Monologu i parë / Tregim nga Teuta Keli

Monologu i parë

 

teuta-keli

Tregim nga Teuta Keli

Pritem që të lindem…Më kanë lënë tridhjetë ditë afat, kohë e mjaftueshme, sipas tyre, që të mendohem dhe të marr guximin për të dalë vetë në dritë. Nuk e di se si, apo çfarë u tha mendja që të kushtëzojnë kaq shume dikë dhe për më tepër as dikë, se unë, ndryshe nga ata, nuk mund të quhem ende njeri, tani unë kam një emër, më quajnë fetus.

Më kanë dhënë tetë muaj kohë për t’u formuar për t’u bërë si ata dhe një muaj kohë për t’u menduar, të mendohem dhe të marr guxim dhe t’u bashkohem atyre.

Kam dëgjuar që nëse nuk marr dot vendim brenda një muaji ata do të guxojnë dhe do të më nxjerrin vetë jashtë, me forcë, me dhunë. U habita shumë kur e dëgjova këte, por më tepër më habiti qetësia dhe mirëkuptimi që tregoi nëna ime ndaj atij që do mund të quhej dhunuesi im i parë. E mbaj mend si tani ëmbëlsinë e fjalëve të saj, kur, me shumë ndroje, iu drejtua atij që mendohet se është eksperti ynë, doktor më duket se i thërrisnin:

-Po çfarë ndodh nëse foshnja nuk lind vetë për një muaj, pyeti ajo e trembur doktorin?

Ai e kuptoi moskopetencën e nënës sime në këtë fushë dhe mori një qëndrim, si i quajnë ata jashtë, profesional, më duket, dhe më pas i foli:

-Mos u shqetësoni Zonjë, nëse foshnja juaj vonon që të lindë brenda afatit që i kemi caktuar, do ndërhyjmë dhe do ta nxjerrim atë jashtë.

Unë nuk e kuptova aspak se si nëna ime u qetësua pas fjalëve të tij, se në të vërtetë unë u shqetësova dhe u shqetësova aq shumë, sa fillova të revoltohesha dhe të ngrija grushtet drejt tij, i cili buzëqeshi teksa pa barkun e nënës time që deformohej nga grushtet e mi. Si nuk e vuri re revoltën time? Si do të guxonte që të ndërhynte në privatësinë e mendimeve dhe të lirisë sime?!

Kam dëgjuar se ka shumë të guximshëm që dalin jashtë qysh ditën e parë të muajit të nëntë dhe për më tepër, ka akoma edhe më shumë të tillë që lindin para se t’iu vijë afati i mendimit, dalin atëherë kur janë në formim e sipër, kështu e quajnë ata jashtë kohën e parë të jetës sonë.Këta lloj fetusish unë i kam pak zili se më duken më shumë të çmendur se të guximshëm dhe më pëlqen kjo lloj çmendurie.Edhe unë mendova të dal njëherë më përpara.Ishte një çast kur e ndjeva nënën time të lumtur, ajo ishte aq e lumtur saqë vallëzonte papushim me të njëjtën këngë për orë të tëra.  Edhe unë isha shumë i lumtur me të në atë moment, isha aq i lumtur edhe pse nuk e kuptova mirë lumturinë e saj. Ajo gëzonte aq shumë se kishte blerë një shtëpi për ne, por unë në shtëpi jam, pse ajo u gëzua kaq shumë edhe për mua?! Nuk doja që ta prishja lumturinë e saj, por doja ta shtoja atë dhe pikërisht në atë çast doja të dilja jashtë. Doja edhe unë të vallëzoja me të, të lumturohesha me atë fakt që atë e bënte të lumtur, por sapo unë tentova të dilja jashtë, nuk e kuptova pse nëna ime u ligështua, pushoi vallëzimin… Unë u tremba aq shumë për të, sa nuk guxova dot që të vazhdoja përpara. U stepa dhe qëndrova në heshtje dhe në pritje se si do ishte ajo më pas. Ajo vuajti ca gjatë më pas dhe unë u ndjeva fajtor që me guximin tim i ndala asaj vallëzimin, por unë nuk doja, thjesht doja një vallëzim me të, vetëm kaq…

Pas atij çasti të guximshëm ja ku jam, pa guxim për të dalë. Tani duhet të dal, është çasti i tyre, atëhere nuk mundja, sepse ishte çasti im…

Kam dëgjuar që jashtë bëjnë festë për ne kur dalim: mblidhen, na shikojnë, na përgjojnë kur hamë, kur flemë, thonë që kujdesen shumë për ne, se ata janë më të rritur. Unë këtë nuk e besoj shumë, mendoj se janë thjesht legjenda fetusish, krijojnë histori të tilla që të mposhtin frikën e tyre.

Ata jashtë, mua, personalisht, nuk më duken të rritur. Unë një ditë kam qeshur për shumë orë me mendimin e nënës sime, nuk e di se ku kishte lexuar që njeriut i shkruhet fati tre ditët e para të jetës dhe në qetësi më premtoi që kur unë të lind ajo nuk do flejë tre ditët e para, do të qëndrojë zgjuar me mua, që çfarëdo që të shkruhet për mua, ne të jemi dhe ta përballojmë bashkë. Mu duk qesharake kjo gjë dhe qesha gjatë me të, por më pas m’u dhimbs, sepse e dija që ashtu fshehurazi ajo e besonte këtë dhe ajo ashtu do të bënte: do të rrinte tri ditë e tri netë zgjuar për mua. Ajo është e para e parritur aty jashtë dhe shumë e shumë të tjerë janë si ajo dhe ne kështu do na duhet që të rritemi nga ata që janë të parritur ende…

Sa gjatë që kam jetuar këtu brenda, por thonë që atje jashtë jetohet shumë më tepër, eh jo për të gjithë njëlloj, por mesatarisht jetohet më tepër se këtu brenda. Këtë gjë nuk e kuptoj, pse këtu brenda jetojmë njëlloj dhe aty jashtë duhet të jetojë kush më shumë e kush më pak dhe disa të tjerë aspak…?! Nuk besoj se mund të ketë një përgjigje për këtë, sepse kjo do mund të ekzistonte edhe në një variant legjende fetusish dhe unë diçka do kisha marr vesh, por as unë dhe as nëna ime nuk dimë ende asgjë…

Mendoj që ne fetusit jemi më të kuptueshëm se ata, jemi pjesa e tyre e brendshme që jeton për pak kohë me një qellim të qartë krijimi dhe vazhdimi. E qartë është deri në atë çast kur jetojmë brenda, sepse sapo ne na vihen afate të caktuara dhe të detyruara, ne e humbim dlirësinë dhe lirinë tonë të brendshme. Na kufizojnë kaq shumë sa na trubullojnë, na bëjnë konfuzë, na bëjnë… si  mund ta them ndryshe? Po ja, na bëjnë si ata, fiks si ata… Na e bëjnë enkas këtë gjë dhe ne në këtë çast fillojmë ndihemi dhe bëjmë si ata, ndjejmë kaq shumë presion, shtrëngim, sa detyrohemi të dalim jashtë, po pra ata na detyrojnë që të dalim jashtë…

Thonë që të gjithë fetusit qajnë kur dalin jashtë, nuk e di pse e bëjnë këtë, unë nuk kam frikë të qaj, sepse edhe këtu brenda kam qarë disa herë. Kam qarë bashkë me nënën time, këtë e kam bërë në ndjenjë solidariteti për të.Ajo e ka kuptuar dhe ma pas kemi qeshur bashkë, por edhe jemi zemëruar, inatosur, sharë e ulëritur. Ajo më ka thënë që i ka bërë enkas të gjitha këto, sepse donte që unë të isha i mësuar me të gjitha ndjenjat dhe të mos lëndohesha, është njëlloj si një vaksinë ndjenjash më shpjegoi njëherë ajo, ndërsa unë rrija e dëgjoja me kuriozitet atë çfarë ajo më thoshte. Tani pretendohet që unë kam imunitet prej çdo gjëje që mund të më lëndojë, por një gjë nuk kuptoj, ajo vetë a e ka marrë këtë vaksinë ndjenjash kur ka qënë fetus si unë, këtë gjë ajo kurrë s’ma tha…?!

Ajo tani më pret, më pret përditë që unë të dal jashtë, e di që do lumturohet me daljen time, e di që edhe tre netët e para do i kalojmë bashkë të dy zgjuar duke pritur fatin tim që të shkruajë atë çfarë ai do për mua, por me nënën time zgjuar kam frikë se ai nuk mund të më afrohet, nëse ai nuk shkruan atë çfarë ajo do për mua. Ja kuptova qellimin asaj, pse ajo do priste zgjuar me mua, qesha me të, ende e bëj, teksa e kujtoj…

Sapo kaloi një ditë, kam edhe njëzet e nëntë ditë të tjera për t’u menduar dhe për të guxuar që të dal jashtë.

Do dal në ditën e tridhjetë, do t’i shijoj deri në fund ditët e vërteta të lirisë time, do të dal vetë, dhe, nëse rrugës ndërroj mendim, atëherë le të vijnë të më marrin, të paktën do të mundem që t’u them: “Unë guxova…!”

 

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s