presin!

Apo:

P’r ‘i grusht eshtna, pashi Zotin,

t’mos korisim Gjergj Kastriotin,

t’mos korisim na sot Hotin

E ban këte, jo për mëni ndaj sllavëve, por, sepse, siç e ka thanë në një intervistë, po të ndodhte e të rihumbëte lirinë Shqipnia, “kishin me plasë dhime sa janë bjeshkët tona.

Si mund të quhet shovenist Poeti i një kombi 12 shekuj nën robni sllave e osmane pse lëshon anatemën ndaj arijëve të bardhë të ardhun prej stepave ruse e që ende guxojnë e na e quejnë sot e kësaj dite Kosovën Martire Serbi e vjetër?!…

Atyne po, u thotë:

 

T’i mësojnë fëmijtë mbas sotit

mos t’ lakmojnë tokës s’ Kastriotit,

se u bjen shtrejt, qe besa e Zotit!

 

At Fishta nuk ngurron t’ i lëshojë namen as Europës në London, në Versajë, pse e la këte dhé të coptuem, prandaj:

 

Me gjith këta, por larg nuk shkon

e me i vra ka rr’feja e Zotit

t’ shtat  mbledhë si janë n’London.

 

Gjuha e Tij asht thellësisht popullore, pse ishte i vetëdijshëm se po shkruente një vepër që do të ishte universitet atdhetarie për Malet tona ku mungonin edhe shkollat fillore, sa me shumë vend thotë Profesor Zekiria Cana: “Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendsh “Lahuten e Malcisë”, përvetësuen arësimin kombëtar, kur ky mungonte.”

Por që të gjykosh Lahuten, duhet të rijetosh historinë me dhimbje, siç e jetoi Poeti.

Në këto rrethana, aty nga viti 1904, zu e lëshoi akordet e para Lahuta e Tij ngjethëse, tue u ngjeshë për parzem të malësorit.

At Fishta vetë ishte një shembull i shkëlqyeshëm i mbylljes së tragjedisë së gjakmarrjes, një vepër e pandërpreme e Françeskanëve Shqiptarë, sa kur i vranë të vëllanë, Çupin, jo vetëm e fali vrasësin, po edhe lëshoi thirrjen:

 

                        Ndalnju, burra! Ku veni!

                        Pashi Zotin, lëshoni hutat,

                        se mjaft gjak asht derdhë!…

 

Në prag të ditës së madhe të 28 Nandorit Ai tashma naltohej si lis vigan me rrajë thellë në truellin arbnor e degë që piqeshin me bjeshkët. Penës së Tij, veç kangëve të para të Lahutës, i përkisnin sa vepra të tjera, ato “Pika vese” që dridheshin mbi petale, “Anzat”, vepër satirike e pashoqe deri më sot në letërsinë shqipe, bash ato anza të lëshueme rrugëve të Shkodrës e të mbarë Shqipnisë, ku tue përqeshë me humorin e hollë shkodranë, here tue thumbue keq e jo rrallë tue fishkullue pa mëshirë. Penës së Tij i përkisnin veprat e para dramatike, origjinale, të përshtatuna a të përkthyeme, ndër të cilat “Shqiptari i qytetnuem”, vu në skenë prej Atij vetë më 1909, sidhe plot libra për shkollat tona Shqipe.

Por edhe 28 Nandori la shumë vepra mangut. Përgjysë andërrat, përgjysë shpresat, përgjysë vetë Atdheu e që Ai e vajtoi… me “LOT GJAKU”. E gati si tue lëshue piskamën, porositë:

 

                        Edhe me u thanë anmiqve e t’ tanë njerëzimit:

                        “Unë këtu sundoj! N’ këtë shkamb mue m’ vuni Zoti,

                        E këndej nuk luej, pa u shue stina e moti”!?

 

Fati i vendit do të vazhdonte të ishte i trazuem edhe pothuej për një 10 – vjeçar. Filloi me rrethimin malazez të Shkodrës, e vazhdoi me trazime të pafund deri në Korçë, Gjirokastër e ma përtej…

As në ato ditë të vështira At Fishta nuk u step. Ishte në ballë të luftës për mbrojtjen e Shkodrës prej knjazit të Cetinës, atëherë kur botoi të parën revistë shprese mbrenda Atdheut e që e quejti “Hylli i Dritës”, bashkë me Gurakuqin, Mjedjën, Logorecin, tue themelue “Komisinë letrare”, e në fund të Luftës së Madhe, që trandi botën, po bashkë me Gurakuqin e Bumçin shkuen t’i dilnin zot Atdheut coptuem në Versajën hijerandë. Ai kapërceu edhe Atllantikun, deri në Amerikë, për të shpëtue ç’mund të shpëtohej nga e shumëvuejtuna  dhe e nëpërkambuna Shqiptari.

Në proçesverbalin e mbledhjes të Komisisë thuhet: “U vendue me themelue një drejtshkrim sa ma tepër të përbashkët për të dy dialektet”, ishte ai parim mbi të cilin punohej për Bashkim, parim që u shkel me te dy kamët në Kongresin famëkeq të vitit 1972 e që nuk po ndreqet as sot!

Frati me zhgun nuk i la asgja mangut detyrës ndaj Atdheut, Nëse la mangut diku, i la pikërisht detyrës së Tij si “klerik”. Por, do të thotë ndokush, si arrijti atëherë aq nalt edhe në hierarkinë ekleziastike?

…Asht rast i rrallë, ndoshta i vetëm, që pikërisht vepra letrare dhe atdhetaria e ngritën edhe në hierarkinë fetare, që për nevoja të Atdheut i ishte dashtë ta linte shpesh mënjëanë. Sa Shqiptar ishte Ai dhe sa klerik, e shprehin qartë vargjet e maposhtëme, ku, mbasi andërron me çelë një shkollë të naltë në Shkodër, thotë:

                        Por n’Shqipni pse nji meshtar

                        Posë se prift do t’jetë Shqiptar,

                        Shqiptar, po pa dredha.

                        Unë rektor e profesorë

                        Sakristan e baçeva

                        T’gjithë shqiptarë i zgjodha.

 

Kur lufta mbaroi dhe paqa mirë a keq u vendos, punët sërishmi nuk shkuen dhe aq mbarë. Mehmurët që kishin heqë fesat dhe ishin veshë allafranga, mendonin si të banin zap popullin e jo si ta udhëhiqnin atë. Këta “batalla fytyrë-fudullë, batakçij e me nji lasker kulturë, sa me mzi me shkrue emnin e vet”, si i pikturon me mllef At Fishta, e ndjenin veten ma shumë turq se shqiptarë, të gatshëm të bashkëpunonin me sllavin e me djallin, mjaft qe të përmbushnin nepset e tyne prej lubishë të pangopuna. Shumë kohë ma parë Poeti i kishte jetue këto mënxyra dhe kishte parandje zvarritjen e tyne të lyrosun, sa kishte humbë durimin tue iu drejtue Zotit:

                        O perendi, a ndjeve?

                        Tradhëtarët na lan pa Atdhe

                        e ti rrin e gjuen n’errfe

                        lisat n’per male kot.

 

Ishin kohë të turbullta, kur, si thotë Poeti,

“tash qi u ba Shqipnia, duhen ba Shiptarët.”

E për me ba Shqiptarët Ai ishte që:

Në vitin 1913, thëmeloi dhe drejtoi deri sa vdiq revistën “Hylli i Dritës.”

Në vitin 1916, themeloi e drejtoi fletoren “Posta e Shqipnisë.”

Në vitin 1919 asht sekretar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Parisit.

Në vitin 1921 asht zgjedhë deputet i Shkodres në Parlamentin Shqiptar.

Në vitin 1921 asht edhe nënkryetar i Parlamentit tonë.

Në vitin 1930 asht në Athinë anëtar i delegacionit të Konferencës Ndërballkanike.

Në vitin 1931 asht ftue për mbrojtjen e të drejtave të Shqipnisë dhe të Shqiptarëve në disa shtete, ku ka spikatë fjala e Tij, në 1931 në Stamboll dhe 1932 në Bukuresht.

Në vitin 1931 asht ftue në New York me përfaqsuesit e 60 shteteve të Botës ku u zgjodh anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar të Poetëve në Amerikë.

Me 6 qershor 1921, në zgjedhjet e para Parlamentare në historinë e Shqipnisë, Shkodra e dërgon At Fishten përfaqësues të vetin bashkë me miqtë e Tij Gurakuqin e Mjedën dhe Parlamenti e zgjedh Nënkryetar të Kuvendit Kombëtar. Ky polemist i shkelqyeshëm në lamen e gazetarisë, me prodhimtari ma të madhe se çdo gazetar profesionist, do të shfaqej në Parlament si një orator i pashoq, një atdhetar i flaktë në akuzën kundër Serbisë për masakrat mbi vëllaznit kosovarë; por edhe kompetent si ekonomist, gjeolog, pedagog e agronom, jurist e diplomat “sa me pasë nder me e pasë çdo parlament i Europës”, siç shkruente një gazetar i huej që ndiqte punimet.

Me fjalën e Tij të zjarrtë i tregoi mbarë Europës se At Fishta ishte dhe mbetet Tribun i Popullit Shqiptar, që luftoi pa i ba syni vek për të Drejtat e Shqiptarëve për vetvendosje, tue demaskue haptas qellimet e fqinjëve grabitqarë të Tokave tona përrreth, të cilët vepronin dhe mbroheshin nga Fuqitë  mëdha.

Polemikës së At Fishtës i jep shpirt satira, me ndihmën e së cilës realizoi pikturën estetike të së keqes. Ai godet me forcë të gjitha llojet e devijimeve morale, sidomos ato të zyrtarëve ma të naltë. Këte luftë e ban me guxim, pa pyetë se me cilin binte në kontraditë. Prandaj edhe asht quejtë mbreti i polemikës Shqiptare. Nuk trajtoi në to asnjëherë çashtje vetjake, pse si synim i polemikës së Tij të ashpër ishte lufta kundër pseodoatdhetarëve “me barkun kodër” dhe “xhepat e frymë”…

Shka ka me dijtë me folë mbi politikë e mbi organizmin e shtetit civil nji njeri malok, matrahul, qi me m’zi ndoshta ka krye dy a tri klasë fillore e qi djerset kur i duhet me shkrue emnin e vet. Pse asht edhe tradicjoni shpijak e edukata familjare, qi shumëkend ndër ta e ban krejt të neveritshëm e ekcentrik. Ky babën gjaks, gjyshin katil, stergjyshin mizuer, rritë me katila, me gjaksë, me mizorë, me intriganta, batakçij, vagabonda, rrugaça, me njerëz hasëm të kulturës e të gjytetnisë, kah mund të mendohet se ka me kenë i zoti me rregullue fatin e nji kombi ende primitiv? Pse me sundue nji shtet nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhëtija; duhet nder dhe urtì, burrnì: qe se shka duhet. Po, por dija, urtija, ndera, burrnija u nxejshin në shkollë e, madje, me shumë mund e djersë, e jo ndër kafeshantana t’Europës e mejhane paçaxhihane të Tiranës, tuj luejtë “tavell” e “bigjoz” e tuj pi “mastikë”.

Një portret i përkryem i “udhëheqësit” tonë të ardhshëm…

 

Shenim nga FR: Ky material asht një pjesë e shkëputun nga libri: “AT  GJERGJ  FISHTA  O.F.M. ASHT MENDJA, ZEMRA  E  SHPIRTI I POPULLIT  SHQIPTAR” 2010.

    

Punue nga bashkautorët Danil GAZULLI dhe Fritz RADOVANI.

Melbourne, Dhjetor 2016.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s