POLICI ZEMËRMIRË / Tregim nga Hamit Taka

POLICI ZEMËRMIRË 

 

Hamit Taka

Tregim nga Hamit Taka

Pa dyshim Kujtim Gurobardhi mund të kishte siguruar një mirëqënie më të mirë për familjen, po të kishte ca njohuri më shumë mbi ekonominë e tregut të lirë dhe po të ishte treguar pak më i shkathët. Ai mund të kishte hapur ndonjë biznes fitimprurës, siç ishte prodhimi i bukës për dy fshatrat fqinjë, duke qënë se furrën e bukës së kooperativës, ku kishte punuar pesëmbëdhjetë vjet, e kishte privatizuar me ortakun e vet. Mirëpo pjesën e vet ia la ortakut kundrejt një shpërblimi të vogël në para dhe mori udhën e kurbetit.
Kujtimi përgjithësisht ishte njeri me karakter të nënshtruar, më shumë i trishtuar se gazmor, i pazoti për të bërë përpjekje të zgjatura dhe që nuk çalltiste fort për punët e veta. Edhe në mërgim nuk bëri dot prokopi dhe pas tetë vitesh, vendosi të kthehej në vendlindje. Me kursimet e tij bleu një veturë, tip BENC, në gjëndje jo të keqe dhe filloi punën si taksixhi. Por edhe me taksi nuk i eci, pasi u bënë shumë taksixhinj dhe ai nuk ishte ndër ata të shkathëtit, që t’i rrëmbejnë pasagjerët nga duart. Nga toka që kishte në pronësi në fshat merrte të ardhura të papërfillshme, duke patur parasysh edhe koston e plugimeve, farërave, pesticideve e të tjera. Gjithmonë të ardhurat e tij ishin këpucë që i rrinin ngushtë familjes së vet.
Atje nga mesi i muajit maj i çdo viti Kujtimi ishte vazhdimisht mëndjeprishur. Data 28 ishte dita e koalidimit të makinës. Gjatë asaj periudhe, ditë pas dite, përpiqej të takonte shofera që kishin bërë koalidimin dhe i pyeste për koston. Sa u kishte shkuar taksa? Sa ishte tarifa e sigurimit? Sa kushtonte kjo e sa kushtonte ajo. E dinte se taksat ishin rritur, sidomos për makinat e vjetra. Edhe sigurimet ishin rritur, por, kur e dëgjonte nga goja e atyre që kishin bërë koalidimin, i dukej më e saktë, me shpresë se ndonjëri mund t’i thoshte ndonjë shifër më të pëlqyeshme për të. Por të gjitha kostot, që dëgjonte, i dukeshin të papërballueshme për të ardhurat e familjes së tij.
Të tre fëmijët i kishte në shkollë, gruaja ishte e papunë. Vetë rrinte në pritje, kur mund t’i kërkonte ndonjë fshatar, për t’i bërë ndonjë shërbim deri në qytet ose atje brendapërbrenda fshatit. Edhe ato pak udhëtime që rregullonte i bënte me frikë, se mos e pikasnin ata të kontrollit rrugor. Por kostoja e koalidimit të makinës gjithmonë i kishte sjellë andralla.
– Shite makinën,- i thoshte gruaja sa herë mbeteshin ngushtë. Përfitimet e saj asnjë vit nuk e kanë justifikuar koston.
– Po nuk shitet, moj grua, është makinë e vjetër,- i pargjigjej ai.- Le që nuk më bën zemra ta shes edhe sikur të gjej një ofertë të mirë. Jam mësuar me të. Më është bërë pjesë e jetës sime.
– More, edhe unë ashtu them fjalën, por nuk ma thotë zemra, – ia kthente gruaja.
Bashkëshortja ishte një grua shumë e përkushtuar ndaj burrit dhe fëmijëve. Falë nikoqirisjes së punëve të shtëpisë prej saj, e kthenin jetën pa u detyruar të borxhoheshin. Vetë ajo nuk do ta lejonte shitjen e makinës për hatrin e burrit, por edhe të fëmijëve. “Mjafton ai rasti kur na u sëmur vajza natën e shkuam urgjent në spital. Po sa herë shkuam e erdhëm ditën e natën me makinën tonë të bekuar”, përsëriste ajo herë pas here.
Edhe fëmijët, sa herë përmëndej shitja e makinës, mlidheshin të tre bashkë dhe rrinin e përgjonin tërë sy e vesh. Kur u dukej se prindërit binin në ujdi ta shisnin, ata gremisnin kokën dhe u mbusheshin sytë me lot. Kur e ndienin se nuk do ta shisnin, bëheshin të tre kokë më kokë, duke u përqafuar e duke qeshur me lotë gëzimi.

Bënin si bënin bashkëshortët dhe i rregullonin ato lekët e koalidimit.
Datën e caktuar të vitit, në të cilin zhvillohet ngjarja e tregimit, Kujtimi shkoi që në mëngjes herët tek agjensia e koalidimit, për të zënë radhë. Në kabinë kishte lënë një dhuratë të vogël, ca pak prodhime bio në një çantë të bardhë plastmasi, si mirënjohje për specialistët e koalidimit, të cilët asnjë herë nuk i kishin sjellë pengesa. Edhe inxhinjerin e njihte pak.
Kur kartrat u plotësuan pozitivisht, i hipi tërë qejf BENCIT dhe i ra timonit me të dy duart. E hodhëm edhe sivjet, arusha ime, tha me zë të lartë dhe e ngau si një fëmijë i gëzuar, që shijon lodrën e vet të preferuar.
Ditën e koalidimit qëlloi që motra e vet kishte shkuar në qytet për punë. Ajo mezi e priste fundjavën, se çdo të shtunë shkonte në familjen e një gjykatësi në qytet, për t’i ndihmuar zonjës së shtëpisë. Motra e kishte porositur vëllain, që, po t’i premtonte koha, të kalonte nga qyteti, për t’u kthyer bashkë në shtëpi. Ashtu bëri vëllai. Motra u vonua pak më shumë atë ditë me shërbimet e shtëpisë së bollshme të gjykatësit. Sa hëngrën drekën, pa të cilën zonja e shtëpisë nuk e përcillte asnjë herë, vajti ora katër pas dite. Kujtimi e kishte humbur pak durimin, por, kur e pa të motrën të kënaqur dhe që mezi mbante dy çanta në duar, u ndie mirë. Edhe e motra nuk kishte ndonjë gjëndje ekonomike kushedi dhe ajo e shtuna te gjykatësi i pasur, ishte një ndihmesë e ndjeshme për të. Motra gjithmonë do të gjënte në ato çantat edhe ndonjë gjë për fëmijët e vëllait. Lum kush ka një motër, thotë fjala popullore.
Kur dolën nga qyteti dhe kapërcyen një qafë, ku xhadja futej në një lug mes kodrash, u dolën para tre policë të kontrollit rrugor. Ata i dhanë sinjalin e ndalimit. Bujarit u ndie keq dhe i iku ngjyra e fytyrës. Motra e pa.
-Ç’duan edhe këta, në këtë orë?! –tha ajo pa qejf, pasi ishte bërë vonë edhe për fëmijët.
-Kanë edhe ata punën e tyre, -iu përgjigj Kujtimi zëmekur.
-Ti sot bëre koalidimin, çdo gjë duhet ta kesh në rregull, apo jo, vëlla? Edhe dritat i ke ndezur, edhe rrypin e ke vënë, -Ia ktheu e motra.
Vëllai pohoi me kokë. Pastaj tha nëpër dhëmbë:
-Ditën e shtunë, në këtë orë e në këtë vend ata kanë hall tjetër, moj motër.
Nxorri dokumentet nga kroskoti dhe u nis për te policët. Por policët iu afruan vetë. Ai më barkfryri u afrua te xhami i hapur dhe vuri re brenda, sikur të kërkonte ndonjë kriminel. Njëri nga dy policët e tjerë mori çantën e dokumenteve nga Bujari, kurse i treti qëndroi indiferent. Polici që vështroi nga dritarja iu drejtua Kujtimit:
-Ti nuk e ke më liçensën e taksisë, pse ke marrë pasagjerë? -Eshtë motra ime. Kishte ardhur në qytet, pasi të shtunat punon te gjykatës Berti. Me që kishte shumë punë sot dhe në këtë orë nuk gjen më autobuza e furgonë për linjën tonë, më bëri telefon ta merrja. E dinte që ndodhesha këtu afër, pasi sot kisha ditën e kontrollit të makinës, -I shpjegoi Kujtimi me qetësi dhe përunje, gjë të cilën polici e pikasi menjëherë.
-Lere, more Bertin ti, se nuk po e çajmë kokën për atë gjykatësin e korruptuar, por ke ndonjë dokument që tregon se pasagjeri është motra jote? – i tha i zymtë e me fodullëk polici. Kujtimi u kthye nga motra.
-Mos ke kartën e idenditetit me vete, motër? Ajo mblodhi supet. -Jo, mendova se nuk kishte ç’më duhej, -iu përgjigj motra.
-Atëhere merr gjobën, -iu hakërrua polici dhe nxorri nga xhepi bllokun e gjobave.
-Mos të lutem! Jam pa punë dhe kam tre fëmijë. Koalidimi sot më kushtoi qimet e kokës. Nuk më ka mbetur kokërr leku në xhep, – iu lut Kujtimi.
– Je hollë nga ekonomia dhe mban makinë për qejf, ë!. Dyzetë mijë lekë të vjetra është gjoba, -tha pastaj preraz.
– Po këto makina të vjetra janë gomarë pune për të varfërit, o zotëri polic- iu përgjigj dhe vuri pak buzën në gaz Kujtimi.
-Ha-ha!-Qeshi polici.
Kujtimi filloi të debatonte me të, por gjithmonë me atë ndjesinë e përunjes. Sa më shumë i lutej ai, aq më shumë gulmonte e ngrehosej polici. Pastaj i shpjegonte se nuk ishte nevoja për lekë në xhep, pasi gjoba kishte afat pesë ditë. Por ende nuk po e hapte bllokun. E motra shikonte sa policin sa vëllanë me shpirtin helm e vrer. Asaj po i dhimbte lukthi i zemrës për të, për familjen e tij. Në ato çaste, ndonëse ishte grua e qetë dhe plot dhimshuri për njerëzit, dashuria dhe keqardhja për vëllain i shndërrohej në mllef për atë policin e kontrollit rrugor. Ajo tentonte të fliste, ta siktiriste atë punonjësin e shtetit, që torturonte vëllain e saj, por tundohej mos i prishte më shumë punë Kujtimit. Dëshironte t’u qante hallin si motër, si grua e si nënë, se i vëllai kishte shumë pak të ardhura, se kishte tre fëmijë, se ajo ishte e motra… Pastaj vuri re policin, që mbante dokumentet në dorë, tek iu afrua Kujtimit dhe i tha me zë të ulët, gjoja për të mos e dëgjuar polici me bllokun e fletë-gjobave:
– Unë s’kam lidhje, se nuk jam i policisë rrugore, por mendoj për ty e familjen tënde. Bëj ç’të bësh e jepi gjysmat këtij, për të mos paguar dyfishin në arkën e shtetit.
Kujtimi mundohej të shpjegohej me ta, por policët s’hanin pykë. Atëherë motra futi dorën thellë në fundin e çantës së vet dhe nxorri andej një fletë format të pastër, me të cilën kishte mbështjellë disa herë një zarf të kaltër. Pasi e çmbështolli letrën, hapi zarfin dhe nxorri andej njëzetë mijë lekë. Ishin lekët, që ia kishte dhënë me bujari bashkëshortja e gjykatësit, për punën. Pastaj hapi derën e makinës dhe kryelartë shkoi te polici rrugor. -Merri, të keqen motra, dhe lereni rehat vëllain tim me një mijë halle.
Polici bëri sikur hezitonte. Vëllai iu hodh t’ia merrte lekët motrës nga dora. -Jo, motër, ato janë djersa e punës tënde. Do të bëj si do të bëj unë dhe do ta shlyej gjobën. Me ato lekë ti do të mbash fëmijët një javë, deri të shtunën tjetër. Por motra ia la në dorë policit dhe u fut në makinë. Polici i mblodhi shuk të dy monedhat, për t’i futur në xhep. Atëkohë polici i tretë, i cili nuk ishte përzier deri na atë çast, iu afrua dhe i kapi dorën kolegut.
-Çfarë po bën ti, more?! – i tha ai dhe gishtin tregues e çoi te tëmthat, duke e rrotulluar si tyrjelë. Donte t’i thoshte: Je në vida të kokës?!
Gjobmarrësi diçka i pëshpëriste, për ta bindur, që të hiqte dorë nga ajo marrëzi.
-Ke ndjenja njerëzore ti apo jo? Si do të marrësh mundin e asaj gruaje dhe riskun e tre kalamajve, – i tha sërish me zemërim dhe ia kapi dorën ku mbante lekët.
Gjobëvënësi këmbëngulte në të tijën.
-Ktheja, -i tha me zë të mbytur polici këmbëngulës, -se do të përballemi te shefi.
-Hë, mo, merri e çoja, se s’po e çaj kokën për shefin, -iu përgjigj syçakërritur gjobvënësi dhe ia lëshoi monedhat në dorë.
Polici zemërmirë u sul te makina e Kujtimit, por motra krenare e urdhëroi të vëllain të nisej. Vëllai e zbatoi urdhërin e motrës pa nguruar. Polici zemërmirë vrapoi pas tyre, por ata e falënderuan me dorë dhe nxituan drejt familjeve të tyre.
-Ka edhe policë zemërmirë, -tha motra e qetë. Vëllai ktheu kokën për t’i buzëqeshur me mirënjohje motrës së dashur.
– Shpirti i vëllait! – i tha ai. Por sytë i shkuan te pasqyra, që kontrollonte rrugën prapa dhe vuri re se po e ndiqte një makinë policie. Disa herë prej saj u lëshuan sinjale, për të nadalur. Kujtimi gjeti vendin e përshtatshëm dhe hapi rrugën. Makina e policisë i doli para. Nga makina zbriti polici zemërmirë dhe i la në prehër motrës njëzetë mijë lekët…
Tani motra s’kishte si të kundërshtonte më, veç e falenderoi me shpirt e me zemër…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s