Emigranti / Tregim nga Teuta Kodra Keli

Emigranti

 

teuta-keli

Tregim nga Teuta Kodra Keli

“Ky mur duhet ngritur dhe madje shpejt. Porosinë për të e mora para dy ditësh dhe akoma nuk kam bërë asgjë, por fundja i vetëm po punoj dhe pronari im duhet ta marrë parasysh së çfarë lodhje e madhe është gjithë kjo. S’ arrij të kuptoj, pse akoma vazhdoj të tallem me veten, duhet ta marr parasysh….?!

Muri që duhet të ngre është shumë i lartë dhe nuk e di se për çfarë mund t’i duhet një lartësi e tillë këtij njeriu të huaj. I huaj, ç’ ironi, e kush flet?! Them “i huaj” për një njeri që është në shtëpinë e tij, e qenkam unë i shtëpisë në këtë vend të huaj. A e di zotëri se njeriu nuk është ashtu sikurse duket, por ashtu si ndihet në të vërtetë dhe për sa kohë që nuk themi si ndihemi është e drejtë që te mendohemi ashtu sikurse dukemi!

Kam filluar të flas fjalë boshe, por më duhet ta bëj këtë se vras qetësinë, duhet të bëj ca zhurmë brenda vetes”

Ai dialogonte pa zë dhe hera-herës kthente kokën nga dera kryesore dhe priste që dikush të zgjaste kokën për ta vëzhguar. Ai fliste me veten dhe shtynte karrocën me gurët e shumtë dhe të rëndë. Me shumë kujdes ai ndërtonte murin dhe pas çdo guri të vënë shikonte drejtimin e tij.

“Sa gurë do kërkojë gjithë ky mur? Shumë, tepër… Zotëria ka frikë nga njerëzit, duhet të jetë vërtetë i pasur, ose vërtetë i sëmurë. Të garantoj zotëri, se këtë mur jo njerëzit, por as dreqtë s’do munden dot ta kapërcejnë!”

Ai fliste me veten dhe ndonjëherë e ngrinte pak zërin dhe këtë e bënte padashje.

“E di që s’flas si ju, flas ndryshe, por ç’gjuhë flas unë, përderisa askush s’më dëgjon…?! Ky mur edhe tani është shumë i lartë”

Ai shikonte dhe imagjinonte se sa lart do vazhdonte të ngrihej muri i ndërtuar prej tij. Në të vërtetë ai nuk ishte murator dhe se kishte menduar kurrë, se një ditë do t’i duhej të ngrinte vetë mure. Ai në vendin e tij ishte diplomuar për inxhinieri ndërtimi, kishte bërë shumë projekte, por vetë mure nuk kishte ngritur kurrë.

Mbante mend, se në vendin e tij ishin shumë punëtorë bashkë që ngrinin mure, kurse ai këtu ishte krejt i vetëm. Sa mall ndjente për të gjithë, për ata që ngrinin mure, por jo të vetëm si ai. Për veten nuk kishte mall, e shihte atë në çdo gur që vinte dhe gjithmonë edhe më shumë psherëtinte.

“Sa i çuditshëm që është njeriu, mendoi, gjithmonë kërkon të emigrojë. Kur kam qënë në vendin tim, emigroja me shpirt në çdo vend, shkoja kudo dhe sa vritesha kur e shihja trupin tim atje, me ëndërra të bëra copë. Sot jam këtu me ëndërra të thërrmuara. Po ky mur sa do të vazhdojë akoma të ngrihet?! Edhe lartësinë s’po e llogaris dot, vetëm një pjesë ftohtësie shoh përballë dhe atë unë s’mund ta mas. Në të gjithë botën ngrihen mure, s’e di ç’kuptim kanë, por di se, për ngritjen e tyre paguhesh mirë.”

Ai vazhdonte punën, ndërsa e bezdiste pak xhaketa e vjetër, e cila ishte i vetmi privilegj që i lejonte vetes. Xhaketën e kishte marrë prej vendit të tij dhe me atë veshur dikur ai dukej zotëri, kurse tani kishte mbetur vetëm ideja e të mbajturit një xhaketë zotërie. Prej diellit xhaketa ishte zbardhur, jaka dhe mëngët i ishin strepsur tepër. Zotëria e huaj e kishte vënë re këtë dhe me shumë mirësjellje i kishte dhuruar një xhaketë të re. Eh, sa ishte inatosur muratori me të.

“Si mundet ky burracak të më heqë mua xhaketën prej trupit?! Me këtë xhaketë unë kam zotëruar në vendin tim, shumë kujtime kam me të. Me këtë xhakete jam diplomuar, kam punuar ditën e parë të punës, madje me këtë xhaketë edhe jam martuar.Tani me këtë xhaketë veshur po mësoj të ngre mure të larta në vendin tuaj. Ky nuk është i vetmi mur që kam ngritur, por ky është më i larti…”

Ai nxorri metrin prej xhepit dhe mati i shqetësuar. Gjithmonë e më tepër muri i shndërrohej në një vetmi monstruoze dhe numrat e metrit i ngatërroheshin dhe ai ndërtonte, mendonte…

“Thonë se njeriut i bën mirë burgu, sepse gjen kohë për të njohur veten, gjen qetësinë me të dhe me pas është i aftë të njohë të tjerët. Edhe unë kam shumë kohë për të menduar, muret ma kanë krijuar këtë mundësi, jam marrë aq gjatë me veten sa ma ka shpifur, prej kësaj nuk dua të njoh njeri, thua vallë jam në burg…?!”

Ai ndërtonte murin, ngrinte kokën dhe shikonte rrezet e diellit, të cilat i ngjanin të njëjta si në vendin e tij.

Murin ai e ndërtoi në kohën e duhur. Ditën e fundit zotëria e tij erdhi për të parë punën e përfunduar dhe u habit. Muri ishte shumë i lartë, ai këtë lartësi as që e kishte imagjinuar se mund të ekzistonte. Ai mori metrin, një palë shkallë dhe filloi të maste. Pasi bëri llogaritë u shqetësua, sepse duhet ta paguante shumë këtë qënie me xhaketë të çuditshme. Ai e pa i inatosur dhe me fjalët që tingëlluan bukur vetëm në gjuhën e tij i foli:

-Ti do të paguhesh vetëm për aq sa kemi rënë dakort, për pjesën tjetër…..?

-Jo, jo zotëri, u përgjigj muratori, pjesën tjetër e bëra për kënaqësinë time…

 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s