Cikël poetik nga Hamdi Meça

Hamdi Meça
Cikël poetik nga Hamdi Meça
 
 
 
BIBLIOGRAFI
 
Kollona vertebrale
në këtë shtat bubulak,
edhe pingul siç është,
edhe paralel siç nuk është,
njëri pranë tjetrit-
librat e mi, them.
 
 
 
NGA NJË PICKIM I TYRE
 
Bebza sysh shkëputen,
grenza ato bebza sysh ,
me thumba helmues ( vespidae )
ose kandrra me trup të verdhë e vija të zeza
të xhelozive të sotme.
Nga një pickim i tyre
po vuan dhe ti, miku im.
Çelësi thonë helmit derën ia mbyll,
a ke çelës me vete
apo harruar e ke sot,
kafet duke paguar siç bën përditë,
a me padashjen e dashjes,
a me dashjen e padashjes.
Ambulanca shpejton për në spitalin amerikan
me mjekë turq.
 
 
 
Poezia
 
Në krahët
e fluturës
shkruaj,
veç aty.
 
 
 
LIQEJTË E HIDROCENTRALEVE
 
Kush për flokësh fort i kapka kokat e syve kështu?
Trupa femrash të mbytura,
trupa meshkujsh të mbytur –
ato dallgë nëpër liqejtë e hidrocentraleve.
Përse këto shëmbëllesa ?
Kot pyes, më kot.
 
 
MEJTIM
 
Bebes
zor se “Vjeshtë”
emri i vihet.
E shkuara
e së sotmes,
e së ardhmes-
ajo stinë.
 
 
 
KORRUPSION ME LEJET E NDËRTIMIT
 
Demonë dhe këlyshë të tyre
secili me nga një copë qiell
të dhjamosur në gojë,
nuk e përtyp e as nuk e shtyn
tejngopja e zgavrës.
 
 
 
HONORE DE BALZAK DHE “KOMEDIA NJEREZORE”
 
Kokën e Balzakut
në ajër parë e kam,
andej për te Mouzeleumi i Napoleonit në Paris.
Llogaritur vetë e ka
i linduri në Tur,
sa grimca nga dheu varri i tij mund të mbajë.
Bota nuk e nxë një gjeni,
varri po.
 
 
 
FILLESAT E 18-VJEÇARES
 
A thua
procesi i elektrifikimit
përfundoi?
Njëzet e katër orë,
ditë e natë,
lënda ndriçuese e ndezur
te e gjithë 18- vjeçarja,
llampë inkandishente- ajo.
Llamja ose gjarpëri përbindësh
( ky ujërat pi )
rrugë i bëhet asaj,
mbi gjarpër ec,
mbi gjarpër jeta kalon.
Ambrucët,
arbëreshë të Italisë
“ Festën e gjarpërit “,
festojnë.
 
 
 
LAOKONTI NUK ËSHTË NË TERRITORIN GREK
 
Gjarpëri i njërit prej damarëve të fryrë
të gruas së Odhiseut, rrëshqiti,
në gjurmët e çamëve nga trojet përzënë
me trup fërkohet,
në kufirin shqiptar u fut,
nëpërkën e rrugës kulaç has,
aty përballë Jonit det.
Laokonti mitik i gjithi aty,
i gjithi aty,
në Llogara të Himarës.
 
 
 
KUPTIMI I NJERIUT
 
Të parët kufijë
të kësaj bote- qelizat,
të fundit kufijë – qelizat.
Të tjerat
nga
të tjerat.
 
 
 
GRACKË E IMAGJINATËS
 
Sy të tjetërsuar
në shputa të ndezura këmbësh ,
në shumësinë e shumësive qiellore ecin.
Kësi lloj këmbësh,
a mos në drejtim për te shpirt i Ajnshtajnit ?
Teoria e tij e relativitetit- një liturgji profetike,
universi sipas këtij shkencëtari lindur ka
nga bing-bang i një rruzulli primordial- zanafillës.
Prandaj asnjë faj ti nuk ke,
i braktisur a e braktisur,
pse sytë e tu- shputa të ndezuara këmbësh në qiej?
Ku po shkon?
Për të gjetur vend qysh më përpara
për shpirtin, po ec?
 
 
 
NGACMIM TE LENTJA E SYVE NË SARAJEVË
 
Cigare e dredhur,
me trupin e të vdekurit- për duhan
dhe qefin- letra mbështjellëse,
Toka e thith me çibukun ose llullën- varr.
xixat e kësaj cigareje- vrima të shuara qymyri në dritë,
vrima të ndezuara karboni në errësirë,
vrima-vrima, pra,
të cilat shumohen në reaksion zinxhir,
për gjatë ecejakut në Sarajevë.
 
 
 
NATA E HESHTJES PARAZGJEDHORE
 
(Hi)roshimën e ishullit japonez Honshu,
amerikanët e zgjodhën
për të parën bombë atomike,
bombë me atome shumimi djajsh.
Në këtë rit habitor
te nata e heshtjes parazgjedhore,
ndërhyrje ka,
ka ndërhyrje
spermën për të shtuar,
nga mosturbimet
e djajve.
 
 
 
SHËMBËLLESË E PRITJES
 
Hëna mbi kurriz
të gjarpërit- reliev.
Nata- kërmill.
 
 
 
GJEOGRAFI KOHORE
 
Oshënarë jo,
këta fëmijë të gjymtuar,
nga predha mëkatesh lënë pas,
nga lufta e nxehtë,
nga lufta e ftohtë.
Te kjo gjeografi kohore,
arti apstrakt postmodern
nga dhimbja për
konkretën
kështu.
 
 
 
I BURGOSURI I NDËRGJEGJES
 
Pëllëmba e tij me lëvore drurësh
dhe me vrima gozhdësh të ndryshkura.
-O piru,- dorës së hapur i bëzan
me gurgullimën e ujit nën shkëmb,
nga se fytyrën e vet për pjatë të gatshme po e merr,
pjatë me meze fort e dëshiruar:
dy kokrra ulliri sysh,
qofte hunde,
dy biftekë faqesh,
mëlçi buzësh,
speca veshësh
dhe djathë kaçkavall shprese.
– Kush po e ha pjatën e fytyrës sime? –
Gojën e çjerrë te oborri i burgut,
barkun të mbushte
me makarona rrezesh
të tendosura.
 
 
 
ALIBI JO VETËM PËR RËNIEN E TROJES
 
Troja
nga të rrumbullaktat u rrokullis.
Sepse ndodhi ,
rrotat e Kalit të drunjtë trojanët duke parë,
rrotë e pandën dhe barkun e fryrë pluralist
të atij kali.
Kështu dhe sot,
rrotën e globit
duke parë.
 
 
 
SINJALE BINOKOLARE NË PLAZH
 
U zhvesh dhe deti
dhe deti u çvesh
nga rrobat e dallgëve,
ty, duke të parë,
duke të parë ty,
të çveshur në breg.
Rrobat e dallgëve
me sqepe pulbardhat i kapën,
lart në qiell i ngjiten.
Ku në qiell?
A mos të ekspozuara nëpër telat
e vijave kohore të globit?
 
 
 
VAJ I ULLIRIT
 
Gjatë
puthjeve
sytë
shtypen,
shtypen
sytë.
 
 
 
PJELLORI E VRARË
 
Gaforrja, përndryshe: krustace
me dhjetë këmbë,
përndryshe më ndryshe:
specia Palinurus elephas,
edhe një arsye : shenjë
e horoskopit bestyd,
fund i arsyes: gaforre,
organi gjenital mbi ujë
i gruas së mbytur.
Ec si pa ecur,
si pa ecur ec,
për sytë vëzhgues
të induksionit
memec.
 
 
 
SHËTITJE NË BULEVARD
 
Kufjet vë në veshë,
karrocën shtyn,
as dhe një rrokje foshnjes nuk i flet,
bebja me shqelma ajrit i gjuan,
tutje për ta shtyrë.
I vogli më në fund
urtohet
aty
te i gjyshes
prehër.
Karroca- ajo gjyshe
e kërrusur.
 
 
 
OBJEKTE NDËRTIMI
 
Në shezlongun e pentagramit,
jo zëri i trupit
po trup i zërit tënd
pothuajse lakuriq,
veshët- me shtupa mishi,
sytë- me shtupa mishi,
tiparet identitare- me shtupa mishi,
shtypa mishi,shtupa mishi
dhe ndërtesat sociale.
LINDJE E ZANAFILLAVE
Vogëlush, me nënë tjetër,
në çerdhën e gojës tënde,
klloçka e gjuhës me pupla të ngrehur fjalësh
dhe të ngadaltin fluturim,
vezët e morfemave aty nën vete po ngroh.
Një për një të sajat ato vezë
apo ndonjë qyqe
vezën e vesit të saj lëshuar aty e ka?
Nëse po,
po ta them herët,
vonë për ta kuptuar,vogëlush,
se ajo qyqe veçse jot ëmë
e divorcuar.
 
 
SIMBOL I TRAGJIKOMEDISË
 
Gjysëm
aty,
gjysëm
këtu,
sepse sot ky i sotmi,
me dy gjysma,
nga mesi e lart- tragjedia,
nga mesi e poshtë-komedia
dhe e kundërta mund të jetë,
për shkak të perdes- ferexhe
dhe personazhit-maskë.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s