Poezi nga Myrteza Mara

myrteza-mara

Poezi nga Myrteza Mara

 

ZEMRA E NËNËS

O nënë, pse s’më bëre zog?
-Jo bir, të ha skifteri!
O nënë, pse s’më bëre qengj?
-Biiiir! Qengjat i therin!

O nënë, pse s’më bëre erë?
-Jo bir, erën e thyen shkëmbi!
Po pse s’më bëre shkëmb?
-O bir, s’do njihje nënën!

O nënë, pse më bëre njeri?
-Njerëzit janë të mirë!
Po mua më dhemb zemra, o nënë!
-Të jap timen, o bir!

(Nga “Dëshmitarja e Verbër-2000)

 

NUK HARROJ

Një det me kujtime,
dallgë malli,
më vehte një botë,
mbjellë gjurmë të thella
në luginat e fatit,
edhe të dua nuk i harroj dot.
Janë ameba në shpirtin tim,
ndahen e shumohen
nga dita e lindjes
deri në perëndim.

Stivosur në raftet e kujtesës,
zverdhur nga vitet,
shfletoj duardridhur çdo faqe.
Nuk e gjykoj veten,
për çfarë s’kam bërë mirë,
me ditarin e jetës kam firmosur paqe.

S’i harroj plagët e zemrës
që dhembin si varre;
mbi supet e horizonteve
shikoj anijen e ëndrrës,
diellin e shpresës
dhe frymën tonë të ringjalljes.

23.01.2017

 

TË MOS ISHE TI

Të mos kishe ardhur ti në këtë botë
Dhe unë do isha numëror i tepërt.
Pemë e tharë ku s’ulet asnjë zog
Ishull kripe që nuk e njeh jetën.

Të mos ishe ti, unë s’do isha as i vdekur
Se fati na lindi për t’u dashuruar.
Të mos ishe ti dhe unë s’do isha, patjetër
Pa ty dhe koha do ishte e munguar.

Të mos jesh ti dhe unë s’ka si të jem,
Edhe po të jem do jetoj si gur i pajetë,
Por ja që ti je si kështjellë me vlerë
Siç është në qiell dielli i vërtetë.

Si mund të jem unë pa qenë edhe ti,
Si mund të frymoj pa frymën tënde!
Në këtë botë s’mund të ketë dashuri
Pa lundruar në detet e një ëndrre.

Të mos jesh ti, edhe unë, patjetër
Do ishim gurë në ortekun e fajsisë;
Apo dhe vetëm dy emra pa emër
Në shkretëtirën e pamatë të marrëzisë.

 

NUK KEMI KOHË

Nuk kemi kohë për të humbur
As frymë të tepërt për ngashërima
Nata s’mjafton për t’na bërë të bukur
Dita përcjell ëndrrat ndër gremina.

Nuk kemi djersë e mund të tepërt
Derdhur në rrëket e zenkave pa emër
Koha pa limit është në botën tjetër
Koha që jetojmë është dielli me zemër.

S’kemi kohë as të kthehemi mbrapshtë.
Të fshijmë gjurmët e mëkateve me fshesë
Hijet e akullta na mbulojnë me natë
Tek koha që ikën s’ka vend për shpresë.

Nuk kemi kohë të derdhim kaq lotë,
As të qeshim nuk na dalin dy jetët
Ta “çmendemi” çdo natëditë si sot
Ndoshta s’ja vlen të flasim për nesër.

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s