Poezi nga Adem Zaplluzha / Shkëputur nga vëllimi poetik “Fluturat prej letre”

adem

Poezi nga Adem Zaplluzha

 

MË DUKET SE SYTË I VARËM NËPËR DEGË

Atë çast binte një shtrezë e pa definuar
Binin edhe copëzat e këputura të yjeve
Unë i shikoja me nostalgji
Se si largoheshin meteorët endacakë

Ishte një ditë e dyshimtë
Çdo lëvizje dukej se fundosej në galaktikë
Vetëm eklipsi i verbër i hënës
Paraqitej si një mollë e kafshuar në hapësirë

Secili prej nesh mbante në dorë
Copëzat e xhamave të errësuar
Shikonim se si ndryshonte në çdo sekondë
Forma e ngurtë e hënës lozonjare

Më duket se sytë i varëm nëpër degë
Ose na mbetën të varura në mjegulla
Dita ishte në ato çaste një zbrazëtirë
E cila notonte në pellgun e një dhembjeje;

 

NJË DITË DUKEN TË VERDHA

Nuk thonë kot se në lagjen time
Ngjyrat kanë shije
Ngjajnë me atë të kajsive të pjekura
Kanë edhe një domethënie tjetër
Më të bukur prej çfarëdo qoftë ngjyre

Këto spektra ngjyrash u ngjajnë
Mushmollave të pjekura
Sa herë që i prek njeriu me dorë
I ndjen thirrmat e ylberit
I ndjenë në thellësinë e shpirtit
Dallgët e çmendura të detit

Një ditë duken të verdha
Kurse ditën tjetër piqen si kumbullat
Në degët e thyera të mjegullave
Dhe më pastaj i shkundin shirat
Me të gjitha ngjyrat e portokajve

Ju tregove se nuk flasin kot
Për shijet e ngjyrave
Po ashtu edhe për shijet e pemëve
Në lagjen tonë përherë vijnë lejlekët
Po nëpër ato çati
Të cilët i lënë peng për një tjetër stinë.

 

VETËM NJË ZË SHPRESE

Sapo fluturuan zogjtë e përgjumur
Nëpër çatitë e qytetit
Asnjë trishtil nuk këndon
Ikën edhe kukuvajkat e fundit
Një llahtari e paparë trokiti
Nëpër porta e mbyllura

Asnjë derë nuk hapej
Mbase nga frika
Jashtë ulërinin e ujqërit
Kurse përbrenda mureve të akullta
Dëgjoheshin si thirrma
Britmat e padukshme të frikës

Secili njeri heshte si gur varri
Përtej frikës një tjetër frikë
Kudo panik
Nëpër secilën lagje vetëm lehje qensh
Dhe zhurmët e padurueshme të ingranazheve

Atë ditë nuk pamë më asnjëherë
Asnjë zog nëpër çati
Kishin ikur edhe nga pemët
Lagjet e braktisura notonin në pafundësi
Vetëm një zë shprese
Na dukej si uturimë shpëtimi

 

KJO SERENATË DHEMBJEJE

Ditët u stisën nga kujtesa
Agimi si Penelopa end këmishën e natës
Asgjë s’paska mbetur për nesër
Kjo flutur e kaltër
Paska kullotur nëpër të gjitha luadhet

Në ëndrrën e bretkosës
Si gjethet janë fishkur stinët
Shirat kanë humbur në kepin e fjalëve
Nëpër xhepat e huaj
Një njeri i kërkon duart e mjegullave

Nëpër anijet e fundosura
Si përherë ëndërrojnë spirancat
Fanari i harruar në shuplakat e ujit
I numëron zërat e shpeshtuara të guaskave
Deti i trazuar si në jerm i pluskon brigjet

Bunaca sapo ka filluar të këndoj
Si ngjala përdridhet zëri nënujor
Në telin e këputur të kitarës
Paska mbetur pengë
Kjo serenatë dhembjeje

 

NJË NUSE E RE I MBUSHTE SHTAMBAT

Ishte një zjarr i madh
I dogji të gjitha valixhet
Asnjë njeri s’mbeti pa u lënduar
Vetëm zogjtë klandestin
Kaluan në anën tjetër të urës

Zjarri i verdhë si për inati
I lëpinte drurët e lagjes
Nuk mbeti asnjë selvi në këmbë
Nga zjarri i paparë
U dogjën edhe çerdhet e trishtilave

Një korb në moshën treqindvjeçarë
Si një kala qëndronte mbi kambanë
Në sqep e mbante kryqin e etheve
Si reliktet e lashta
Mbante edhe flakën e verdhë

Nga majat e maleve shikonin kolonadat
Shikonin se si shembeshin legjendat
Në fushën e mëllenjave
Një nuse e re i mbushte shtambat
Për ta shuar etjen e një lufte të posa nisur

 

Shkëputur nga vëllimi poetik  “Fluturat prej letre”

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s